Ministri i Jashtëm i Bosnjës: Taksa 100 për qind është e çmendur, po e çrregullon rajonin

Ministri i Punëve të Jashtme i Bosnjës, Igor Crnadak, ka thënë se vendosja e taksës nga Republika e Kosovës për produktet serbe e boshnjake është çmenduri. Ka thënë se një veprim i tillë po shkakton probleme në tërë rajonin në kohën kur po bëhen përpjekje për afrim ndërmjet shteteve.

“Derisa të gjithë në rajon merren me bashkëpunimin dhe ndërtimin e besimit reciprok, Prishtina fut taksë të çmendur prej 100 për qind, krijon pakte armiqësore dhe shkakton çrregullime në rajon”, ka thënë Crnadak për median serbe “BETA”.

Crnadak i ka reaguar edhe Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj duke i kërkuar këtij të fundi të merret më shumë me raportet e Kosovës me BE’në e jo me Serbinë e Bosnjën, duke thënë se këto dy shtete kanë marrëveshjen e Dejtonit.

Reklama e sponzorizuar

Kosova ka vendosur taksën 100 për qind ndaj produkteve serbe e boshnjake. Kjo ka shkaktuar bllokim total të produkteve nga këto dy shtete.

Veprimi i Qeverisë së Kosovës është marrë pasi Serbia dhe Bosnja kanë penguar Kosovën në anëtarësimin në disa institucione ndërkombëtare.

Një ditë më parë, Ministri serb i Tregtisë, Rasim Lajic, ka thënë se deri më tash kompanitë serbe kanë humbur 50 milionë euro shkak i bllokadës përmes taksës nga Kosova.