Prokuroria Speciale e ka dorëzuar në gjykatë të plotësuar aktakuzën e njohur në publik si “Veterani”.
Koordinatori për media në Prokurorinë Speciale, prokurori Sylë Hoxha ka thënë se Prokuroria e Shtetit e ka respektuar afatin ligjor për të bërë një gjë të tillë.
“Aktakuza është dorëzuar sot. Aktakuza që është dorëzuar sot është plotësuar konform të gjitha kërkesave që i ka bërë Gjykata”, ka thënë ai.
Hoxha nuk ka folur për ndryshimet konkrete që janë bërë në këtë rast me arsyetimin se ai nuk është prokurori i rastit.
“Rastin e përfaqëson një prokuror tjetër, andaj nuk mund t’i di detajet se ku është ndërhyrë”, ka thënë ai.
Të akuzuar për këtë rast nga prokurori i dorëhequr Blakaj janë: Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj, Xhavit Jashari.
Sipas kësaj aktakuze, 38 milionë e 882 mijë e 400 euro për një vit i kushtojnë buxhetit të shtetit 19.060 ”veteranët e rrejshëm”, të cilët i ka identifikuar prokurori special i dorëhequr, Elez Blakaj.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ngritur aktakuzë, të cilën e ka dërguar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kundër 12 të pandehurve, për lëndën e njohur në opinion si ‘veteranët’, në drejtim të veprës penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.
Por, më vonë, Gjykata Themelore në Prishtinë, këtë aktakuzë e ka kthyer sërish në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovë për plotësim dhe qartësim.
Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, disa ditë pas dorëheqjes së ish-prokurorit Blakaj përveçse e kishte quajtur “frikacak”, punën e tij për këtë rast e pati etiketuar si “joprofesionale”.
Diskurs të njëjtë në raport me Blakajn pati përdorur edhe ish-shefi i tij, kryeprokurori special, Reshat Millaku.
“Dispozitivi i aktakuzës është i pakuptueshëm. Çdo gjyqtar që është mesatarisht profesional, në seancën fillestare do ta kthente (aktakuzën) në plotësim. Ose nëse ai është dashtë në fazën e gjykimit”, pati thënë Millaku.
Por të gjitha “vërejtjet profesionale” që Lumezi e Millaku i kishin për aktakuzën e Blakajt ua ka hedhur poshtë Gjykata Themelore me vendimin e saj për plotësimin dhe precizimin e aktakuzës.
Kësisoj Gjykata i ka dalë në “krah” Blakajt për mënyrën se si e kishte finalizuar këtë hetim me aktakuzë.
Blakaj në një email që ia kishte drejtuar ish-shefit të tij, Reshat Millaku e që “ Koha Ditore” e pati siguruar kishte thënë se përfshirja e të gjithë “veteranëve mashtrues” e komplikon procesin.
Por Prokuroria Speciale ka këmbëngulur në futjen e këtyre emrave. Tash Gjykata konsideron që futja e këtyre emrave e zgjat procesin deri në pambarim.
“Duke qenë se është fjala për numër tejet të madh të personave, që e tejkalon shifrën prej 20.999, është plotësisht e qartë se vendosja lidhur me kërkesën pasurore juridike krahas procedurës penale do ta devalvonte çështjen penale si çështje të dorës së dytë dhe do ta zvarriste procedurën deri në pakufi, prandaj konsideroj që çështja e tillë të trajtohet në ndonjë procedurë tjetër me iniciativë të Prokurorit “, thuhet në vendimin e Gjykatës.
Arsyeja e një zvarritjeje të tillë sipas Gjykatës është se nëse lejohet masa e sigurisë vendimi duhet t’u dërgohet 20.238 veteranëve, që janë të prekur nga kjo masë e që kanë të drejtë ankese, për të cilat duhet të vendosë kolegji prej tre gjyqtarëve, dhe duke e pasur parasysh numrin e madh të ankesave që do të paraqiteshin, procesi gjyqësor do të zvarritej deri në pakufi.
Ish-prokurori Blakaj nuk ishte i pajtimit që Prokuroria Speciale të bënte kërkesë në Gjykatën Themelore për pezullimin e pagesave për veteranët. Këtë çështje ai e kishte arsyetuar përmes tri argumenteve. Sipas Blakajt, numri prej 19 mijë veteranëve nuk është numri i saktë i “veteranëve të rremë”, por vetëm numër që ka identifikuar Prokuroria Speciale e që, sipas tij, numri real i atyre që kanë mashtruar mund të jetë shumë më i madh.
Arsyeja tjetër, sipas Blakajt, është se nëse kërkesa bëhet tash e legjitimon pjesën tjetër të veteranëve, dhe, sipas tij, i gjithë procesi duhet të kthehet në zero, ndërsa arsyeja e tretë, sipas tij, është që pasi janë rreth 19 mijë veteranë të gjithë kanë të drejtë ankese, prandaj procesi mund të zgjasë në pambarim. Arsyeja e tretë e Blakajt është në një vijë me arsyetimin e Gjykatës Themelore në vendimin për plotësimin e ndryshimin e aktakuzës.