Në mbledhjen e fundit, Bordi i ZRrE-së njëzëri vendosi që 3.5 milionë euro nga jobalancët e energjisë t’i mbesin KEDS-it, ani pse ekspertët e ZRrE-së, kishin rekomanduar që ato iu takojnë qytetarëve.
Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka kërkuar nga Komisioni për Tregti, Industri, Zhvillim Ekonomik dhe Rajonal që menjëherë të thërret ZRRE-në për raportim në Komision.
“Si Komision fillimisht na duhet sqarim se çka do të thotë aprovimi i të hyrave maksimale për KOSTT, KEDS dhe KESCO për përiudhën 01.04.2019 deri me 31.03.2020 pa i trajtuar 3.5 milion euro nga jobalancet. Nëse kjo nënkupton se këto para të konsumatorëve i mbesin KEDS-it ose KESCO-s, kjo po që është shkelje e rëndë dhe Kuvendi menjëherë duhet të merr masa”, ka thënë Bajrami për Buletinin Ekonomik.
Sipas saj, nëse 3.5 milionë euro nga jo-balancët mbesin të pa prekura deri në gjetjen/krijimin e bazës ligjore, Komisioni duhet të përcejllë nga afër se çfarë po bëhet me këto para.
“Nuk ka asnjë bazë ligjore që këto mjete t’i falën KEDS-it dhe KESCO-s, bile mendoj se kjo përben jo vetëm shkelje ligjore por edhe shkelje kushtetuese nëse këto të mjete nuk ju kthehen konsumatorëve”.
Anëtarët e Bordit të cilët po kërkojë që të ketë rregullore për kthimin e mjeteve te konsumatorët, Bajrami thotë se duhet të sqarojnë se ku po e mbështesin ata vendimin që KEDS-it, respektivisht KESCO-s, t’ia falin 3.5 milionë euro.
Ndryshe, të hyrat nga jo-balancët e energjisë, ZRrE në këtë raport i njeh si të hyra jo-tarifore. Bazë për trajtimin e këtyre të hyrave si të hyra jo tarifore, është se këto të hyra janë realizuar jashtë tarifave për shfrytëzimin e rrjetit të shpërndarjes, nga aplikimi i të cilave duhet të realizohen të hyrat e rregulluara.
Bëhet fjalë për të hyra që realizohen nga nominimi i energjisë, përkatësisht parashikimi i sasisë së energjisë që do të konsumohet dhe energjisë që realisht është shpenzuar. Operatori, në këtë rast, KEDS, rrymën që e blen prej KEK-ut, e nominon në baza ditore. Sasia e energjisë që konsumohet mund të jetë më e vogël sesa energjia që është nominuar dhe nga kjo krijohen jo-balancët e energjisë. /Buletini Ekonomik/