Kosova pa gjykatë ekonomike – rreth 6 mijë lëndë të pazgjidhura

Edhe pse Qeveria e Kosovës kishte premtuar themelimin e Gjykatës Ekonomike, kjo nuk po ndodhë. Kjo neglizhencë institucionale për formimin e gjykatës, ka shkaktuar rritjen e numrit të lëndëve ekonomike nëpër gjykata.

Rreth 6 mijë është numri lëndëve ekonomike që presin për t’u trajtuar në departamentin për çështje ekonomike në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Monitoruesit e gjykatave nga shoqëria civile deklarojnë se departamenti për çështje ekonomike pranë Gjykatës Themelore ishte fuqizuar me Ligjin për Gjykatat në vitin 2013, por që nuk ka arritur të ketë efekt dhe rezultate për të zbritur numrin e lëndëve për çështjet ekonomike dhe tregtare.

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi thotë për KosovaPress, se departamenti për çështje ekonomike është i stërngarkuar me 6 mijë lëndë. Miftaraj pohon se një rast për t’u trajtuar merr kohë tri deri në pesë vjet, sipas të cilit kjo shkakton pasiguri drejtpërdrejt për investitorët e huaj dhe atyre kosovare.

Reklama e sponzorizuar

Mifataraj: Ministria e Drejtësisë është e obliguar të formoj Gjykatën Ekonomike

“Kjo shkakton pasiguri juridike, shkakton vonesa të pa nevojshme që më së shumti humbin bizneset që kanë investuar në Kosovë dhe kërkojnë drejtësi nga ana e shtetit. Në këtë drejtim sigurisht që është e domosdoshme që Ministria e Drejtësisë, por edhe Këshilli Gjyqësor në kuadër të kompetencave të tyre ta vlerësojnë situatën dhe të ofrojnë zgjidhje të cilat mund ta përmirësojnë situatën. Një shtet si Kosova e cila aspiron Bashkimin Evropian, ose për ta bërë vendin atraktiv për investitorë të huaj pothuajse ka dështuar në këtë aspekt, pasi që asnjë investitorë i huaj dhe vendor nuk mund të investojnë në një shtet ku nuk ka siguri juridike, ku duhet të presin me vite të tëra për t’u zgjidhur një lëndë e tyre”, pohon Miftaraj.

Ministri Drejtësisë Abelard Tahiri deklaron për KosovaPress, se deri në shtator do të themelohet Gjykata Komerciale që është në kuadër të rishikimit funksional.

Ministri Tahiri thotë se një gjykatë e tillë që do të merrej me lëndë të kompanive, është e domosdoshme për përmirësimin e klimës së të bërit biznes në Kosovë.

Tahiri: Gjykata Komerciale deri në shtator

“Është duke u punuar për themelimin e Gjykatës Komerciale, është në kuadër të rishikimit funksional dhe strategjia do të nxirret në shtator të këtij viti. Pra, nga ai moment do të fillohet të punohet në Gjykatën Komerciale që është pjesë e vizionit tim si ministër i Drejtësisë”, thotë ministri Tahiri.

Edhe Arton Demhasaj drejtor ekzekutiv i organizatës jo-qeveritare “Çohu”, thotë se kjo gjykatë duhet të bëhet sa më shpejt, për faktin që ua lehtëson punën biznese.

Demhasaj po ashtu thotë derisa nuk ka vullnet nga partitë politike që të tërheqen nga ndikimi që kanë në sistemin e drejtësisë, Gjykata Ekonomike mund të mos bëhet kurrë.

Demhasaj: Gjykata mundet mos me u bërë kurrë

“Një lëndë e një biznesi, në një prej gjykatave tona mundet me zgjatur me vite. Kjo për shkak të ngarkimit që kanë me lëndë gjykatat tona. Për këtë arsye duhet me u krijuar Gjykata Ekonomike për me ua lehtësuar punën bizneseve në një proces gjyqësor që ata e kanë dhe mos me shkaktua pasoja negative te bizneset. Kjo ndërlidhet shumë edhe me ndikimin që ka politika në sistemin e drejtësisë. Derisa nuk kemi vullnet politik nga partitë politike me u tërhequr nga ndikimi që kanë në sistemin e drejtësisë, Gjykata Ekonomike mundet mos me ndodhur kurrë ose edhe mundet me ndodhur, por me funksion të njëjtë qysh po funksionojnë edhe gjykatat e rregullta në trajtimin e lëndëve të ndryshme penale dhe civile”, pohon Demhasaj.

Mungesa efikase e gjykatave i ka shtyrë edhe bizneset e Kosovës të kërkojnë themelimin e Gjykatës Ekonomike, e cila do të merrej me kontestet e subjekteve ekonomike midis tyre dhe me palë të tjera, përfshirë edhe institucionet shtetërore.

Ndryshe, krijimi i një gjykate ekonomike efikase është i domosdoshëm për zhvillimin e ekonomisë në vend.