Si do të bëhet konstituimi i Kuvendit dhe formimi i qeverisë?

Kuvendi i Kosovës

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet që së paku pas 15 ditëve t’i certifikojë rezultatet e zgjedhjeve të 6 tetorit. Por, sipas analistëve, nëse nuk do të ketë një dakordim të shpejtë mes LVV-së e LDK-së pas certifikimit të rezultateve në Kosovë mund të përsëritet ngërçi politik i 2014-s, shkruan gazeta “Zëri”.

Sipas Nenit 66 të Kushtetutës së Kosovës, brenda 30 ditëve pas shpalljes së rezultateve presidenti i Kosovës thërret seancën e parë të Kuvendit, ku verifikohen mandatet e deputetëve, zgjidhet kryetari, nënkryetarët dhe konstituohet Kuvendi. Nëse presidenti i vendit nuk është në gjendje të thërrasë seancën e parë, atëherë Kuvendi mblidhet pa pjesëmarrjen e tij.

“Kryetari i Kuvendit propozohet nga grupi më i madh parlamentar dhe zgjidhet me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit. Tre nënkryetarët të propozuar nga tri grupet më të mëdha parlamentare dhe dy nënkryetarë që përfaqësojnë komunitetet të cilat nuk janë shumicë në Kuvend zgjidhen me shumicën e votave të të gjithë deputetëve”, thuhet në Kushtetutë.

Reklama e sponzorizuar

Pas konstituimit të Kuvendit i hapet rrugë formimit të qeverisë me propozim të kandidatit për kryeministër nga ana e presidentit. Sipas Kushtetutës së Kosovës, presidenti i vendit i propozon Kuvendit kandidatin për kryeministër në konsultim me partinë politike ose me koalicionin që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për ta formuar qeverinë. Kësisoj, sipas Nenit 95 të Kushtetutës, kandidati për kryeministër ka kohë 15 ditë për ta formuar qeverinë.

“Kandidati për kryeministër jo më vonë se pesëmbëdhjetë (15) ditë pas emërimit paraqet përbërjen e Qeverisë para Kuvendit të Kosovës dhe kërkon miratimin nga ana e Kuvendit. Qeveria konsiderohet e zgjedhur nëse merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës”, thuhet në Kushtetutë.

Më tutje bëhet e ditur se nëse përbërja e propozuar e qeverisë nuk e merr shumicën e votave të nevojshme, atëherë presidenti brenda dhjetë ditësh duhet të emërojë kandidatin tjetër sipas së njëjtës procedurë. Nëse as herën e dytë nuk zgjidhet Qeveria, atëherë presidenti i shpall zgjedhjet.