Telekomi i Kosovës ka hapur konkurs për punësimin e 10 personave, 5 zyrtarë për shitje dhe 5 teknik. Ky konkurs është hapur të shtunën më 9 nëntor dhe do të jetë i hapur deri më 23 nëntor.
Vendimi për hapje të konkursit bie në kundërshtim me vendimin paraprak të menaxhmentit të Telekomit, i cili kishte marrë vendim për ndalimin e punësimeve të reja në këtë ndërmarrje.
Vet kryeshefi ekzekutiv i Telekomit, Bedri Istrefi ka thënë se menaxhmenti ka vendosur të ndalojë të gjitha punësimet e reja në këtë ndërmarrje publike, raporton Koha Ditore.
“Menaxhmenti Ekzekutiv vendosi që menjëherë të ndërpriten të gjitha punësimet si dhe të ndalohen të gjitha risistemimet interne të cilat kanë efekte financiare dhe shprehen në rritje të gradave të punësuarit”, kishte dhënë ditë më parë Istrefi.
Vendimi për ndalimin e punësimeve kishte ardhur pas punësimeve masive që kishin ndodhur në këtë ndërmarrje nga shkurti i vitit të kaluar deri në shkurt të këtij viti. Shumë prej të punësuarave të rinj janë familjarë të partive në pushtet, sidomos AAK dhe NISMA.