Mbrëmjen e së mërkurës, në rrugën Graçanicë – Gjilan, në afërsi të Liqenit të Badovcit, është gjetur i vdekur një person. Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka bërë të ditur se viktima është inspektor i Komunës së Prishtinës
Ahmeti ka shkruar një status në Facebook, ku ka bërë të ditur se Drejtoria e Inspeksionit është lajmëruar mbrëmjen e së mërkurës se është gjetur vetura e braktisur e njërit prej inspektorëve më të vjetër të pyllit, të Komunës së Prishtinës.
“Mbrëmë Drejtoria e Inspekcionit është lajmëruar se është gjetur vetura e braktisur/hapur e njërit prej inspektorëve më të vjetër të pyllit të Komunës së Prishtinës N. Rr. në afërsi të Badovcit Fatkeqësisht, pas arritjes së policisë është gjetur edhe trupi i pajetë i të ndjerit, i vrarë me armë zjarri, në zonën që e ruante si roje pylli. Trupi është përcjellë në Mjekësinë Ligjore ndërsa policia po zhvillon hetimet rreth rastit”, ka shkruar Ahmeti.
Ahmeti iu ka bërë thirrje institucioneve të drejtësisë që të zbardhet rasti dhe kryesir e veprës të sillen para drejtësisë.
“Nga Policia kërkojmë që sa më parë të zbardhet rasti dhe kryesit e veprës të sillen para drejtësisë. Ky rast edhe njëherë dëshmon rrezikun me të cilin përballen Inspektorët e Komunës”, ka shkruar Ahmeti.
Ndërkaq lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë, Daut Hoxha, i cili tha se janë duke u bërë hetimet e nevojshme për të mësuar shkaqet e vdekjes.
“Mund të ju konfirmoj që me datë 18.12.2019, rreth orës 21:50, në një distancë nga rruga Graqanicë- Gjilan, në pyll është gjetur një person vdekja e të cilit është konfirmuar nga ekipi i ambulancës. Njësitet policore janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të hetuar dhe sqaruar rrethanat e këtij rasti”, tha Hoxha.