Me të njëjtën shumë sa dy vjetët e kaluar, Qeveria në detyrë sërish ka zgjidhur “qesen” për rezidencën “Ibrahim Rugova”.
Fiks 57.944 është shuma e mjeteve financiare që shteti ka ndarë për pagesat e 12 punonjësve të angazhuar në Rezidencën e cila prej vitit 2016 është nën mbrojtjen e tij.
Në mbledhjen e Qeverisë të mbajtur në mesditën e së mërkurës, në rendin e ditës ka qenë edhe shqyrtimi i kërkesës për ndarjen e mjeteve financiare për pagesën e punonjësve të angazhuar në këtë rezidencë për periudhën janar-dhjetor 2020, shkruan sot Koha Ditore.
Ministri në detyrë i Kulturës, Kujtim Gashi, ka kërkuar nga Qeveria që të vazhdohen edhe për këtë vit pagesat për stafin mbështetës në objektin e Rezidencës.
“Me qëllim që të vazhdohen edhe më tutje pagesat për stafin në rezidencën ‘Ibrahim Rugova’ , të cilët tash e disa vjet punojnë si staf mbështetës në këtë objekt, kërkoj nga Qeveria e Republikës së Kosovës që edhe më tutje ta miratojë këtë ndarje përmes këtij vendimi, të cilin e kemi paraparë për këtë mbledhje të Qeverisë”, ka thënë Gashi.
E fill pas kësaj, kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj e ka kaluar vendimin, pasi ka konstatuar se nuk ka asnjë votë kundër. Njoftimi për ndarjen e këtyre mjeteve është afishuar edhe në faqen e Kryeministrisë bashkë me shumën e ndarë.
“Për nevojat e pagesës së dymbëdhjetë punonjësve të angazhuar në rezidencën ‘Ibrahim Rugova’ për vitin 2020, Qeveria ka ndarë mjetet në vlerë 57.944 (pesëdhjetë e shtatë mijë e nëntëqind e katërdhjetë e katër) euro”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë për mbledhjen e 117-të të saj.
Të angazhuar me kontrata për shërbime të veçanta, në Rezidencën në lagjen “Velania” të Prishtinës shtatë persona punojnë si roja, dy si mirëmbajtës, po aq si ciceronë dhe një është në pozitën e zyrtarit për protokoll.