Haxhiu-PDK-së: Zgjedhja e Glaukut në pozitën e Kryetarit të Kuvendit, ia ka kthyer dinjitetin Kuvendit

Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pas deklaratave të Partisë Demokratike të Kosovës, e cila gjatë ditës së sotme është shprehur se Kryeparlamentari Konjufca duhet t’i tregojë lidhjet familjare me të dënuarin Sadri Ramabaja.

Përpos kësaj, nga PDK-ja u tha se Kuvendi i Kosovës ka marrë një karakter parapolitik me ardhjen e Glauk Konjufcës në krye të tij.

PDK-ja në këtë reagim të tyre e quajti Glauk Konjufcën edhe si ideolog i organizatës terroriste “Syri i Popullit”, ndërsa në anën tjetër, Albulena Haxhiu nga LVV-ja, këto komente të PDK-së i quajti si përpjekje të dështuara me qëllimin e vetëm njollosjen e figurës së Glauk Konjufcës.

Reklama e sponzorizuar

Ajo tutje ka rikujtuar edhe akuzat e nmëhershme të PDK-së për Konjufcën, duke thënë se “Dikur shpifnin se ka qenë në “SHIK” e tash shpifin se ka lidhje me organizatën “Syri i Popullit”.

Haxhiu përmes këtij statusi në rrjetin e saj social Facebook, ka shkruar gjithashtu se për ta ndalur këtë abuzim, Gjykata duhet ta trajtojë sa më shpejt padinë për shpifje për rastin e parë, si dhe ka kërkuar nga Prokuroria që ta trajtojë sa më parë kallëzimin penal kundrejt Thaçit dhe Veselit për deklaratat e rreme nën betim të penalizuar në Kodin Penal.

Në fund ajo tha se zgjedhja e Glaukut në pozitën e Kryetarit të Kuvendit, ia ka kthyer dinjitetin Kuvendit, dhe se PDK-ja duhet të mësohet me këtë ndryshim pozitiv.

Më poshtë edhe statusi i plotë i Albulena Haxhiut:

“Sa përpjekjet e dështuara me qëllim të njollosjes së figurës së Glauk Konjufcës!

Dikur shpifnin se ka qenë në “SHIK” e tash shpifin se ka lidhje me organizatën “Syri i Popullit”.

Për ta ndalur këtë abuzim, Gjykata duhet sa më parë të trajtoj padinë për shpifje për rastin e parë ndërsa prokuroria sa më parë të trajtoj kallëzimin penal kundrejt Thaçit e Veselit për deklaratat e rreme nën betim të penalizuar në Kodin Penal.

Zgjedhja e Glaukut në pozitën e Kryetarit të Kuvendit, ia ka kthyer dinjitetin Kuvendit.
PDK duhet të mësohet me këtë ndryshim pozitiv.” /Buletini Ekonomik/