Viti 2020 e gjen Kosovën pa qeveri dhe pa marrëveshje për koalicion. Ndërkohë që sfidat që e presin vendin janë tepër të mëdha. Kosova tashmë nuk ka as buxhet të miratuar për këtë vit. Kurse, liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës është premtuar disa herë nga udhëheqësit politik kosovar. Kjo akoma nuk ka ndodhur…
Kanë kaluar gati tre muaj që nga mbajtja e zgjedhjeve në Kosovë dhe krijimi i qeverisë së re nuk duket së është afër. Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës nuk po mund të merren vesh për forminin e qeverisë.
Albin Kurti si fituesi i zgjedhjeve ende nuk është mandatuar si kryeministër i vendit nga Presidenti Hashim Thaci. Ai deri tani i ka refuzuar tri ftesa të Presidentit.
Tre herë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e ftoi liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurti, që të diskutojë dhe ta mandatojë atë për krijimin e Qeverisë, por ky i fundit nuk po i shkon në takim, për faktin që siç thonë analistët Kurti akoma nuk ka arritur ta sigurojë shumicën e nevojshme të deputetëve për ta formuar qeverinë.
Presidenti ia bëri me datën 30 dhjetor ftesën e fundit liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurti. Por Kurti në përgjigjen zyrtare i tha presidentit se ata “mund të takohen me datën 06 janar të vitit të ardhshëm”.
Me këtë u konfirmua së viti 2020 Kosovën e gjen pa qeveri edhe pse javë më parë Kuvendi i Kosovës u konstituua ku u zgjodh kryetari dhe kryesia e Kuvendit.
Në bazë të Kushtetutës së Kosovës, “Presidenti i Republikës i propozon Kuvendit kandidatin për kryeministër, në konsultim me partinë politike që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend”, në këtë rast Vetëvendosjen.
Kosova në gjysmën e dytë të vitit 2019 ishte pa institucione funksionale, që nga dorëheqja Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit, pasiqë ky i fundit u ftua për intervistim si i dyshuar nga Gjykata Speciale për Krime Lufte.
Shtet pa buxhet
Situata e krijuar pas zgjedhjeve me zvarritjen e formimit të institucioneve të vendit Kosovën e ka lënë pa buxhet të miratuar për vitin 2020.
E nëse buxheti nuk miratohet deri në muajin mars të vitit të ardhshëm, atëherë Kosova rrezikon të përballet me kaos ekonomik e politik.
Buxheti i Kosovës për vitin 2020, sipas kornizës afatmesme, parashihet të jetë rreth 2.4 miliardë euro apo një milion euro më shumë sesa buxheti i këtij viti.
Jo më vonë se më 31 tetor, Ministria e Financave e ka për detyrë që ta përgatisë propozimin me ndarjet buxhetore për secilën organizatë buxhetore dhe Qeveria aprovon atë.
Pas këtij veprimi, Qeveria miraton buxhetin e propozuar dhe e dërgon atë në Kuvend. Ndërsa, afati i fundit sipas kohës së rregullt kur Kuvendi miraton buxhetin e Kosovës është 31 dhjetori.
Ligji për ndarjet buxhetore i vitit të kaluar fiskal, në asnjë rast, nuk mund të vazhdojë të zbatohet për më shumë se tre muaj të vitit të ardhshëm fiskal.
Në Ministrinë e Financave, kanë treguar se pagesat nga kjo ministri pavarësisht a miratohet apo jo buxheti mund të kryhen deri në muajin mars të vitit të ardhshëm.
“Deri në muajin mars, gjithmonë duke u bazuar në një të dymbëdhjetën e vitit paraparë”.
Por në këtë institucion tregojnë se problemet fillojnë pas muajit shkurt, nëse deri atëherë nuk konstituohet Kuvendi i ri i Kosovës.
“Nëse konstituohet Kuvendi, atëherë mundet që me një vendim edhe muaji mars të mbulohet me shpenzime buxhetore, por sfidat dhe problemet do të paraqiteshin në muajin prill, pasi që (në atë muaj) më asnjë pagesë e brendshme nuk do të mund të bëhet përveç borxhit ndërkombëtar që e kemi”.
Ligji për ndarjet buxhetore i vitit të kaluar fiskal, në asnjë rast, nuk mund të vazhdojë të zbatohet për më gjatë se tre muaj të vitit të ardhshëm fiskal.
Kurse, drejtori i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), Arian Zeka se skenari me i keq në të cilin gjendet Kosova, dhe sipas tij, Qeveria nuk do të mund të implementojë projektet kapitale për vitin 2020.
“Nëse tashme ky është skenari i keq i mundshëm që qeveria e re nuk do të krijohet me kohë dhe Kuvendit nuk i dihet gjendja që të marrë një projektligj për buxhetin për vitin 2020 dhe të njëjtin ta aprovojë, do të ketë disa dispozita kalimtare që do të mundësojnë hyrjen në vitin e ri fiskal ose buxhetor me kufizime. Kjo do të thotë e kufizuar për sektorin privat meqenëse qeveria nuk do të mund të implementojë projektet e parapara kapitale për vitin 2020. Duke e ditur sa shumë është i varur sektorit privat nga aktiviteti dhe prokurorimi publik i institucioneve qeveritare. Kjo do t’i prek ata në aspektin e infuzionit të parasë së gatshme”.
Kosova edhe në vitin 2019 pati hyrë pa buxhetin e miratuar nga Kuvendi i Kosovës. Buxheti për vitin 2019 në vlerë prej 2.3 miliardë eurosh ishte miratuar në muajin shkurt.
Telenovala me viza vazhdon ende
Kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj ka qenë njëri ndër protagonistët kryesor të këtij viti, që tashmë është drejt fundit të mandatit të tij.
Që nga fillimi i vitit nuk i është ndarë urimeve për heqjen e vizave për kosovarët drejt Europës, gjë e cila nuk ka ndodhur dhe nuk ka edhe aq shpresë të ndodhë as gjatë 2020 pasi edhe disa kritere ju janë kërkuar qeverisë së re.
“Urime, urime Kosovë”, pati thënë Haradinaj një vit më parë, ku u pa shumë i entuziazmuar në këtë drejtim, por drita e gjelbër për lirinë e lëvizjes nuk ishte ndezur as atëherë e as tash, pas kaq e kaq premtimeve të tij të rreth kësaj pune.
Në janar të 2019 Haradinaj ka deklaruar se Kosova ka arritur progres substancial në agjendën europiane dhe se është e përkushtuar në përmbushjen e MSA’së dhe të gjitha kritereve për liberalizim të vizave.
Por premtimi i Haradinajt për vizat, nuk ka sosur as në maj kur ishte Kryeministër i Kosovës. Ai e ka parë pozitiv një shkrim të gazetës gjermane ‘Frankfurter Allgemeine Zeitung’ ku shkruhet rreth vendimit të Ministrit të Brendshëm të Gjermanisë për ta mbështetur heqjen e vizave për kosovarët.
Kështu, ai nuk ngurroi përsëri ta bëjë urimin e tij, thjesht dhe qartë.
“Urime Kosovë”, kishte shkruar Haradinaj në rrjetin social Facebook. Ndërkaq, nuk qe vetëm kjo, pak muaj më vonë i pari i Qeverisë e pa të arsyeshme të urojë edhe një herë qytetarët e Kosovës, të cilët mezi presin këtë lajm të jetë i vërtetë.
Edhe korriku qe frytdhënës për Haradinaj, i cili ia dha edhe një rend urime për liberalizimin e vizave.
Në nëntor kryeministri në largim, Ramush Haradinaj tha se vizat për shtetasit e Kosovës do të liberalizohen në muajin dhjetor.
Haradinaj i cili premtoi vizat disa herë, duke dhënë data e muaj, nuk ia qëlloi kurrë, por prapë po insiston se në dhjetor shtetasit mund të lëviznin pa viza.
“Në dhjetor pres vendimet formale të Këshillit të Ministrave dhe të vendeve lidere”, kishte thënë Haradinaj.
Kjo akoma nuk ka ndodhur, por sipas deputetit nga Bundestagu gjerman Peter Bayer që ishte 10 ditë më parë për vizitë në Kosovë, mund të ndodhë gjatë vitit 2020 ndonëse ai nuk preferon të japë data sikurse klasa politike e Kosovës.
Qytetarët e Kosovës ende janë duke i pritur vizat. /Monitor.al/