Kurti jep afatet për heqjen e taksës – pa koordinim me LDK-në

Kryeministri Albin Kurti ka paralajmëruar se javën e ardhshme do të merret vendimi zyrtar për heqjen e pjesshme të taksës, të vendosur ndaj produkteve serbe dhe atyre boshnjake.

Por në rast se pala serbe nuk i përfill kushtet e vëna nga Kosova pas heqjes së taksës, shefi i ekzekutivit ka paralajmëruar vënien e masave reciproke ndaj Serbisë. Ndonëse Kurti ka thënë se është koordinuar me LDK-në për këtë plan, zyrtarët e këtij subjekti kanë mohuar një gjë të tillë, shkruan sot gazeta Zëri.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar se javën e ardhshme Qeveria do të marrë vendim që prej datës 15 mars ta heqë pjesërisht tarifën ndaj mallrave serbe dhe atyre boshnjake. Me këtë rast Kurti ka ftuar Serbinë të zotohet se do ta ndërpresë fushatën për çnjohjen e pavarësisë së Kosovës.

Reklama e sponzorizuar

Nëse Serbia reflekton në këtë drejtim, siç ka bërë të ditur shefi i ekzekutivit, tarifa pastaj nga 1 prilli do të largohet në tërësi. Në konferencën e jashtëzakonshme, të mbajtur mbrëmjen e djeshme, Kurti ka kërkuar nga BE-ja që ta vlerësojë vendimin e Kosovës dhe të ofrojë heqjen e vizave para Samitit të Zagrebit.

Ndërkaq, në rast se Serbia nuk e pushon fushatën armiqësore në rrafshin ndërkombëtar dhe nuk fillon me heqjen e barrierave në marrëdhëniet me Kosovën, atëherë Qeveria e Kosovës nga data 1 prill do të fillojë implementimin gradual të reciprocitetit.

Kurse në rast se pala serbe nuk reflekton as pas një periudhe prej 90 ditësh nga vendimi fillestar për heqjen e pjesshme të tarifës, atëherë Qeveria e Kosovës nga 15 qershori do ta rikthejë taksën për importet nga Serbia, teksa do të vazhdojë implementimi i filluar më 1 prill i reciprocitetit.

Por ky plan i prezantuar nga Kurti nuk është mbështetur nga partneri qeverisës, LDK-ja. Zyrtarë të këtij subjekti kanë thënë se kryeministri ka prezantuar pikat për heqjen e taksës me kushte pa u koordinuar paraprakisht me Lidhjen Demokratike të Kosovës.