Ministri sqaron konkursin për drejtor të Doganës

Ministri i Financave dhe Transferëve, Besnik Bislimi, ka sqaruar shpalljen e konkursit për drejtor të Përgjithshëm të Doganës, pozitë në të cilën ish-kryeministri Ramush Haradinaj ia zgjati mandatin drejtorit Bahri Berisha. Bislimi thotë se vendimi për shpallje të konkursit nuk ka të bëjë përsonalisht me drejtorin dhe se e inkurajon atë të aplikojë.

Është shpallur konkursi për drejtor të Doganës pak javë pasi Haradinaj kishte vendosur t’ia zgjaste mandatin për tre vjet Bahri Berishës.

Ministri Bislimi shkruan se ka autorizuar hapjen e konkursit për pozitën e drejtorit të Doganës, e kësaj i ka paraprirë edhe vendimi i kryeministrit Albin Kurti për anulimin e vendimit të Haradinajt, të marrë më 24 janar të këtij viti.

Reklama e sponzorizuar

“Në përputhje me autorizimet e mia si Ministiër në Ministrinë e Financave dhe Transfereve, kam udhëzuar administratën e ministrisë që të shpallë konkursin për pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm të Doganës së Kosovës. Këtij vendimi i ka paraprirë një vendim tjetër i Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, i datës 7 shkurt, me të cilin është anuluar vendimi i ish kryeministrit në detyrë, i datës 24 janar, përmes të cilit i ishte vazhduar kontrata drejtorit ekzistues”, ka shkruar Bislimi, transmeton Gazeta Express.

Ministri thotë se kjo nuk ka të bëjë me drejtorin e tanishëm të Doganës dhe se për të ka respekt të vecantë. Madje, edhe e inkurajon Berishën që të aplikojë sërish për pozitën që e mban nga viti 2017.

“Këto dy vendime në asnjë rrethanë nuk e prejudikojnë performancën e drejtorit ekzistues. z. Bahri Berisha, për të cilin ruaj respekt të veçantë. Drejtorit aktual i ka skaduar mandati dhe procedurat kërkojnë hapje të konkursit, e në të cilin unë e inkurajoj fuqishëm që të aplikojë”, ka shkruar ministri i Financave.