Mos aplikimi në INTERPOL po shihet si gabim nga opozita

Ditë më parë ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka kërkuar tërheqjen e aplikimit në këtë vit për anëtarësimin e Kosovës në Interpol. Pasi që gjasat për anëtarësim për këtë vit janë të vogla, meqë Asambleja e Përgjithshme mbahet në Uruguai, vend që s’e ka njohur Pavarësinë e Kosovës.

Një vendim i tillë pritet të vendoset nga Qeveria e Kosovës gjatë ditëve në vazhdim.

Kjo tërheqje po vlerësohet si gabim i madh i qeverisë në kohën kur ekziston presioni për të rifilluar dialogu me Serbinë.

Reklama e sponzorizuar

Deputeti i Nismës Socialdemokrate, Haxhi Shala thotë se Qeveria duhet ta shfrytëzojë këtë moment për të ndaluar lobimin e Serbisë për mos njohje.

Shala theksoi se Kosova është e gatshme të jetë pjesë e organizatave ndërkombëtare. Siç tha ai se agresiviteti i institucioneve mund të ndikojë në mos anëtarësimin e Kosovës.

“Qeveria deklaroi se ka tërhequr aplikimin e Kosovës në Interpol që është një gabim jashtëzakonisht i madh i kësaj qeverie. Në kohën kur bëhet presion për heqjen e taksës për të hyrë në dialog me Serbinë, atëherë tërheq atë. Ta shfrytëzon këtë momenti politik që edhe ne të përfitojmë nga heqja e taksës.

“Institucionet e sigurisë janë të gatshme qysh moti të jenë pjesë anëtare e këtyre organizatave, si shumë institucione tjera të vendeve të zhvilluara. Kosova është e gatshme që të jetë pjesë e organizatave ndërkombëtare. Serbia asnjëherë nuk do ti ndal lobimet kundër Kosovës. Me një punë dhe përkushtim të madh të institucioneve, besoj që do të arrijmë që t’i përfitojmë miqët tanë dhe të kemi vota të mjaftueshme që të jemi pjesë e organizatave. Mos puna e jonë dhe agresiviteti mund të na dërgojë në mos anëtarësim”, thotë Shala, për Ekonomia Online.

Kurse nga pozita thonë se do të punojnë me një dinamikë të shtuar që Kosova së shpejti të bëhet pjesë e familjes evropiane dhe organizatave ndërkombëtare.

Kryetari i komisionit për Integrim Evropian, Armend Zemaj, potencoi se me një qeverisje të mirë do të lehtësohet puna e Komisionit dhe Këshillit të BE-së.

“Komisioni ka filluar punën dhe ne do të angazhohemi që dinamika e raportit Kosovë-BE të jetë me e shtuar në raport korrekt në kërkesat e dyanshme dhe të përmbushim që Kosova të jetë pjesë e familjes evropiane. Nga Qeveria e Kosovës presim planin legjislativ rreth integrimit në BE dhe do të shohim se si do të evoluojmë në këtë drejtim”.

“Me një qasje dhe një shpresë për një qeverisje të mirë do të lehtësohet puna e komisionit që të ketë raport korrekt dhe parësor me komisionin evropian dhe këshillin e BE-së. Do të punojmë me një dinamikë të shtuar sepse qeverisja e mirë rezulton me suksese atëherë marrja e statusit dhe përmbushjet e marra nga BE do të jetë më i lehtë dhe me i qasshëm”, thotw ai.

Ndërsa, Hajrulla Çeku, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, thotë se kostoja e dështimit në anëtarësim mund të jetë e dyfishtë. Andaj thotë se do të veprojnë në mënyrë të duhur.

Sipas tij, një aplikim i ngutshëm do të jetë refuzim i sërishëm.

“Para disa ditësh ka qenë vetë ministri i Jashtëm i Kosovës që ka deklaruar që në Interpol duhet të presim edhe pak para se të paraqesim aplikim për anëtarësim sepse një herë kemi dështuar dhe kostoja e dështimit të dyfishtë mund të jetë shumë e madhe dhe këto janë veprime të mençura dhe të duhura”.

“Nuk është ideja vetëm të bëjmë ofanziv dhe të dërgojmë aplikacione por ta studiojmë mirë secilin rast veç e veç dhe aty ku kemi mundësi më të mira të konkurrojmë në këto mekanizma. Më shqetësuese për mu do të ishte aplikimi i ngutshëm dhe refuzimi i sërishëm”, u shpreh Çeku.

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca ka deklaruar se aplikimi do të bëhet në vitin 2021 kur Asambleja e Përgjithshme do të mbahet në Turqi, derisa pritet të miratohet nga Qeveria e Kosovës