Ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca ka raportuar para Komisionit për Punë të Jashtme edhe rreth kërkesave të kohëmëparshme të tij për tërheqje të shtatë ambasadorëve, si dhe shkarkimin e 14 konsujve të Kosovës në vende të ndryshme të botës.
“Në MPJ ka pasur shumë emërime të paligjshme, shumë kryerje të funksioneve jashtë ligjit. Çka është më e rëndësishmja është marrja e dy vendimeve: Atij për anulimin e vendimit të emërimit të konsujve si dhe vendimit të dytë lidhur me gjashtë ambasadorë dhe një konsull, ku thotë se nuk parashihet një mandat i dytë i të zgjedhurve politikë”, ka thënë Konjufca.
Ai ka shtuar se kanë qenë shtatë raste dhe “jam detyruar që të marr vendim për dy arsye: E para për të vendosur një ligjshmëri brenda MPJ-së dhe ky angazhim i imi nuk përfundon me këto dy vendime. Këto janë vendime të para dhe do të ketë edhe tjera. Kam filluar me ato që kanë qenë më brutale dhe eksplicite. E dyta: Ju duhet ta kuptoni se në bazë të resurseve që i kemi në MPJ, tash për tash ndodhemi në një gjendje kur 70 përqind e shefave të misioneve diplomatike janë politikë e 30 përqind janë të karrierës. Kjo për neve është problematike si përqindje. Aktualisht situata është jashtë ligjit. Këto vendimet që këto unë i kam marrë i kontribuojnë qëllimit që ta balancojmë raportin e emërimeve politike dhe atyre profesionale të karrierës”.