Gjashtë pacientë të prekur me COVID-19 do të lirohen sot, pasi janë shëruar plotësisht, ka bërë të ditur Klinika Infektive përmes një njoftimi në Facebook.
Sipas raportit të dr. Sadije Namani, shefe e Klinikës Infektive, në këtë repart janë të shtruar 58 pacientë, e 48 prej tyre janë pozitivë në COVID-19.
“Gjendja e pacientëve të sëmurë me COVID-19 është si vijon: 35 raste janë në gjendje stabile, 12 raste janë në trajtim me oksigjeno-terapi dhe përkujdesje intensive. Në mjekimin intensiv ndodhet një pacient, i cili është në gjendje kritike, në ventilim mekanik dhe përkujdesje intensive”, thuhet në njoftim.
Deri më tash, në Kosovë janë shënuar 630 raste, 18 kanë vdekur, kurse 144 janë shëruar, përfshirë edhe 6 të sotshëm.