Rekord rastesh të reja në Shqipëri, sot 44 të prekur me koronavirus e një i vdekur

Një person ka humbur jetën si pasojë e COVID-19, duke e çuar në 35 numrin e të vdekurve nga pandemia në Shqipëri.

Ministria e Shëndetësisë, në komunikimin e përditshëm tha së në 24 orët e fundit janë testuar 291 raste të dyshuara, prej të cilëve 44 kanë rezultuar pozitivë.

“Mëngjesin e sotëm ka ndërruar jetë në spitalin infektiv një pacient 59-vjeçar nga Lushnja, i shtruar prej 6 ditësh në terapi intensive, i konfirmuar me Covid-19. Pacienti vuante nga sëmundje shoqëruese. Pas asistencës së madhe të stafit mjekësor në terapi intensive, 59 vjeçari nuk ka mundur të mbijetojë”, tha drejtorja e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, Mirela Cami.

Reklama e sponzorizuar

Në tre ditët e fundit, vendi po shënon shifra rekord të të prekurve që nga përhapja e koronavirusit. Këto shifra u ngritën pas heqjes në tërësi të masave të izolimit dhe karantinimit të detyrueshëm të qytetarëve.

Cami bëri të ditur se rastet e reja janë konfirmuar 22 në Tiranë, 6 në Krujë, nga 4 raste në Durrës, Kamëz dhe Shkodër, 2 raste në Lushnjë, 1 rast në Elbasan dhe 1 në Vlorë.

Përgjatë orëve të fundit raportohet një numër i shtuar qytetarësh të cilët janë shtruar në Spitalin Infektiv, raporton REL.

Aktualisht po marrin shërbim 52 pacientë, ndërsa 8 prej të shtruarve janë në terapi intensive.

Ministria e Shëndetësisë njoftoi se gjatë orëve të fundit numrit të personave të shëruar i janë shtuar edhe 21 qytetarë të tjerë, duke e çuar në total numrin e të shëruarve mbi 1 mijë.

Në të gjithë Shqipërinë numërohen 349 persona aktivë me Covid-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë ku ka transmetime të kontakteve direkte me të prekurit me sëmundjen vdekjeprurëse.