Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, ka pritur në takim përfaqësuesit e odave ekonomike, ku është diskutuar për themelimin e Gjykatës Komerciale.
Selimi ka biseduar po ashtu edhe për rimëkëmbjen ekonomike gjatë dhe pas pandemisë COVID-19.
Ai ka thënë se Ministria e Drejtësisë së bashku me SHBA-në, ka ndërmarrë iniciativë për të finalizuar ligjin për Gjykatën Komerciale, që sipas tij do të trajtojë çështjet e kontesteve komerciale.
“Çështja e Gjykatës Komerciale ka dal nga Rishikimi Funksional i Sektorit të Sundimit të Ligjit dhe është parë si shumë e nevojshme për t’iu qasur në mënyrë më serioze kontesteve komerciale, pra kontesteve në ekonomi. Artikulimi në një shtyllë i çështjeve komerciale i zgjidhë ato me ekspertizë, ulë riskun e të bërit biznes, riskun e kontesteve, riskun e fitimit sepse mbrohet me një gjykatë e cila merret ekskluzivisht me këtë çështje”, deklaroi ministri Selimi.
Ai ka shtuar se themelimi i Gjykatës Komerciale fuqizon sistemin e drejtësisë sepse duke zgjidhur kontestet në ekonomi, vendi ynë ofron siguri për çdo biznes dhe investitor në Kosovë.
“Përfitim kryesor i themelimit të Gjykatës është se të gjitha kontestet ndërmjet bizneseve, por edhe të gjithë afaristët do të kenë një adresë. Kërkesë të veçantë kam pasur që të ekzistojë një panel i veçantë për investime direkte të huaja, në mënyrë që kjo të ofrojë siguri për investitorët e jashtëm”, tha ministri Selimi.
Edhe nga përfaqësuesit e odave ekonomike është vlerësuar shumë e rëndësishme themelimi sa më i shpejtë i Gjykatës Komerciale.
Ndërsa përfaqësuesit e Odave, falënderuan ministrin Selimi për bashkëpunim, duke vlerësuar të rëndësishëm themelimin sa më të shpejtë të Gjykatës Komerciale.