Prokuroria ngrit aktakuzë ndaj një personi për shkatërrim të mjedisit në Kamenicë

Prokuroria Themelore në Gjilan ka ngritur aktakuzë ndaj një personi për shkatërrim të mjedisit, pasi në mënyrë të kundërligjshme kishte nxjerr zhavorr në fshatin Domorovc të komunës së Kamenicës.

I akuzuari R. V. nuk kishte leje për operim që lëshohet nga Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM).

“Aktakuza është ngritur ndaj të pandehurit R. V., pasi që i njëjti më 13 qershor 2020, në fshatin Domorovc, komuna e Kamenicës, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, në kundërshtim me nenin 80 të Ligjit Nr.03/L-163 për Minierat dhe Mineralet si dhe Ligjit Nr. 04/L-158 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 03/L-163 për Miniera dhe Minerale, ka ushtruar aktivitet të jashtëligjshëm, duke shfrytëzuar resurset minerale të rërës dhe zhavorrit, në sasinë prej 1.758.84 m3, pa u pajisur me leje për aktivitet të veçantë me seperacion, nga organi kompetent i KPMM-së. Gjithashtu, i pandehuri duke përdorur forcën mekanike, me qëllim të shfrytëzimit të resurseve minerale, në kundërshtim me rregullat dhe pajisjet të cilat shërbejnë për mbrojtjen nga rreziqet e tilla, ka krijuar, ndotje, degradim ose shkatërrim të mjedisit”, thuhet në aktakuzën e prokurorisë, raporton KOHA.

Reklama e sponzorizuar