Midis përplasjeve për mungesat e pritshme, Bashkimi Evropian është duke i shqyrtuar shtigjet ligjore për ta garantuar furnizimin me të gjitha dozat e blera të vaksinave anti-COVID-19 nga “AstraZeneca” dhe prodhuesit e tjerë, teksa rregullatorët janë duke e shqyrtuar aprovimin e kurës së kompanisë anglo-suedeze për përdorim në bllokun 27-anëtarësh.
Agjencia Evropiane e Ilaçeve pritet që ta autorizojë të premten përdorimin e vaksinës së “AstraZenecas” të zhvilluar bashkë me Universitetin e Oxfordit. Kjo do të ishte kura e tretë e miratuar në BE, pas atyre të “Pfizer”-“BioNTechut” dhe “Modernas”.
Megjithëkëtë, zyrtarët në Bruksel kanë vazhduar përplasjet me “AstraZenecan”, pasi që kompania farmaceutike ka njoftuar se do të dërgojë furnizime më të pakta sesa pritej për vendet e BE-së. Komisioni Ekzekutiv i bllokut u ka kërkuar autoriteteve belge që ta inspektojnë një fabrikë në Belgjikë, që është pjesë e zinxhirit prodhues të “AstraZenecas”.
Duke i thelluar edhe më shumë paqartësitë, draftrekomandimi i një Komiteti gjerman të ekspertëve ka bërë thirrje që vaksina e kësaj kompanie t’u jepet aktualisht vetëm personave të moshës nën 65-vjeçare. Rekomandimi ka bërë të ditur se “aktualisht nuk ekzistojnë të dhëna të mjaftueshme për të vlerësuar efikasitetin e vaksinimit tek personat mbi 65 vjeç”.
Përplasja ka vënë autoritetet evropiane përballë presionit të shtuar, pas nisjes së ngadaltë të fushatës së vaksinimit.
Në përgjigjen ndaj letrës, adresuar prej katër liderëve të qeverive evropiane, kryetari i Këshillit Evropian, Charles Michel, ka thënë të enjten se BE-ja “duhet t’i shqyrtojë të gjitha opsionet dhe t’i ndërmarrë të gjitha masat ligjore dhe të zbatimit të ligjit që i ka në dispozicion”, po qe se negociatat me kompaninë e ilaçeve nuk rezultojnë të kënaqshme.
Michel ka paralajmëruar se BE-ja mund ta aktivizojë nenin e njërës prej traktateve të saja, që ua lejon vendeve anëtare ndërmarrjen e masave “në rast se shfaqen vështirësi serioze në furnizimin e ndonjë produkti të caktuar”. Ai ka shkruar se përdorimi i Nenit 122 “do t’u ofronte BE-së dhe vendeve anëtare mjete të nevojshme ligjore, me anë të adoptimit të masave të duhura urgjente, për sigurimin e prodhimit efikas dhe distribuimin e vaksinave për popullsinë”.
“Besoj se kjo zgjidhje do ta demonstrojë fuqinë e BE-së dhe vendosmërinë e saj në mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve të saj përtej çdo konsiderate tjetër”, ka shkruar Michel.
Komisioni Evropian planifikon gjithashtu të zbatojë rregulla të reja për ashpërsimin e kontrollit në eksportimin e vaksinave, në mënyrë që të sigurojë që dozat e blera t’u arrijnë banorëve të bllokut.
Duke aluduar në rekomandimin gjerman për vaksinën, “AstraZeneca” ka bërë të ditur se “analizat më të fundit të të dhënave nga testet klinike të vaksinës e mbështesin efikasitetin e saj tek grupmoshat mbi 65-vjeçare”.