“Këto para, me siguri Policia do të hetojë në detaje, por sipas dyshimeve tona si Federatë Sindikale, janë para që vijnë nga mitmarrje. Mund të pyesni pse paratë nuk kanë shkuar diku tjetër, në xhirollogari bankare. Këso raste kemi të shumta. Çuarja e parave nëpër banka, në shumë të tillë, pasi duhet dhënë llogari. Nuk ka pasur rrugë tjetër përveç të fshihen nëpër skuta të oborreve apo shtëpive. Besojmë se këto para janë të mitëmarrjes, përkundër të deklaratave të një personi se janë të biznesit të tij. E dimë pikërisht se kemi pasur informata të shumta se ju ka thënë njerëzve, ju ka lyp deri 30 për qind e shumës së grantit. Nëse një projekt ka qenë 100 mijë euro, ai ka marrë 30 mijë euro mito”, ka thënë Tahiri në Interaktiv të KTV-së.
Tahiri ka treguar se si fermerët nuk kanë mundur të marrin subvencion pa paguar mito, me përjashtim të militantëve partiakë apo njerëzve të afërt me zyrtarë qeveritarë.
“Nuk kanë mundur të marrin grante, përveç atyre militantëve partiakë apo njerëzve të afërt me zyrtarë qeveritarë. Ata kanë marrë për çdo vjet grante, ndërsa me rregulla në Ministrinë e Bujqësisë, thuhet se një person që merr grant, për tri-katër vjet nuk mund të aplikojë më. Dimë raste që ka pasur njerëz që kanë marrë grant çdo vit. Ata vetvetiu kanë shpërblyer më pas zyrtarët e Ministrisë së Bujqësisë. Ka fare pak apo mos të them hiq të rasteve kur nuk kanë plotësuar kushtet. Fermeri që aplikon për grant, i di kriteret, ai e paguan njeriun për t’ia bërë projektin, paguan deri 3000-4000 euro. Pjesa dërrmuese i kanë plotësuar kriteret, por i është refuzuar se nuk kanë paguar mito. Përderisa arsyetimet e Ministrisë së Bujqësisë kanë qenë se nuk i plotëson kushtet apo i mungon një dokument”, ka thënë Tahiri. “Ia kanë tërheq qëllimisht dokumentin dhe e kanë njoftuar se mungon pasi ka përfunduar afati për aplikim. Ia kanë bërë atyre që nuk kanë guxu me i marrë mito apo atyre që nuk kanë dhënë mito. Në fund është thënë se ankohesh kot se nuk i ke plotësuar kriteret”, ka thënë Tahiri.
Tahiri: Ministria e Bujqësisë nuk bashkëpunoi me ne, nuk guxoi të merrte masa ndaj keqpërdoruesve
Jo vetëm të saj, Tahiri thotë se mbështetje nuk kanë gjetur as tek organet më të larta të drejtësisë në Kosovë.
“Kur kemi pa se nuk ka masa nga ministria, jemi orientuar tek gjyqi, kemi bërë aktpadi në 2010. Lënda ka shkuar tek Prokurori i Shteti dhe deri më sot ajo qëndron në sirtarët e asaj prokurorie. Pastaj kemi përdorur metodën tjetër, kemi shkuar në polici për rastet e krimeve ekonomike dhe ata fermerë që kanë qenë të guximshëm kemi shkuar në polici dhe kemi kërkuar të fillojnë hetimet për rastet e tilla. Edhe aty kemi hasur në keqkuptim ose nuk kanë dashur t’i marrin parasysh ankesat tona”, ka thënë ai.
Përkundër se publikisht sindikata doli për të treguar keqpërdorimet e tilla, nga ministria nuk u morën parasysh. Bashkëpunimi sipas tij u ndërpre për shkak të fuqisë që kishin zyrtarët brenda atij dikasteri.
“Nuk na kanë ofruar bashkëpunim sepse është dashtë të marrin masa kundër keqpërdoruesve që ne i kemi identifikuar me emër dhe mbiemër. Për shkak të fuqisë të zyrtarëve të tyre, ndoshta që kanë qenë më të fuqishëm se vetë ministri i Bujqësisë, për mungesë të guximit për të marrë masa ndaj atyre njerëzve, më lehtë ka qenë të na refuzojnë ne”, tha ai.
Tahiri: Kemi ditur dhjetëra raste të keqpërdorimit me subvencionet e bujqve
Në Interaktiv thotë se informacionet që kanë pasur mbi këto keqpërdorime, nuk janë pritur me bashkëpunim me zyrtarë të Ministrisë së Bujqësisë.
“Me dhjetëra raste të ngjashme e kemi ditë se po ndodhin, i kemi vërejtur në terren, kemi marrë informata nga sindikalistët dhe bujqve. Për këto informacione kemi kërkuar bashkëpunim me ministrinë dhe t’i pranojnë e të merren masa kundër njerëzve që i kanë keqpërdorur mjetet. Nuk kemi hasë në mirëkuptim”, tha ai.
Aksionin e sotëm të policisë ku u arrestuan 10 zyrtarë shtetërore e dy civilë me dyshimin për ryshfet në subvencione bujqësore, kjo sindikatë e ka mirëpritur.
“Për ne është i mirëseardhur aksioni i policisë. Ne i kemi kontribuar me ngritjen e zërit për keqpërdorimet që janë bërë në Ministrinë e Bujqësisë. Ishte momenti i fundit që të filloj lufta kundër korrupsionit, e kemi kërkuar gjatë”, tha Tahiri.