Kuvendarët e Fushë-Kosovës për herë të tretë me radhë i kanë miratuar taksat administrative për lëshimin e lejeve për ndërtim, lejeve për rrënim dhe tarifat për rregullimin e infrastrukturës për vitin 2021. Dy herët e tjera Komunës i janë kthyer mbrapshtë këto taksa nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit, pasi që jo gjithçka ka qenë në përputhje ligjore.
KOHA ka kërkuar përgjigje nga zyrtarët e Fushë-Kosovës që nga dita e hënë, por ato kanë munguar edhe gjatë ditës së martë. Në anën tjetër, zyrtarët e partive opozitare, megjithëse nuk kanë folur zyrtarisht, ata kanë treguar se edhe tash nuk ka ndonjë dallim të madh të këtij propozimi për këto taksa.
“Herën e parë iu kanë referuar gabim një ligji, herën e dytë pothuaj ka qenë arsyeja e ngjashme. E herën e tretë duhet njëfarë plani ma ia bashkëngjit rregullores e këta e kanë sjell ndaras dhe për këtë e kanë kthye edhe njëherë. Veç taksa e rrënimit më duket se ka ndryshuar nga ato që kanë qenë në fuqi më herët. Edhe zona e parë, zona e dytë ka një ndryshim shumë të vogël”, ka thënë një zyrtar nga opozita në këtë komunë.
Në shkresën e Drejtorisë për Planifikim Urban i kërkohet Kuvendit Komunal që t’i miratojë taksat për kategorinë e parë/kosto për metër katror 1.55 euro, taksa për kategorinë e dytë/kosto për metër katror 241.87 euro, taksa për rritjen e densitetit të infrastrukturës për kokë banori 4.84 euro për metër katror, taksa për leje rrënim/kosto për metër katror 0.95 euro.
“Llogaria është kryer në bazë të Udhëzimit Administrativ nr. 02/18 të datës 29.05.2018, në përputhje me Ligjin nr. 04/L-110, neni 22, paragrafi 2 dhe Ligji mbi financat e pushtetit lokal nr. 05/L-108, neni 3 dhe 14, për shqyrtimin e versionit të propozuar të tabelës së shpenzimeve në Komunën e Fushë-Kosovës për ndërtimet e kategorisë së parë dhe të dytë të objekteve si dhe taksa për leje rrënimi për objektet e kategorisë së parë dhe të dytë”, thuhet në kërkesën e Drejtorisë për Planifikim Urban.
“Sipas Udhëzimit Administrativ nr. 02/18 të datës 29.05.2018, ka mundësi që tarifën për rritjen e densitetit të infrastrukturës për kategorinë e parë të mos aplikohet gjatë këtij viti. Lirimi nga pagesat do të bazohet sipas UA nr. 02/2018, përkatësisht nenit 18. Kërkojmë nga Kuvendi Komunal që për ë gjitha objektet që financohen nga institucionet shtetërore të lirohen nga taksa për leje ndërtimore”.
Edhe në shkresën e MEA-së të protokolluar më 24.11.2020 për shqyrtimin e kërkesës nga Komuna e Fushë-Kosovës për taksa për leje ndërtimore për vitin 2021 me numër protokolli 4639/20 të datës 19.10.2020, thuhet se bazuar në shkresën e datës 19.10.2020 me numër protokolli 4639/20, lidhur me caktimin e taksës administrative për leje ndërtimore, taksës administrative për leje rrënimi dhe tarifës për rritjen e densitetit të infrastrukturës nga Komuna e Fushë-Kosovës, MEA ka shqyrtuar dhe analizuar shkresën së bashku me dokumentacionin përcjellës.
“Komuna ka propozuar taksa në pajtim me Ligjin nr. 04/L-110 për ndërtim dhe Udhëzimin Administrativ nr. 02/2018 për taksa administrative për leje ndërtimore, leje rrënimi dhe tarifa për rregullimin e infrastrukturës. Taksa administrative për leje ndërtimore për kategorinë e parë e llogaritur nga Komuna është 1.55 euro për metër katror; Taksa administrative për leje ndërtimore për kategorinë e dytë e llogaritur nga komuna është 2.10 euro për metër katror; Taksa administrative për leje rrënimi e llogaritur nga Komuna për kategorinë e parë dhe të dytë është 0.95 euro për ketër katror”, thuhet në shkresën për shqyrtim të ligjshmërisë nga MEA.
“Tarifa për rritjen e densitetit të infrastrukturës është llogaritur konform shtojcës 7 të UA nr. 02/2018 dhe kjo tarifë duhet të llogaritet vetëm për njësitë e reja të banimi. Komuna duhet të procedojë për aprovim taksat për pajtim me procedurat e parapara me Ligjin për ndërtim nr. 04/L-1010”.