Për tre muaj janë pranuar 21.1 milionë euro kredi nga FKGK-ja

Menaxheri i lartë i Riskut në Fondin Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK), Alban Kastrati, ka thënë se Fondi Garantues është shumë aktiv lidhur me zbatimin e Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike. Sipas tij, pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike në dhjetor të vitit 2020, Fondi Garantues ka mundësuar shfrytëzimin e dritareve garantuese në kuadër të Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike.

“Nga janari 2021 deri më tani në gjithë dritaret brenda kësaj pakoje janë pranuar rreth 12.1 milionë euro kredi (apo 8.9 milionë euro garanci) të lëshuara nga IFP-ja, të shpërndara në 236 kredi apo 191 NVM”, ka thënë Kastrati në intervistën dhënë gazetës “Epoka e re”. Në rast të ndonjë mbyllje të sërishme, ai ka thënë se FKGK-ja është e përgatitur për t’u përballur me sfidat që mund të paraqiten.

Z. Kastrati, çfarë roli ka luajtur Fondi Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK) në kohën e pandemisë sa i përket stabilitetit financiar?

Reklama e sponzorizuar

Kastrati: Përpos problemeve të tjera, shpërthimi i pandemisë Covid-19 ka pasur pasoja të mëdha ekonomike duke ndikuar që shumë ndërmarrje të përballen me probleme të likuiditetit, me tkurrjen e aktivitetit ekonomik apo edhe me mbylljen e bizneseve. Për ta zvogëluar impaktin e kësaj tronditje ekonomike në Kosovë, rol të rëndësishëm ka pasur vazhdimësia e qasjes në financa edhe për ato biznese që janë ndikuar nga pandemia Covid-19. Skema garantuese e ofruar nga Fondi Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK) ka qenë një nga instrumentet kryesore në lehtësimin e qasjes në financa për Ndërmarrjet Mikro, të Vogla dhe të Mesme (NMVM) në Kosovë. Në përputhje me Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike, Fondi Garantues ka rritur mbulueshmërinë me garanci kreditore deri në 80 për qind të vlerës së kredisë, për sektorët që janë afektuar nga pandemia si dhe për sektorët që kanë karakter zhvillimor. Përmes garantimit deri në 80 për qind, Fondi Garantues merr pjesën më të madhe të rrezikut kreditor e cila ndikon pozitivisht në vazhdimin e kreditimit me kushte të përmirësuara nga Institucionet Financiare Partnere (IFP) dhe rrjedhimisht në ruajtjen e stabilitetit financiar.

Sa është mbështetur sektori privat, konkretisht garantimi kreditor për NVM-të?

Kastrati: Roli dhe rëndësia e Fondit Garantues është rritur nga themelimi e që është reflektuar edhe në rritjen e aktivitetit garantues përgjatë viteve. Si rezultat i veprimtarisë së Fondit Garantues, nga themelimi deri tani, janë të garantuara rreth 256 milionë euro kredi të lëshuara nga IFP, të shpërndara në pothuajse 6 700 kredi apo rreth 5 530 NVM. Meqenëse një pjesë e portofolit kreditor është amortizuar, për momentin bilanci kreditor është 133 milionë euro, përderisa pjesa e garantuar është rreth 67 milionë euro.

Cili sektor ka përfituar më së shumti nga FKGK-ja?

Kastrati: Shpërndarja e portofolit të Fondit Garantues nëpër sektorë të ndryshëm, në përgjithësi, pasqyron ekonominë e vendit. Sektori më dominues në portofolin e kredive të garantuara deri më tani është ai i tregtisë me pjesëmarrje deri 39 për qind, i pasuar nga sektori i shërbimeve me rreth 25 për qind, prodhimtarisë me 18 për qind, bujqësisë me 7 për qind dhe ndërtimtarisë me 10 për qind. Sidoqoftë, në përbërjen e portofolit të garancive të Fondit Garantues, për dallim nga portofoli e gjithëmbarshme në nivel të sektorit bankar, vërehet pjesëmarrje më e lartë e sektorit të bujqësisë (7,2 për qind pjesëmarrja në Fondin Garantues, në raport me rreth 4 për qind në nivel të sektorit bankar) si dhe prodhimtarisë (18 për qind pjesëmarrja në Fondin Garantues, në raport me 13 për qind në nivel të sektorit bankar). Stimulimi i sektorëve që krijojnë vlerë të shtuar për ekonominë, është një nga objektivat e Fondit Garantues dhe për këtë qëllim Fondi në koordinim me Qeverinë e Kosovës i ka dhënë rëndësi mbështetjes së sektorëve strategjikë.

Në rast të ndonjë mbyllje të sërishme, sa ka kapacitete FKGK-ja t’u dalë ballë garantimit të kredive për NVM-të?

Kastrati: Fondi Garantues i kushton kujdes të veçantë që zotimet që merr përsipër përmes garantimit të kredive, të jenë brenda kapacitetit të rrezikut që mund të bartë Fondi Garantues. Meqenëse Fondi Garantues operon në nivel të portofolit, metodologjia e aplikuar gjatë ndarjes së limiteve për IFP është brenda kufijve të rrezikut që mund të bartë Fondi Garantues. Nëse në mjedisin e jashtëm shpërfaqet ndonjë ngjarje sikurse mbyllje e sërishme në ekonomi që mund të shkaktohet nga pandemia Covid-19, e që mund të ndikojë negativisht në ekonomi në përgjithësi dhe, po ashtu, në performancën e kredive të garantuara, vlen të potencohet që Fondi Garantues është i përgatitur për t’u përballur me sfidat që mund të paraqiten. Fondi Garantues në këtë fazë është mjaftueshëm i kapitalizuar për t’i përmbushur zotimet si dhe për vijimin e aktivitetit që do të ofronte konfidencë tek IFP-të për vazhdimin e kreditimit të NMVM-ve edhe në rast të ndonjë mbyllje të sërishme.

Çfarë shume keni në dispozicion për garantimin e kredive për vitin 2021 dhe në rast të rritjes së kërkesës si do të veproni?

Kastrati: Për momentin Fondi Garantues ka të alokuar limite garantuese në gjithë dritaret e saj diku rreth 116 milionë euro. Nga kjo vlerë bilanci garantues është rreth 67 milionë euro (që përkthyer në bilanc kreditor është rreth 133 milionë euro), që nënkupton se shkalla e shfrytëzimit të limiteve garantuese është rreth 57 për qind. Për t’i paraprirë një sfide të mundshme, apo rritjes së kërkesës, Fondi Garantues së bashku me donatorët dhe partnerët e tjerë, është në diskutim për rritjen e kapitalit, gjë që do ta mundësonte rritjen e mëtutjeshme të kapacitetit garantues dhe rrjedhimisht plotësimin e kërkesave në rast të shtimit të tyre.

Cilat janë kriteret që NVM-të duhet t’i plotësojnë për të përfituar nga ju?

Kastrati: Kriteret që një NVM duhet plotësuar dhe që të jenë të pranueshme për një garanci kreditore janë: NMVM-ja duhet të jetë në pronësi private; NMVM-ja duhet të jetë biznes i regjistruar në ARBK; NMVM-të duhet të ketë më pak se 250 punëtorë; Një huamarrës i kualifikuar duhet të ketë të paktën pesëdhjetë për qind (50 për qind) në pronësi të qytetarëve privatë ose banorëve të përhershëm të Kosovës; Garancia ofrohet deri në 50 për qind të kryegjësë së kredive për NMVM-të. Përjashtimisht për Pako të Rimëkëmbjes Ekonomike garancia ofrohet deri në 80 për qind; Afati maksimal i kthimit të kredisë së garantuar do të jetë 120 muaj.

Deri në çfarë shume mund ta  mbuloni kërkesën e NVM-ve?

Kastrati: Në mënyrë që një NMVM të jetë në përputhje me kriteret e pranueshmërisë së Fondit Garantues, ekspozimi maksimal i garancisë i një huamarrësi ose grupit të ndërlidhur të huamarrësit duhet të jetë deri ne 250,000 euro, ndërsa madhësia maksimale e ekspozimit të tij kreditorë duhet të jetë 1 milion EUR në datën e parashtrimit të kërkesës.

 

Sa i përket pakos së rimëkëmbjes ekonomike, zbatimit të dritares garantuese, si ka ecur procedura pas nënshkrimit të marrëveshjes?

Kastrati: Fondi Garantues gjatë gjithë kohës ka qenë aktiv lidhur me zbatimin e Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike. Pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike në dhjetor 2020, Fondi Garantues ka mundësuar shfrytëzimin e dritareve garantuese në kuadër të Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike. Nga janari 2021 deri më tani në gjithë dritaret brenda kësaj pakoje janë pranuar rreth 12.1 milionë euro kredi (apo 8.9 milionë euro garanci) të lëshuara nga IFP, të shpërndara në 236 kredi apo 191 NVM.