Ka një milion mënyra për të drejtuar një biznes, por pyetja që lind është se cila mënyrë të çon drejt suksesit? Startup-et tentojnë të operojnë ndryshe nga kompanitë e krijuara prej kohësh. Kultura e punës së startup-eve është mjaft e shpejtë dhe argëtuese, prandaj dhe kompanitë e vjetra i shikojnë këto ndryshime si papjekuri.
Ndonëse padyshim që kompanitë, të cilat kanë qenë të suksesshme për vite të tëra dinë një ose dy gjëra më shumë për strategjitë e suksesshme të funksionimit, është e rëndësishme të jenë mendje hapura për strategjitë e reja që vijnë nga kompanitë e reja. Nëse kompanitë e vjetra nuk janë në gjendje të përfshijnë disa nga strategjitë e suksesshme të bizneseve të reja, ato së shpejti do të fillojnë të kenë vështirësi në vazhdim.
- Pasioni nxit angazhimin e punonjësve
Një nga karakteristikat përcaktuese të kulturës së një startup është energjia në vendin e punës dhe midis punonjësve. Kur flisni me punonjësit në një startup, ata priren të besojnë në misionin e kompanisë së tyre dhe duan ta ndihmojnë atë të ketë sukses. Për shkak të këtij pasioni të përbashkët për qëllimet e organizatës, këta punonjës priren të kenë pasionin dhe shtytjen që janë të nevojshme për krijimin e një angazhimi më të madh.
Angazhimi është një nga gjërat për të cilën startup-et kanë bërë vërtet një punë të mirë. Kompanitë e krijuara prej kohësh mund të shohin një sukses të madh nëse mundohen të përshtasin këtë lloj angazhimi që zakonisht shihet tek punonjësit në startup-e.
- Aftësia për t’iu përshtatur ndryshimit është një kusht i domosdoshëm
Bota e biznesit po ndryshon vazhdimisht, dhe startup-et dinë të ndryshojnë bashkë me të. Ata dinë të përshtaten për të ndryshuar, për shkak të vetë natyrës që zgjedhin të operojnë me biznesin e tyre.
Për shkak të kësaj, startup-et e suksesshme përshtaten me çdo të papritur dhe situatë me të cilën hasen. Ngjarja më e fundit që kërkonte që bizneset në mbarë botën të rregulloheshin më shpejt se kurrë më parë ishte pandemia e Covid-19. Kompanitë që ishin në gjendje të ndryshonin me sukses sipas nevojave që bota kërkonte arritën të mbanin të ardhura të qëndrueshme, madje disa prej tyre rritën të ardhurat e tyre gjatë kësaj kohe.
- Inovacioni ju lejon të ecni me kohën
Ka një arsye pse shumë prej kompanive më të suksesshme në botë janë kompani teknologjike. Kompanitë si Facebook, Netflix, Airbnb dhe Uber janë të gjitha kompani që panë një nevojë dhe ndërtuan një zgjidhje inovative.
Kompanitë e vjetra duhet të jenë në gjendje të njohin gjithashtu mundësitë dhe të ndryshojnë. Ato duhet të jenë kreative në ofrimin e zgjidhjeve për klientët nëse nuk duan që kompanitë më të reja, më kreative të shfaqen dhe të zënë vendin e tyre.
- Njohja e punonjësve tuaj krijon një kulturë më të mirë
Startup-et kanë një avantazh të madh për shkak të madhësisë së tyre. Është e lehtë për drejtuesit e lartë që t’i njohin të gjithë në kompani kur kompania është më e vogël se 100 persona. Edhe pse është më e vështirë në ndërmarrjet e mëdha që punonjësit të jenë të lidhur mirë me njëri-tjetrin, është e rëndësishme të kultivoni këtë ndjenjë të lidhjes dhe komunikimit. Punonjësit kanë më shumë gjasa të ndihen të përmbushur dhe të angazhuar kur ndihen sikur kanë zë. /Entrepreneur/