Shkalla e ekonomisë së fshehur në Kosovë arrin në 2 miliardë euro

Në kuadër të projekteve të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (AShAK) nga fusha e shkencës shoqërore sot është prezantuar botimi “Analiza e ekonomisë në hije në Kosovë”.

Në këtë studim doli se Kosova ka një shkallë të lartë të ekonomisë së fshehur rreth 40 përqind me rreth 2 miliardë euro në vit ose më shumë se buxheti i shtetit.

Anëtari Akademisë së Shkencave të Kosovës, Isa Mustafa theksoi se kjo analizë ofron evidencën rreth faktorëve kryesor përcaktues që ndikojnë tek ndërmarrësit, përfshirjen e ekonomisë në hije si pjesë e ekonomisë totale dhe ofron disa rekomandime të politikave ekonomike.

Reklama e sponzorizuar

“Ne kemi vlerësuar se analiza e ekonomisë në hije ose ekonomisë së fshehur është e një rëndësie të madhe për matjen e suksesit të ekonomisë. Kemi vlerësuar po ashtu se zvogëlimi i ekonomisë në hije i kontribuon rregullimit të konkurrencës në treg, i redukton humbjet e mëdha të buxhetit si pasojë e fshehjes së të ardhurave apo e nën raportimit të tyre dhe rrjedhimisht mospagimit të detyrimeve ndaj financave publike nga aktivitetet e kryera ekonomike. Qëllimi i këtij studimi ka qenë ndërtimi dhe matja e indeksit të ekonomisë në hije për Kosovën si dhe eksplorimi i faktorëve kryesor që ndikojnë në prezencën e kësaj ekonomie në Kosovë. Hulumtimi në prioritet i është dedikuar studiuesve të ekonomisë, institucioneve shtetërore dhe bizneseve”, theksoi Mustafa.

Ndërsa, anëtarja e AShAK, profesoresha Justina Shiroka-Pula vuri në pah se duke u bazuar nga ky studim dhe të dhënat e Bankës Botërore (BB) vërehet se informaliteti në Kosovë lëviz rreth 40 përqind të produktit të brendshëm në vlerë monetare rreth 2 miliardë euro.

Profesoresha Shiroka-Pula tha se vendi prinë për shkallën më të lartë të ekonomisë së hirtë. Teksa shtoi se 47 përqind e të punësuarve në Kosovë marrin pagat në zarfe, duke iu shmangur deklarimit.

“Bazuar në metodologjinë e prezantuar, vlerësohet që indeksi i ekonomisë në hije në Kosovë në vitin 2018-të ishte 39.5 përqind, ndërsa po në këtë vit produkti I brendshëm bruto ishte 6.7 miliardë euro, kurse ekonomia në hije ishte rreth 2.66 miliardë euro në vit që është diçka më e lartë se buxheti vjetor i Kosovës. Duke u bazuar nga ky studim dhe të dhënave të Bankës Botërore vërejmë se informaliteti në Kosovë lëviz rreth 40 përqind të produktit të brendshme në vlerë monetare rreth 2 miliardë euro. Nga ky numër ne vërejmë se buxheti I shtetit humb më së shumti apo rreth 300 milionë euro në vit, që do të thotë se është një humbje mjaft e madhe për shtetin”, u shpreh Shiroka Pula.

Ekonomia në hije kryesisht i referohet ekonomisë e cila nga autorët dhe institucionet e caktuara përkufizohet si ekonomi e zezë ose punë në të zezë, ekonomi e nëntokës, ekonomi e hirtë, sektor jo formaI i ekonomisë ose ekonomi e pa deklaruar.