137 mijë njerëz të papunë në Kosovë

Gjithsej 136 mijë e 929 persona rezultojnë që janë të papunë në Kosovë. Nga 507 mijë e 826 pesona apo 41 për qind e popullatës që janë ekonomikisht aktivë, 27 për qind apo afër 137 mijë e tyre janë të papunë.

Anketa e Fuqisë Punëtore e publikuar ditë më parë nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), ka treguar se në fund të tremujorit të katërt (TM4) 2020, 370 mijë e 897 persona ose vetëm 30.2 për qind e popullsisë ishin të punësuar, kurse 58.7 për qind e popullsisë në moshë punë ishin joaktivë në punë, përcjell Buletini Ekonomik.

Popullsia në moshë pune, që ishte një përqindje prej 58.7% që nuk ishin ekonomikisht aktivë, ASK thotë se nuk ishin të punësuar dhe nuk kanë qenë aktivë në kërkim të punësimit gjatë katër javëve të kaluara dhe nuk janë të gatshëm të fillojnë punë brenda dy javësh.

Reklama e sponzorizuar

E dallimet e mëdha gjinore për punësim po vazhdojnë vit pas viti në Kosovë. Kështu, gjatë tremujorit të katërt të vitit 2020, papunësia te femrat si gjithmonë ishte më e lartë sesa te meshkujt, me një përqindje prej 33.5% krahasuar me 24.3% papunësi te meshkujt.

Megjithatë, sipas ASK-së, në Kosovë një në pesë (23.8%) femra në moshë pune janë aktive në tregun e punës, krahasuar me rreth tri të pestat (59.1 %) e meshkujve në moshë pune.

“Shkalla e punësimit në mesin e femrave në moshë pune është vetëm 15.8 %, krahasuar me 44.8 % për meshkujt. Kjo shkallë shumë e ulët e papunësisë te femrat rrjedh nga kombinimi i pjesëmarrjes shumë të ulët në fuqinë punëtore dhe papunësisë së lartë”, thuhet tutje në Anketën e Fuqisë Punëtore.

Femrat kishin zënë punë kryesisht në sektorët e arsimit, të tregtisë dhe të shëndetësisë, ku përbënin 51.5% të të punësuarëve në këta sektorë, kurse meshkujt ishin kryesisht të punësuar në sektorët e ndërtimtarisë, tregtisë dhe prodhimit me një përqindje prej 43.8%.

Papunësia tek të rinjtë vazhdon të jetë shumë e lartë

Në tremujorin e katërt të vitit 2020, të rinjtë në Kosovë kishin gjasa dy herë më shumë të jenë të papunë krahasuar me të rriturit, pohojnë nga ASK-ja.

Në mesin e personave të moshës prej 15 deri 24 vjeç në fuqinë punëtore, 49.9% e tyre ishin të papunë. Papunësia prapë ishte më e lartë te femrat e reja me një përqindje prej 53.7% se sa te të rinjtë meshkuj (48.0%), shkruan Buletini Ekonomik.

Sipas anketës, në fund të vitit 2020, pothuajse një e treta (31.5 %) e personave të moshës 15 deri 24 vjeç në Kosovë nuk ishin në shkollim, punësim apo duke ndjekur ndonjë trajnim. Kjo shifër ishte 31.4% për femrat e reja krahasuar me 31.5% për të rinjtë meshkuj.

Ndërkohë, pjesa më e madhe e atyre që ishin të punësuar gjithashtu raportuan se punojnë me orar të plotë, një përqindje kjo prej 92.0%.

Nga Agjencia e Statistikave të Kosovës thonë se arsyet e të punuarit me orar të pjesshëm dallojnë midis dy gjinive, pasi gratë, duke marrë përsipër më shumë rolin e kujdesit brenda familjes, janë të detyruara të reduktojnë orët në dispozicion për punësim. Ndërsa, arsyeja numër një për meshkujt pse nuk punonin me orar të plotë, ishte mungesa e një pune me orar të plotë.

Në anën tjetër, 16.0 % e personave të punësuar i përkisnin kategorisë së punësimit të paqëndrueshëm, që do të thotë se ata ose janë të punësuar në biznesin e tyre (punëtorë për llogari vetanake), ose kontribuonin në një biznes familjar (të paguar ose të papaguar).

Përveç këtyre, anketa nxjerr në pah se vetëm 44.6 % e personave të punësuar kishin një kontratë të përhershme në punën e tyre kryesore, me 3.5% më i lartë te femrat se sa te meshkujt (47.0 % me 43.5%), ndërkohë që 55.4 % e të punësuarve kishin një kontratë të përkohshme, me 3.5% më i lartë te meshkujt se sa te femrat (56.5 % me 53.0 %).

E personat, që kishin kontrata të përkohshme, në pyetjen se pse kishin këtë lloj kontrate, 79.6 % e të intervistuarve kishin raportuar se nuk kishte kontratë tjetër në dispozicion për ta.

Pagat neto të shumicës së punonjësve të anketuar nga ASK-ja ishin midis 400 deri 500 euro në muaj. Por, edhe te pagat pa dyshim se janë vërejtur dallime gjinore, ku pagat ishin më të larta për meshkujt për 2.5% në krahasim me femrat.

Ndryshe, pothuajse dy të tretat e popullsisë së Kosovës është në moshë pune nga 15 deri 64 vjeç. Dhe ASK-ja thekson se popullsia në moshë pune pritet të rritet shpejt gjatë dekadës së ardhshme, pasi Kosova është një ndër vendet me popullsinë më të re në Evropë. (Mirjeta Shabani)/Buletini Ekonomik/