Me moton “Qeveria për prodhuesit”, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, së bashku me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, kanë prezantuar sot Pakon e Ringjalljes Ekonomike, e cila do t’iu mundësojë një pako prej 40 milionë eurove ndihmë prodhuesve vendor.
Kjo pako parasheh subvencionim të kredive për gati të gjitha bizneset prodhuese në vend që i plotësojnë kushtet e kërkuara.
Pika 2.1 e kësaj Pakoje përcakton mbështetjen e prodhuesve vendor deri në 20% subvencionim të shumës së kredisë, ku maksimumi i lejuar për kreditim është 400 mijë euro për një biznes. Kjo sipas Muratit nënkupton që të gjitha kreditë deri në 2 milionë euro për bizneset prodhuese që duan t’i shtojnë kapacitet, do të mbështeten me 20% subvencion.
Prodhuesit mund të aplikojnë që nga tani, data 1 tetor retroaktiv deri në qershorin e vitit tjetër, për ata që i plotësojnë kushtet. Kushti kryesor për të përfituar nga kjo masë është që bizneset duhet që 50% të investimeve t’i kenë në zgjerimin e kapaciteteve prodhuese.
Masë tjetër nga kjo pako është edhe subvencionimi deri në 10 mijë euro për stafin menaxherial të bizneseve dhe 20 mijë euro për stafin teknik që merr pjesë në procesin e prodhimit.
“Subvencionimi do të bëhet në dy transhe: transhi i parë prej 15% të vlerës së kredisë do të bëhet me rastin kur është disburcuar 70% e vlerës së kredisë, kurse pjesa e mbetur prej 5% do të transferohet në llogarinë e biznesit në momentin kur për shumën e njëjtë janë paguar pagat e punëtorëve të rinj që janë punësuar”, tha Murati.
Ai tregoi gjithashtu se pasi të jetë bërë ngritja e kapaciteteve prodhuese, synimi i tyre si Qeveri është që t’i mbështesin prodhuesit edhe në hallkat tjera të zinxhirit të prodhimit dhe eksportit.
Ndërkohë, në masën 2.4 përcaktohen ndihma financiare deri në 50 mijë euro për brendime apo ribrendime të produkteve vendore, pasi siç tha ministri Murati, marketingu dhe paketimi kanë shumë rëndësi për produktet që të jenë sa më atraktive.
50 mijë euro tjera do të shkojnë edhe për pjesëmarrjen e bizneseve nëpër panaire ndërkombëtare, me ç’rast ato do ta kenë mundësinë e gjetjes së tregjeve të reja për eksport.
Shuma e këtyre dy pikave të masave ndihmëse do të jetë 40 milionë euro, për masën e parë 2.1 do të jetë 30 milionë euro, dhe 10 milionë tjera për masën 2.4.
Për të përfituar nga këto masa, aplikimi do të bëhet në formën elektornike në ATK, ku ky institucion në ka shtuar një shërbim elektronik, “kërkesa për subvencionim të kredisë”. Pas qasjes në aplikacionin elektronik të ATK-së, EDI (Deklarimi elektronik-ATK), do të kërkohen numri i biznesit, numri i punëtoreve aktual në biznes, duhet të bëhet përzgjedhja e bankës komerciale ku do të pranohet subvencioni, kërkohet numri i llogarisë bankare që kontrollohet në mënyrë elektronike, e cila duhet të jetë në emër të personit përfitues, kërkohet lloji i biznesit, sektori që operon vet biznesi, shuma që planifikohet të merret si kredi dhe sa pritet të jetë shuma e investimit.
Gjatë konferencës për media, kryeministri Kurti tha tutje se ekonomia e vendit ka pasur rritje si ndonjëherë më parë, e që sipas tij është shënuar rritje e eksportit dhe shtim i aktivitetit prodhues.
“Ekonomia si asnjëherë më parë nuk ka pasur rritje më të madhe ku eksportet janë rritur mbi 60%, aktiviteti mbi 30% e pastaj të hyrat buxhetore për 34%”, tha ai. /Buletini Ekonomik/