PDK: Qeveria ta rishqyrtojë vendimin për gazsjellësin

Partia Demokratike e Kosovës i ka bërë thirrje Qeverisë Kurti që ta rishqyrtojë vendimin për gazsjellësin, duke përmendur mundësinë që vendi të futet në krizë energjetike.

Kreu i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se refuzimi i Qeverisë për grantin amerikan, në vlerë rreth 200 milionë dollarë, i bën dëm të madh vendit në perspektiven afatgjate.

“Gjithmonë alternativat janë të rëndësishme, aq më shumë për neve që po flasim për një projekt që financohet nga SHBA-ja. Një grant që ka vlerën diku rreth 200 milionë dollarë, dhe refuzimi i Qeverisë mendoj se i bën një dëm të madh vendit, në perspektiven afatgjate dhe në raport me partnerin tonë në shtetndërtim, SHBA-në”, ka thënë ai para mediave.

Reklama e sponzorizuar

Tahiri theksoi se Kosova nuk e ka luksin të refuzojë projekte të tilla, derisa bëri me dije se po bënte Kosova e vetme këtë projekt, kredia do të ishte shumë e lartë.

“Ne do duhej që të realizonim një projekt të tillë, të futeshim në kredi që u takon gjeneratave të tëra që do të vinim. Në këtë rast po flasim për një mbështetje që vjen nga SHBA-ja. Një pjesë e vendeve, gazin e kanë si një alternativë të rëndësishme sepse ne, sidomos gjatë dimrit, për t’u ngrohur me energji elektrike, është shumë e shtrenjtë. Dhe në anën tjetër jemi duke shkatërruar natyrën, me prerjen e drurëve që ndodhë në vazhdimësi. Duhet të marrim hapa sa më parë”, ka thënë ai.

Ai ka përmendur se në mbledhjen e radhës të Kryesisë së Kuvendit do të diskutohet për caktimin e seancës parlamentare, ku do të diskutohet çështja e gazsjellësit.

Ditë më parë, Qeveria ka thënë se nuk do të merren vendime mbi projektin e gazjellësit pa u ditur kostoja.

“Qëllimi ynë është që vendimet që i marrin në energji të jenë mirë të informuara. Në këtë sektor ka paparashikueshmëri. Për Kosovën sfidat janë edhe më të mëdha duke pasë parasysh kapacitete e vjetruara. Vendime të tilla në energji nuk janë marrë në 40 vitet e fundit dhe nuk do merren edhe në 30 vitet e ardhshme kështu që e rëndësishme është të kemi informacione të sakta”, ka thënë ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.