FMN mund të ulë projeksionet ekonomike – Georgieva: Varianti i ri do të ngadalësojë rimëkëmbjen globale

Fondi Monetar Ndërkombëtar mund të ulë parashikimin për rritjen ekonomike globale, për shkak të variantit të ri të koronavirusit, omicron. Deklarata është bërë nga shefja e huadhënësit global, Kristalina Georgieva, gjatë një konference të organizuar nga Reuters. Omicron është përhapur deri më tani në rreth 40 vende të botës, që kur u zbulua në Afrikën e Jugut javën e kaluar, dhe shumë qeveri janë detyruar të rikthejnë masat kufizuese.

“Varianti i ri që po përhapet me shpejtësi mund të dëmtojë besimin dhe për këtë arsye mund të ulim projeksionet për rritjen ekonomike”, deklaroi shefja e FMN, Kristalina Georgieva. Megjithatë, ka ende shumë të panjohura në lidhje me omicron. Shkencëtarët kanë deklaruar se ky variant mund të ketë marrë materialin gjenetik nga një virus tjetër, mbase nga ai që shkakton ftohjen e zakonshme, që mund ta lejonte omicron të shmangte mbrojtjen që ofron vaksina.

Disa pjesë të Europës dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës vijojnë të përballen me variantin Delta të koronavirusit, ndërsa varianti i ri mund të destabilizojë më shumë ekonomitë në rimëkëmbje nga pandemia. Deri më tani, më shumë se 264 milionë persona janë infektuar nga koronavirusi, që kur u zbulua fillimisht në Kinën qendrore në fund të vitit 2019, ndërsa 5.49 milionë persona kanë gjetur vdekjen./Scan tv/

Reklama e sponzorizuar