Trofta, peshku më i konsumuar nga kosovarët

Prishtinë, janar – Mishi i peshkut në Kosovë viteve të fundit ka filluar të konsumohet më shumë sesa viteve të kaluara.

Ndikim të madh në konsumin goxha limitues të mishit të peshkut në Kosovë kanë çmimet e larta të peshkut, sidomos të llojeve që importohen kryesisht nga Shqipëria dhe nga Mali i Zi.

Trofta, që më shumë konsumohet në Kosovë, dhe që thuaja e tëra kultivohet në hurdha të vendit, ka çmim më të pranueshëm për xhepin e kosovarëve, prandaj edhe parapëlqehet më shumë.

Reklama e sponzorizuar

Mirëpo sa kushton një kilogram i llojeve të ndryshme të peshqve?

Pronari i një lokali ku shiten peshq të freskët në Prishtinë, në kushte anonimiteti, ka thënë për Buletinin Ekonomik se në krahasim me 5 vjetët e kaluara në Kosovë, këto kohët e fundit, mishi i peshkut ka filluar të kërkohet më shumë, të shitet dhe njëkohësisht të konsumohet më shumë.

Sipas tij, trofta është një nga llojet e peshqve që konsumohet më së shumti nga kosovarët, por edhe llojet e tjera të peshkut, siç është koci, levreku, krapi etj., dhe frutat e detit, të cilët thuaja të gjithë dhe e tërë sasia e servuar në tregun kosovar importohet nga Shqipëria dhe më pak nga Mali i Zi.

Këto llojet e fundit të peshqve i konsumojnë më shumë kosovarët që kanë mundësi më të mëdha financiare, pasiqë kushtojnë ndjeshëm më shumë se trofta.

Çmimi i një kilogrami të mishit të peshkut Trofta në dyqanin e vizituar, aktualisht kushton 4 euro e 20 centë.

Pronari i këtij dyqani tutje tha se nga hurdhat kosovare e marrin vetem peshkun Trofta. (Blendrita Avdiu)/Buletini Ekonomik/