Nëse ndokush ka planifikuar të investojë këtë vit në blerjen e ndonjë banese apo në ndërtimin e një shtëpie, atëherë 2022-ta nuk është më e mira.
Çmimi i patundshmërive është rritur, sikurse edhe shumëçka tjetër si pasojë e krizave të ndryshme globale.
Faton Hoxha, nga Shoqata e Ndërtuesve të Kosovës, ka thënë se rritja shkon deri në 35 për qind krahasuar me vitin paraprak.
“Në përgjithësi materiali ndërtimor është rritur për 30-35 %, por në veçanti në fund vitit 2021 hekuri është shtrenjtuar 100%. Nga 2020 deri më tani vetëm hekuri është ngritur në çmim për 80%. Ndërsa çimentoja, plastika dhe materiale të tjera janë 30 % në shtrenjtim. Ndërtimtarët punën kryesore e kanë me maksimalizu fitimin, nëse rriten kostot rrjedhimisht rriten edhe çmimet e shitjes së banesave, që ka me ndikuar tek rënia e fuqisë blerëse”, thotë Hoxha.
Nga kompania që merret me shitjen dhe blerjen e materialeve ndërtimore, “Përparimi”, thonë se shumë klientë të tyre kanë shtyrë planet për ndërtim shkaku i rritjes së çmimeve.
“Ne si kompani jemi të dëmtuar shumë se përveçqë çmimet janë rritur ato vazhdojnë të jenë dhe jostabile. Ka ndikuar shumë, sepse çmimi i furnizimit sot është shumë më i lartë në krahasim me vitet e kaluara dhe kjo ndikon direkt te klienti po ashtu edhe tek ne si kompani duke ulur shitjen e materialeve ndërtimore. Në fakt ka interesim edhe më të lartë, por hezitojnë të blejnë materiale ndërtimore sepse presin që të stabilizohen çmimet për të filluar apo vazhduar investimet e tyre, gjë që për neve si kompani është e vështirë, sepse nuk mund të garantojmë ulje apo stabilizim të çmimeve, sepse nuk varet nga ne”, thuhet nga “Përparimi”.
E nga kompania ndërtuese “Krapi Com” thonë se rritja e çmimeve të materialeve ndërtimore ka ndikuar edhe në rritjen e çmimit të objekteve banesore.
“Pjesa dërrmuese e materialeve ndërtimore ka pësuar një rritje çmimi prej 30-100%, duke nisur nga materialet bazë të ndërtimit, siç janë hekuri, betoni, blloku i argjilës, alumini, druri, plastika dhe materialet e instalimeve elektrike e makinerike. Po ashtu, rritja e çmimit në vazhdimësi të lëndëve djegëse ka ndikuar në rritjen e çmimit të transportit si dhe shërbimeve në përgjithësi. Të gjitha këto ndryshime kanë ndikuar në rritjen e çmimit për metër katror të patundshmërive, si dhe kanë penguar në realizimin e kontratave aktive të nënshkruara para periudhës së rritjes së çmimeve me institucione publike buxhetore dhe organizata të tjera”, tha “Krapi Com”.
Çmimet e banesave në Kosovë, sipas kompanive ndërtuese, nisin nga 700 euro për metër katror e shkojnë deri në mbi 2000 euro në vende të caktuara në Prishtinë.
Dea Gërdovci, konsulente e shitjes në patundshmëri”, paralajmëron rritje të vazhdueshme të çmimit.
“Nga viti 2014 deri në vitin 2021 ka pasur ngritje të çmimeve për 7% çdo vit dhe sot kemi metër katror që kushton 2250 euro. Për shkak të rritjeve të çmimeve të materialeve ndërtimore, transportit dhe derivateve, pritet që me të ketë ende ngritje të çmimeve të banesave në Prishtinë. Mirëpo ende nuk e kemi një statistikë të saktë se sa do të rriten çmimet e banesave për metër katror”, deklaron Dea Gërdovci nga “Pro Real Estate”.
Sipas njohësit të ekonomisë, Mustafë Kadriaj, Kosova është importuese e pothuajse të gjitha materialeve ndërtimore dhe çdo ndryshim i çmimit në tregun botëror ndikon në Kosovë.
“Në sektorin e ndërtimit kemi rritje astronomike të çmimeve, ku shifra nga 5.5 euro sa ishte tani është afërsisht 10 euro, fija e shufrës pra ka pësuar rritje pothuajse 100%. Tullat përafërsisht 40% kanë çmim më të shtrenjtë, ishin 0.18 cent dhe tani janë 0.25 deri 0.27 cent, tullat e betonit nga 0.45 cent në 0.55 cent, pra mbi 10%, betoni i gatshëm ishte 55 euro toni, tani kemi rritje 70 euro afërsisht 20% rritje”, thotë Kadriaj.
Kjo rritje e çmimeve mund të ndikojë negativisht në çrregullimin ekonomik të vendit. Duke rritur koston e ndërtimit tek bizneset njëherësh rriten edhe çmimet në patundshmëri. Kjo tregon për nivelin e lartë të importit në sektorin e ndërtimit, me rritjen e çmimeve. Qeveria ka ngritur flamurin e bardhë duke i lënë në mëshirë të trendit global bizneset vendore”.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave, kostoja e ndërtimit në Kosovë ka shënuar rritje për 3.3 për qind në tremujorin e tretë të vitit paraprak. Për 3-mujorin e fundit të vitit nuk kanë statistika. /koha.net/