SBAShK-u kërkon që mësimdhënësit të paguhen në bazë të performancës

13 deri në 40 euro bruto do të rriten pagat për mësimdhënësit e shkollës fillore në bazë të draft-ligjit të pagave të publikuar në media. Sipas këtij draft-ligji, mësimdhënësit do ta kenë koeficientin 4.6 e i cili nënkupton se paga e tyre bruto do të jetë 552 euro.

Por kryetari i Sindikatave të Bashkuara të Arsimit SBASHK, Rrahman Jashari për Ekonomia Online tha se pagat e mësimdhënësve në Kosovë janë nën mesatare e se pavarësisht punës që kanë bërë nuk ka lëvizje pozitive ne këtë aspekt.

“Pagat e mësimdhënësve në Kosovë nëse i marrim si mesatare të pagave janë nën mesataren e pagave në sistemin publik. Domethënë nën mesatare që nënkupton as mesatarja e pagave që janë të shërbyesve civil në Kosovë. Janë të ulëta dhe po them edhe me koeficientët që i kishim arritur me grevë atëherë kishte një lëvizje por jo shumë të madhe ndërsa tash, e tërë ajo punë i tërë ai mund që e kemi bërë edhe me greva kthehet disi në pikën zero dhe në vend rritjes, të lëvizjeve pozitive të koeficienteve në arsim kemi edhe zbritje të tyre”, tha Jashari.

Reklama e sponzorizuar

Krahas koeficientit të lartë që po kërkon SBASHKU, deri në implementimin e tërësishëm të këtij Ligji, ata kërkojnë që mësimdhënësit të marrin një ngritje të pagës deri në 100 euro.

“Kërkesë e jona që doli nga Këshilli Drejtues është pasi që ligji edhe po u pajtuan sindikatat dhe qeveria në fund të marsit nëse shkon procedura atëherë deri në qershor as që mund të flitet se do të votohet në parlament. Dhe pastaj në version thuhet se ky ligj do të hyjë në fuqi gjashtë muaj pas botimit në gazetën zyrtare që domethënë këtë vit nuk do të kemi fare ligj. Prandaj ne kemi dalë dhe e kemi bërë publike dhe me shkresat që do t’ua dorëzojmë institucioneve do të kërkojmë që nga prilli e deri sa të bëhet ligji dhe të hyjë në funksion në sistemin arsimorë në mënyrë lineare që nga punëtorët ndihmës e deri në universitet ta kenë një ngritje page prej 100 euro secili. Kur bëhet ligji pastaj veprojnë sipas ligjit, deri atëherë le të ketë një ngritje dhe këtë kërkesë si t’ia dërgojmë edhe kryeministrit dhe qeverisë Kurti”, tha Jashari.

Pagë të dinjitetshme për mësimdhënësit po kërkon njohësi i Arsimit Rinor Qehaja. Ai për Ekonomia Online ka thënë se mësimdhënësit duhet të marrin paga në bazë të përkushtimit dhe performances së tyre, e jo të gjithë të paguhen njëjtë.

“Neve vlerësojmë që mësimdhënësit meritojnë paga më të mëdha, mirëpo paga më të mëdha si subjekt i vlerësimit të performancës. Pra, mësimdhënësi i mirë dhe performuesi i mirë të shpërblehet për punën e tij dhe e kundërta për ata mësimdhënës që mungojnë në përkushtim në përkushtim dhe vullnet në punën e tyre. Pra, për neve me të vërtetë është e papranueshme rritja gjithherë e njëtrajtshme e pagës për të gjithë mësimdhënësit pa përjashtim. Pagat e mësimdhënësve vlerësohen që janë përafërsisht të ngjashme me pagat mesatare të mësimdhënësve duke pasur parasysh edhe shportën e konsumatorit në vendet e rajonit nëse ky është pikësynimi jonë pra që të bëjmë një krahasim të tillë me vendet e rajonit mirëpo pastaj të njëjtën duhet ta kontekstualizojmë edhe me shpenzimet e shportës në Kosovë”, ka thënë Qehaja.

Qehaja vlerëson se një pagë e dinjitetshme ndikon edhe në zhvillimin socio-ekonomik të vendit. Ai thotë se puna e mësimdhënësit është shumë e ndjeshme, teksa thotë se kërkon shumë përkushtim e dinjitet.

“Neve vlerësojmë që puna e mësimdhënësit është jashtëzakonisht shumë e ndjeshme. Kërkon shumë përkushtim dhe vullnet dhe një pagë e dinjitetshme për mësimdhënësit është më se e merituar. Pra jemi në favor të një page të dinjitetshme, më të lartë se mesatarja për të gjithë mësimdhënësit. Mirëpo gjithherë subjekt i atij vlerësimi të performancës së tyre. Neve vlerësojmë që mësimdhënësit janë kategori e ndjeshme që po të bëjnë punën e tyre si duhet dhe kanë një ndikim goxha të drejtpërdrejtë në zhvillimin socio-ekonomik të këtij vendi. Pra një investim në mësimdhënës, mirëpo jo vetëm në paga vlerësoj që është në dobi goxha si shumë të shoqërisë”, tha Qehaja.