Kosova po paralajmëron se po nisë epokën e re të prodhimit të energjisë së rinovueshme, aq shumë të kërkuar nga bota energjetike ndërkombëtare, për të sfiduar gradualisht qymyrin e “dënuar” tani gjithandej dhe gjithanshëm në mbarë botën, si një nga ndotësit potencialë të ambientit. Me rëndësi është se po nisë të ndërtohen edhe termocentralet me bazë të diellit në Kosovë, pas nisjes së suksesshme të prodhimit të Parkut të energjisë në bazë të erës me kapacitet 105 megavatësh, në Shalë të Bajgorës.
Mehmet GJATA
Paralajmërimi publik i qeveritarëve të vendit dhe i vetë kryeministrit Albin Kurti, pas një takimi me një delegacion nga Gjermania, se po bisedohet seriozisht realizimi i një projekti të madh solar (kapacitet energjetik në bazë të diellit me fuqi të instaluar prej 70 megavatësh) është një ogur i mirë për energjetikën kosovare.
Ndërtimi i një kapaciteti solar në përmasa të këtilla, do të jetë ndër kapacitetet më të madha diellore dhe paralajmërohet se do të jetë bashkëdyzim i dy komponentëve: distriktit solar të ngrohjes (Termokos) dhe fuqisë fotovoltaike (KEK), që gjithsesi do të ketë gjithanshëm të mirat e veta.
Projekti i paralajmëruar me emërtimin “Solar4Kosova”, nëse vërtetë do të ndodhë, jo vetëm se po vie në momentumin më të përshtatshëm dhe më të favorshëm, kur kriza energjetike është shpërfaqur me tërë ashpërsinë e vet edhe në vendin tonë, por edhe kur Kosovës i nevojitet një kapacitet i energjisë solare, qoftë edhe për t’i sprovuar potencialet tona për këtë lloj të energjisë. Nisma ka rëndësi shumë të madhe, sikundër që pati inaugurimi kohë më parë i Parkut të energjisë në bazë të erës me kapacitet 105 megavatësh, në Shalë të Bajgorës. Sepse Kosova po paralajmëron se po nisë epokën e re të prodhimit të energjisë së rinovueshme, aq shumë të kërkuar nga bota energjetike ndërkombëtare, për të sfiduar gradualisht qymyrin e “dënuar” tani gjithandej dhe gjithanshëm në mbarë botën si një nga ndotësit potencialë të ambientit.
Parku energjetik në bazë të erës në Selac dhe Shalë të Bajgorës si dhe termocentrali solar “Solar4Kosovo”, edhe kur të finalizohet i tëri, nuk do ndikojnë edhe aq shumë në eliminimin e thëngjillit si resurs akoma edhe për shumë vite i pacënueshëm energjetik në Kosovë (Kosova sot e kësaj dite rreth 96 për qind të energjisë elektrike e prodhon nga termocentralet me qymyr), por me rëndësi është se po nisin të ndërtohen edhe termocentralet në bazë të diellit në Kosovë. Siç u tha, projekti “Solar4Kosovo’’ që do të jetë një nga termocentralet më të mëdha diellore në Evropë ka për synim që krahas prodhimit të energjisë elektrike për sistemin elektroenergjetik të Kosovës, t’i bashkangjitet edhe sistemit të ngrohjes qendrore aktuale të Prishtinës, duke i lidhur kështu lagjet e reja me ato që tashmë janë pjesë e rrjetit.
Sipas zyrtarëve, kapaciteti i shtuar që synon shpërndarjen e nxehtësisë nga sistemi termik diellor në rrjetin e ngrohjes qendrore në Termokos, do të furnizojë 12 mijë familje ose 60 mijë qytetarë me ngrohje termike në qytetin e Prishtinës dhe në këtë mënyrë do ta reduktojë goxha shumë kërkesën për energji elektrike për qëllime të ngrohjes.
Lokacioni i përcaktuar nga Qeveria për ndërtimin dhe funksionalizimin e këtij projekti, është fshati Shkabaj në komunën e Obiliqit.
U theksua nga zyrtarët se “Solar4Kosovo” do ta reduktojë edhe emitimin e dioksidit të karbonit për 40.000 tonë në vit, si dhe do të kontribuojë në diversifikim të miksit të gjenerimit të energjisë së Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) përmes komponentës së fuqisë fotovoltaike.
Projekti pritet të kushtojë 64 milionë euro dhe do të financohet nga Republika Federale e Gjermanisë dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).
Nëse del të jetë serioze nisma e autoriteteve tona dhe nëse ka vendosshmëri tek kompetentët për zbatimin e këtij projekti, më në fund, pas një ngurrimi çuditërisht të gjatë dhe të pakuptueshëm për të qenë më kërkues nga vendimmarrësit për iniciativat për ndërtimin e kapaciteteve të mundshme të energjisë së rinovueshme, po ndodhë diçka, së paku dikush po preokupohet dhe së paku po sheshohen mundësitë për të pasur një kapacitet sa më të madh të energjisë solare në Kosovë. Dhe, mundësi ka, këmbëngulin ekspertët e kësaj fushe. Ka edhe hapësira e sipërfaqe toke të lëna djerrë, që fare lehtë do të bëheshin truall i përshtatshëm për energji solare, sikundër që ka goxha vende, madje të identifikuara për energji në bazë të erës. Por, për të pasur energji të rinovueshme, qoftë nga dielli, qoftë nga era, duhen vizione, nisma dhe vendosmëri. Dhe, tashmë është koha e fundit, s’ka përtej ku të shkojmë më, që Kosova duhet të vendosë për të pasur kapacitete të reja të energjisë së ripërtëritshme.
Nuk duhet që energjia e rinovueshme të jetë më tabu, as në mjediset energjetike kosovare, as te autoritetet, as te zyrtarët dhe vendimmarrësit. Sepse, Kosova, sado e varfër është, me një përkushtim më të gjithanshëm do ta gjente dhe do ta kishte paranë për të nisur projekte energjetike të reja, sosh të imponueshme nga komuniteti botëror energjetik si rrjedhojë e restriksioneve të paralajmëruara dhe që kanë zënë të aplikohen për të gjithë ata që do të përdorin qymyrin si burim energjetik.
Kosova, sado që ka thëngjill të bollshëm dhe rezerva kolosale të këtij resursi, me të cilin sikundër shumë vende të botës përmbushi nevojat e veta energjetike me vite të tëra, tashmë suksesivisht do të detyrohet që dikur ta braktisë thëngjillin. Për këtë, Kosova obligohet me një varg dokumentesh, rezolutash dhe marrëveshjesh ndërkombëtare. Obligohet edhe me nënshkrimin e Marrëveshjes së Samitit të Sofjes, dy vjet më parë, kur është zotuar se deri në vitin 2050 do të karbonizohet, apo do të zvogëlojë maksimalisht varësinë nga thëngjilli.
Paralajmërimet më të reja dhe gjithnjë e më të shpeshta për ndalesa shtesë ndaj përdorimit të qymyrit si burim energjetik, domosdo kanë aktualizuar çështjen e të pasurit më shpejtë dhe më shumë energji elektrike të rinovueshme. Tashmë, për Kosovën është urgjencë zëvendësimi sa më shumë i kapaciteteve tona të bazuara ekskluzivisht te qymyri me ato të energjisë së ripërtëritshme. Ndërkohë që tani për tani, Kosova ka fare pak, thuaja sasi simbolike të energjisë së ripërtëritshme.
Duhet thënë se megjithë mëdyshjet dhe dilemat në shumë mjedise, edhe në nivel institucionesh, madje edhe ekspertësh, Kosova ka potenciale për energji të rinovueshme. Madje goxha mundësi të mira. Prandaj, nisma për ndërtimin e “Solar4 Kosovo” duhet shpejtuar së zbatuari, me urgjencë duhet përfunduar të gjitha procedurat e kërkuara dhe të nisë njëherë e mirë së ndërtuari ky kapacitet elektroenergjetik solar në Kosovë, në tokën djerrë tonën, që tani vie sikur e porositur për këtë dedikim.
Ndërtimi i një Parku të energjisë solare, që mund të finalizohet për një vit, e shumta dy sish, dhe që mund të sigurojnë goxha sasi të energjisë, qoftë për ngrohje, qoftë për furnizimin e Kosovës me rrymë, është ogur i mirë edhe për jehonën që do të kishte ky kapacitet në komunitetin energjetik të botës. Askush më nuk mund të mohojë se Kosova po ndërton centrale në bazë të erës dhe të diellit. As nuk mund të kontestojë me retorikën se kosovarët sikur nuk po duan të shkëputen nga thëngjilli që e kanë me bollëk dhe në sipërfaqe të tokës. Dhe, më në fund kjo nismë le të shërbejë edhe si sprovë për të inicuar projekte të tjera me energji solare. Kosova, mbase nuk i ka kushtet ndër më të mirat në botë për këtë lloj energjie, por ka goxha kondita dhe mundësi reale për të pasur jo pak panele të diellit për të prodhuar rrymë për nevojat e veta.
Sipas ekspertëve, në të gjitha sipërfaqet e kulmeve të objekteve komerciale, komunale dhe private, të cilat kanë orientimin e duhur lindje-perëndim, apo janë të rrafshta, mund të instalohen panele solare. Kosova ka edhe shumë toka të pashfrytëzueshme që do të mund të shfrytëzoheshin për këtë qëllim. Si shembull janë hapësirat e shumta dhe me sipërfaqe të mëdha brenda kompleksit të KEK-ut. Ka shumë hapësirë të lirë në mihjet sipërfaqësore të eksploatura, si dhe në hapësirat përgjatë autostradave, të cilat lehtësisht do të ishin mundësi reale për instalimin e paneleve solare. Kosova e vogël si territor, ka pak tokë për të ofruar për ndonjë kapacitet solar, të madh dhe të efektshëm për nga sasia për të kontribuar në përmbushjen e nevojave të konsumit dhe tregut tonë energjetik. Sidoqoftë, potencialet për parqe solare janë të mëdha në Kosovë, krahasuar me burimet e tjera të energjisë së rinovueshme.
Ekspertët numërojnë këto mundësi, duke filluar nga të gjitha sipërfaqet e kulmeve te objekteve komerciale, komunale dhe private, të cilat kanë orientimin e duhur lindje-perëndim, apo janë të rrafshta. Ndërsa, teorikisht, në çdo sipërfaqe të rrafshët mund të instalohen panelet solare. Por, sipas Gazmend Kabashit, menaxher i Zyrës për Zhvillim dhe Planifikim Afatgjatë në KOSST, një ndër njohësit më të mirë kosovarë të lëmit të energjisë së rinovueshme, këtu qëndron problemi që çdo hapsirë nuk është e leverdishme të instalohen panele solare (PV). Sipas tij, tokat bujqësore nuk do të duhej të shfrytëzoheshin për parqe solare. 100 MË Park Solar zënë vend në një tokë rreth 200 hektarë. Nëse krahasohet prodhimi i energjisë që japin këto panele solare me prodhimet bujqësore që s’do të ishin më, e që kushtimisht do të duhej të importoheshin nga jashtë, llogaritë thonë se nuk do të duhej që në toka bujqesore të bëhen instalime te tilla. Mirëpo, Kabashi duke iu përgjigjur interesimit të Buletinit Ekonomik, për mundësitë e ndërtimit të paneleve solare, ka shpjeguar se Kosova ka toka të pashfrytëzueshme që do të mund të shfrytëzoheshin për këtë qëllim. Me këtë rast, ai tregon për hapësirat e shumta dhe me sipërfaqe të mëdha brenda kompleksit të KEK-ut. Ka shumë hapësirë të lirë në mihjet sipërfaqësore të eksploatura, të cilat lehtësisht do të ishin mundësi reale për instalimin e paneleve solare, si dhe hapësirat përgjatë autostradave, thotë Kabashi. Dhe këto panele solare, sipas tij, do të kishin kapacitet të vlerësueshëm si prodhues solid, madje i madh i energjisë elektrike. /Buletini Ekonomik/