Nëse kihen parasysh treguesit e afarizmit të bankave komerciale të Kosovës edhe në këto periudha krizash të rënda, del se bankat kosovare, vetëm sa kanë rritur profitet e tyre. Vlerësohet se profitet rekorde të bankave të Kosovës janë rrjedhojë e kamatave të larta dhe shërbimeve tepër të shtrenjta.
Mehmet GJATA
Për bankat kosovare (lexo:bankat komerciale, shumica absolute me seli jashtë Kosovës) nuk ka kriza as të çastit as të rastit, dhe as në periudha të shkurtëra, dhe mos të flasim për periudhë më të gjatë.
Gjithmonë, edhe gjatë krizave të ndjeshme globale financiare, kur ekonomitë dhe sistemet bankare të fuqishme të shteteve më potente dhe më të konsoliduara financiarisht kanë pësuar goditje të forta me pasoja evidente financiare, bankat e Kosovës thuaja të veçuara, kanë shtresuar fitimet e tyre enorme.
Nuk ua ka lënë shenjë as pandemia, e cila ka gjunjuzuar shumë tregje botërore të parasë dhe institucione të njohura bankare, sikundër që bankat komerciale kosovare thuaja nuk dëgjuan për luftën ruso-ukrainase, me pasoja të rënda ekonomike për shumë institucione, korporata, kompani e ndërmarrje nga mbarë bota.
Madje, nëse kihet parasysh fitimi i tyre edhe në këto periudha krizash të frikshme, del se bankat kosovare, vetëm sa kanë rritur profitet e tyre. Po të bëhej një krahasim me shumat e profitit të bankave të Kosovës me numrin e popullsisë kosovare dhe të ndonjë banke të fuqishme të ndonjë vendi të madh edhe për nga numri i popullsisë, del që fitimet e bankave tona janë më të lartat në botë, absolutisht, bile shumë më të larta se të çdo banke sado e fuqishme të jetë ajo.
Pa konsumuar shumë fjalë dhe pa retorikë të madhe, po ripërsërisim shifrat konkrete të fitimeve të bankave të Kosovës në dy muajt e parë të 2022-tës.
Profiti neto i bankave komerciale në Kosovë, për vetëm dy muaj (janar-shkurt 2022), ka arritur në 21.1 milionë euro. Një muaj më parë, të njëjtat kishin arkëtuar në stoqet e veta gjithsej 10.9 milionë euro. Pra, vetëm për një muaj, bankat në vend kanë arritur të realizojnë fitime mbi 10 milionë euroshe.
Nga 54.4 milionë euro sa ishin të hyrat e përgjithshme në këtë sektor gjatë muajit shkurt të këtij viti, 38.5 milionë ishin vetëm nga të hyrat nga interesi. Të njëjtat, në muajin janar ishin në vlerën e 20.3 milionë eurove.
Nuk duhet bërë llogari të stërholluara për të konstatuar se rrjedhojë e këtij profiti që do të ishte fitim enorm edhe për shtetet e fuqishme dhe me tregje të konsoliduara financiare, janë kryekëput interesat akoma të larta për të gjitha llojet e kredive.
Ndërsa, ç’është më keq, për kreditë për ekonomitë familjare, normat e interesit u rritën pikërisht në kohën e pandemisë dhe të shpërthimit të luftës ruse-ukrainase, kur shumë familje për pasojë të ngritjes stratosferike të çmimeve, u varfëruan ekstremisht dhe të vetmen zgjidhje për ekonomitë e tyre familjare kishin kreditë nga bankat eksituese në vend.
Në këta dy muaj, pra bankat e instaluara në Kosovë, duke shfrytëzuar paturpësisht dhe egërsisht gjendjen e varfëruar të popullsisë shumicë të Kosovës dhe mospasjes së tyre rrugë tjetër pos kredive të ekonomisë familjare, rritën normat e interesit nga 5,7 për qind në 6 për qind. Dhe domosdo, shtersuan fitimet e tyre, duke i arritur rekordet prej 21 milionë erosh për dy muaj.
Sipas informatave mujore për sektorin bankar nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK), normat efektive të interesit në këtë muaj u sillën në 5.8 për qind, derisa në janar norma e përgjithshme e interesit ishte 5.7 për qind. E për ekonomitë familjare, kjo normë, siç u tha më lartë, ishte rritur në 6.0% nga 5.7 sa ishte në janar. Ndërsa tek kreditë konsumuese, norma e interesit ishte 6.5 për qind dhe për korporatat jo financiare 5.7 për qind nga 5.8% në janar.
Bankat komerciale të instaluara në Kosovë, nuk e kanë për gjë që gjithsej depozitat në shkurt ranë në 4 miliardë e 764.8 milionë euro nga 4 miliardë e 823 milionë euro, sa ishin në janar. Dhe ato vazhdojnë me absurditetet afariste të tyre: Prej gjithsej depozitave bankare të evidencuara në muajin shkurt, 3 miliardë e 378.93 milionë euro ishin depozita të ekonomive familjare (të tjerat depozita nga korporatat financiare dhe jofinanciare), përkatësisht të klientelës, ndaj të cilëve bankat komerciale ngritën kamatat nga 5,7 në 6 për qind. Që i bie, këto banka po vazhdojnë të zhvatin më së shumti qytetarët që me depozitat e tyre po rrisin fitimet e bankave në përmasa rekorde.
Bankat kosovare po dëshmohen mosmirënjohëse ndaj ekonomive familjare shumëfish dhe në të gjitha raportet financiare bankë-ekonomi financiare. Sepse, nga gjithsej 3 miliardë e 805.6 milionë euro, sa arriti vlera totale e kredive në muajin shkurt të sivjetshëm, 1,424.4 milionë ishin kredi nga ekonomitë familje.
Kujtojmë se gjatë vitit 2021, fitimi neto i bankave komerciale në vend kishte arritur në 117.5 milionë euro. Kjo shumë, gjithsej do të tejkalohet goxha ndjeshëm në fund të këtij viti, nëse kihet parasysh fitimi në dy muajt e parë. Dhe ky raport bashkëpunimi financiar ndërmjet bankave dhe ekonomive familjare, që del të jetë i diskutueshëm, edhe për shkakun e ngritjes së normave të interesit mu në kohë krize dhe ngritjes enorme të çmimeve, është lejuar nga BQK-ja, nga guvernatori i saj, që asnjë përkufizim të lejueshëm ligjërisht nuk e ka bërë deri më tash ndaj bankave komerciale të cilat po ngarendin për të shfrytëzuar kohë krizash, kur varfanjakët kosovarë kërkojnë kredi pa pasur parasysh rritjen e kamatave dhe çmimet e egëra të shërbimeve bankare.
Kudo në botë, institucionet mbikëqyrse dhe rregullatore të sistemeve bankare, në kohë krizash, mbajnë vëmendjen te frenimi i rritjes së interesave bankare, kurse te ne, prej kur është themeluar banka e parë komerciale, menjëherë pas luftës, ndodhë e kundërta. Rriten normat e interesit në kohën kur në gjithë botën vetëm dëgjon për uljen e tyre. Ndodhi edhe tani me rritjen e interesave për kreditë familjare.
Kësisoj, Kosova vazhdon t’i mbajë kamatat, ndër më të lartat në rajon dhe në Europë, po se po, vazhdon t’i mbajë në kuotë frikshëm të lartë edhe kamatat në instititucionet mikrofinanciare sikundër që vazhdon t’i ketë akoma çmimet e shërbimeve dhe të produkteve të tjera bankare më të lartat në rajon dhe gjithsesi në Evropë. Të gjitha këto institucione bankare u themeluan dhe u instaluan me mbështetjen e BQK-së.
Në Kosovë gjetën parajsën afariste, ku që nga fillimi i afarizmit të tyre bënë mu çka deshën, duke u sjellur egërsisht në raport me klientelën, veçmas duke aplikuar normat më të larta të interesit në botë dhe duke kërcënuar kthimin e tyre me metodat egërsisht represive financiare.
Gjendja pothuajse ka vazhduar të mbetet e njëjtë, pra edhe tani kur kanë kaluar 20 vjet nga paslufta. Kosova, edhe pse ka ulur relativisht shumë kamatat bankare (bankat komerciale), vazhdon t’i ketë ato më të shtrenjtat në Evropë te institucionet mikrofinanciare, sikundër që vazhdon t’i mbajë në kuotë frikshëm të lartë edhe çmimet e shërbimeve dhe të produkteve të tjera bankare. Të gjitha këto, sërish dhe gjithnjë vazhdojnë të bëhen me “dijeninë” e BQK-së, e cila lehtësisht ka pranuar dhe vazhdon të miratojë kërkesat e bankave zhvatëse dhe ka pranuar pa humbur kohë kërkesat e kamatarëve të huaj dhe vendorë, gjithnjë duke qenë shumë e mbyllur me publikun dhe gjithnjë jotransparente.
Nuk pi ujë më arsyetimi i BQK-së se shkak i kamatave të larta ishte dhe vazhdon të jetë gjoja risku i lartë në këto vite në Kosovën e pasluftës, sado që në vazhdimësi Kosova vlerësohej nga institucionet ndërkombëtare kompetente si një nga vendet fare të sigurta.
Kosova nga të gjitha llojet e bankave është njohur edhe si një nga vendet me numër fare të vogël, thuaja simbolik të kredimarrësve të këqinj, së paku deri në shpërthimin e pandemisë edhe te ne. Ku i gjente shkaqet BQK-ja për të vlerësuar Kosovën me risk të lartë nuk u sqarua kurrë bindshëm dhe me argumente të qëndrueshme.
Dhe fare në fund, për të qenë edhe më i saktë dhe më konkret: për shkak të kamatave enorme dhe shërbimeve frikshëm të shtrenjta, institucionet bankare në vendin tonë, këto që janë, arkëtojnë në çdo tremujor, gjashtëmujor, nëntëmujor dhe në fundvit miliona euro neto fitim. Shifrat e sipërpërmendura në këtë tekst janë dëshmi e mjaftueshme për këtë. Këto janë faktet: Kosova vazhdon t’i ketë kamatat dhe çmimet e produkteve bankare ndër më të lartat në rajon. Po se po në Evropë, por edhe më gjerë. Dhe prapë me miratimin e BQK-së. Ndërsa, tentativat e zyrtarëve të kupolës së bankave të vendit që me retorikë bankarësh për ta heshtur dhe kamufluar problemin, vetëm sa do ta thellojnë atë. /Buletini Ekonomik/