Europë, industria e sheqerit në krizë – Fabrikat për përpunimin e panxharit të sheqerit varen nga gazi

Shfaqet gjithnjë e më shqetësuese situata në industritë e sheqerit, për faktin se reduktimi i furnizmit me gaz do të ndikojë në kapacitetet për prodhimin global. Lufta e cila po vazhdon ende në Ukrainë, dhe problemet me zinxhirin e furnizimit kanë ngritur shqetësime për një krizë globale ushqimore në sektorë të tjerë.

Kreu i Shoqatës së kultivuesve të Panxhar sheqerit në Gjermaninë Jugore, Stefan Streng, u shpreh se ka shumë fabrika të cilat varen 100% nga furnizimet me gaz.

Streng ndodhej në Gdansk, qyteti port i madh i Polonisë, për të marrë pjesë në Konfederatën Ndërkombëtare të kultivuesve europianë të panxharit. Ai tha se nëse nuk mund të kryenin dërgesat, përpunimi i panxharit do të ndikohej rëndë. Kjo sipas tij do të nënkuptonte se nuk do të kishte fare prodhim sheqeri. Panxhari nuk do të mund të përpunohej dhe e gjithë kjo do  të përkthehej në një fatkeqësi për industrinë e sheqerit.

Reklama e sponzorizuar

Procesi i prodhimit të panxharit të sheqerit kërkon një sasi relativisht të madhe energjie për intervale të shkurtra kohore. 80% e ujit në panxhar sheqer duhet të nxirret nga panxhari për prodhimin e sheqerit. Ky proces i përpunimit duhet të përfundojë përpara se panxhari i sheqerit të bëhet i papërdorshëm me kalimin e kohës.

Shumica e energjisë së kërkuar për këtë proces vjen nga burimet e energjisë si qymyri, nafta ose gazi, tha Streng, me shumë fabrika të përpunimit të panxharit të sheqerit që varen plotësisht nga gazi, kështu që mungesa e gazit mund t’i bëjë fabrikat të paafta për të përpunuar panxharin e sheqerit.

Gjatë tre viteve të fundit, kërkesa për sheqer ka qenë më e lartë se prodhimi i sheqerit, shtoi Streng. Aktualisht situata tregon se nuk ka shumë stoqe në botë.

Sipas shifrave të dhëna nga Konfederata Ndërkombëtare e Kultivuesve Europianë të Panxharit, Bashkimi Europian është prodhuesi i tretë më i madh i sheqerit në botë. Panxhari i sheqerit përbën rreth 32% të furnizimit me sheqer në botë, burimi tjetër kryesor është kallam sheqeri. Izraeli dhe Egjipti ishin dy nga tregjet më të mëdha të eksportit në vitin 2018 për sheqerin europian./Scan TV/