Kurti: Qeveria është duke e përpiluar një udhëzim administrativ lidhur me çmimet e naftës

Qeveria e Kosovës ka konfirmuar sot se është në prag të përgatitjes së një Udhëzimi Administrativ për çmimet e naftës.

Ditë të fundit, çmimi i naftës në vendin tonë ka shkuar në 1 euro e 90 centë për litër.

“Jemi duke e përpiluar një udhëzim administrativ lidhur me çmimet e naftës. Qëllimi ynë është që t’i mbrojmë konsumatorët pasi naftën e importojmë dhe njëkohësisht më pastaj të kujdesemi edhe që tregu të mos deformohet, pra të ketë konkurrencë të barabartë në treg”, është shprehur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media.

Reklama e sponzorizuar

Kurti u shpreh se Qeveria është duke punuar që përmes politikave sociale të ndihmojë qytetarët, kurse për rritjen e çmimeve në tregjet ndërkombëtare, ai tha se nuk mund të bëjnë asgjë.

I pari i Qeverisë, gjithashtu deklaroi se mundësinë për heqjen e TVSH-së dhe akcizës nuk e konsiderojnë politikë të dobishme.

“Heqja e TVSH-së nuk u ndihmon atyre që janë në nevojë dhe rasti i Gjermanisë ka treguar se çfarëdo heqje e tatimit në derivate të naftës nuk u ndihmon qytetarëve, përkundrazi mund t’i rrisë fitimet e tregtarëve”, ka përfunduar ai.