Luan Shllaku, njohës i sektorit të energjetikës në Kosovë, ka thënë se vendi do të futet së shpejti në një krizë energjetike, në mesin e shumë krizave të shumta politike që po përfolen në publik. Sipas tij, këtë krizën reale, pra atë në fushën e energjetikës, do ta ndjejë nën lëkurën e vet secili qytetarë i Kosovës këtë dimër.
“Kam frikë se jemi duke u futur në këtë krize të papërgatitur. Nuk kemi shumë letra në duar që mund t’i luajmë por, duhet të luajmë menjëherë: të ndërmarrim krejt çka mundemi, dhe të tilla punë ka akoma mjaftë”, ka shkruar ai në një postim në facebook.
Sipas tij, nuk është vetëm importi dhe paratë qe i ndajmë për import, zgjidhje e problemit, pasi siç thotë Shllaku, “shumë pak mund të bëjmë me këtë masë të kufizuar”.
Shllaku me këtë rast ka dhënë edhe disa propozime se si të tejkalohet kjo krizë në këtë kohë:
-Të evitohen mundësitë e paraqitjes së ndërprerjeve dhe avarive në blloqet aktive të TC Kosova A dhe B, siç ndodhë shpesh; por edhe nëse do të ndodhë në këtë dimër, çmimi i tyre do të jetë i pa-përballueshëm, dhe
-Nëse nuk është vonë, të investohet substancialisht në forcimin e stabilimenteve kyçe në Kosovën A dhe B, pra, të bëhet një “remont plus”.
Shllaku me këtë remontimin plus nënkupton se duhet të bëhet një remontim që nuk është bërë kurrë deri më sot, diçka më shumë se remontim gjeneral dhe më pak se rekonstruktim.
Ai përmendi edhe rastin kur ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli kishte thënë se do të ketë punime në termocentrale gjatë këtij viti, që sipas Shllakut, mund të nënkuptohet se ndoshta është duke u punuar në atë drejtim, edhe pse shumë pak informacione të kësaj natyre, ndahen për qytetarët.
“Mendoj se forcimi i stabilimenteve që do të punojnë këtë dimër, kanë vlerë më të madhe së tërë energjia që do ta importojmë, dhe mos të flasim për stabilitetin energjetik dhe leverdinë ekonomike”, thotë ndër tjerash Drejtori ekzekutiv në KFOS, Luan Shllaku.
Sipas tij, ndërprerja disa ditore e punës së një blloku, mund t’i kushtojë vendit aq sa do të duhej për ndërtimin e një blloku të ri, kur kemi parasysh faktin se do të duhet të importohet ajo rrymë. Dhe në rast se ky dimër do të na i shpenzojë disa qindra miliona euro për të importuar energji, sipas Shllakut, kjo do të jetë në shifra më shumë se sa të kishim ndërtuar ferma gjigande solare dhe/ose me erë, ose ta ndërtonim një TC të ri me 300 MW fuqi. Gjithashtu, edhe tërë projekti i lidhjes së gazit me gazin amerikan në Shkup, thotë se do të kushtonte shumë më pak se importi që do ta kemi këtë dimër.
“Uroj që këto pak ditë që kanë mbetur, t’i përdorë KEK-u në mënyrën më të mirë të mundur, për t’i evituar befasitë që mund të na i bëjnë pajisjet e stër-vjetruara të Kosovës A dhe B”, përfundon Shllaku. /Buletini Ekonomik/