Nga Les Nemethy, CEO Euro-Phoenix Financial Advisors Ltd., ish-bankier në Bankën Botërore
Çmimet janë sinjale të rëndësishme ekonomike. Çmimet e larta —qoftë të ushqimeve, energjisë, etj., janë sinjale për botën, që ajo (a) të ofrojë më shumë; (b) të gjejë zëvendësues; ose (c) të ruajë. Dhe kështu, tregjet e larta të energjisë dhe ushqimit sot, në fund duhet të rezultojnë në çmime më të ulëta.
Ky artikull fillimisht do të shqyrtojë se si ky parim mund të zbatohet për energjinë, më pas për produktet ushqimore dhe më pas do të diskutojë ndikimin në inflacion.
Energjia
Rritja drastike e çmimeve të gazit, veçanërisht në Europë, ka rezultuar në një tepri – dhe çmime përkohësisht negative të shitjes me shumicë të gazit. Numri i anijeve me Gaz Natyror të Lëngshëm (GNL) që po presin të shkarkohen në Europë, është më i madh se terminalet e disponueshme.
Depozitat e magazinimit janë mjaft të mbushura. E gjithë kjo është dëshmi e aftësisë së madhe të ekonomive për t’u përshtatur, kur lejohen të vihen në punë forcat e tregut.
E megjithatë, në mbarë botën, në periudhën afatshkurtër dhe afatmesme, nuk jam optimist për aftësinë e botës për të zgjidhur krizën e energjisë, as për perspektivën e çmimeve më të ulëta të energjisë, për shkak të ndërhyrjes në tregje. Disa shembuj të ndërhyrjes në treg janë:
1.Paralelisht me një krizë energjetike, ne jemi duke dëshmuar shpalosjen e një krize klimatike. Ndërsa largimi nga karburantet me karbon është një objektiv i lavdërueshëm, periudha e tranzicionit është menaxhuar në një mënyrë katastrofike – siç do ta përshkruaj më poshtë më gjerësisht.
2.Pavarësisht çmimeve të larta, kompanitë e naftës dhe gazit kanë kufizuar shpenzimet kapitale dhe shpimet e naftës, duke zgjedhur të shpërndajnë para tek aksionerët. Pse të investohet kur ka kaq shumë ndërhyrje nga ambientalistët, politikanët, madje edhe anëtarët e bordit të emëruar nga aktivistët?
Rasti konkret: presidenti Biden qortoi kompanitë e naftës që nuk prodhojnë më shumë dhe pothuajse në të njëjtën ditë, bëri thirrje për “ndalimin e shpimeve të naftës!” Kështu, kompanitë e naftës dhe gazit, janë të shqetësuara se mund të përfundojnë me asete të bllokuara—pra, me naftë dhe gaz që do të nxirren nga toka dhe më pas nuk do të shiten.
3.SHBA-ja po zvogëlon rezervat strategjike të naftës. Ndërsa objektivi politikisht i dëshirueshëm për uljen e çmimeve është arritur, kjo gjithashtu zbeh sinjalin e çmimit për të ruajtur dhe për të rritur ofertën. Kufijtë e ndryshëm të çmimeve dhe subvencionet për naftën dhe gazin në BE dhe gjetiu, në mënyrë të ngjashme, ngatërrojnë sinjalet e tregut.
4.Qeveritë kanë mbyllur një numër të madh reaktorësh bërthamorë – në Japoni për shkak të Fukushimës, në Gjermani për shkak të trysnisë së ambientalistëve, në Francë për shkak të neglizhencës me mirëmbajtjen, gjë që ushtron sërish trysni mbi tregjet e energjisë.
Shfrytëzimi i burimeve të reja të energjisë kërkon shumë kapital—qoftë për shpime hidrokarburesh, energji bërthamore apo alternative (ndërtimi i parqeve diellore, krijimi i minierave të reja, etj.) Rritjet e fundit të normave të interesit dhe kostos së kapitalit, duhet të përdoren për të nxitur promotorët të vënë në dispozicion kapacitete të reja. Duke qenë se çmimet e energjisë përcaktohen gjithmonë me marzhe, kjo do të shërbejë për të rritur koston e gjithë energjisë.
Prognoza ime është që çmimet e energjisë do të mbeten të larta për të paktën 4-5 vjet, edhe nëse do të ketë recesion, sepse energjia me bazë hidrokarburesh përbën ende 84% të furnizimit global me energji; alternativat nuk duket se mund të kompensojnë për mangësitë aq shpejt sa ç’duhet dhe gjithsesi janë të kufizuara nga furnizimi me minerale kyçe (bakër, alumin, metale baterish, etj.) Zbatimi i projekteve të reja të gazit, naftës ose energjisë bërthamore, kërkon shumë kapital dhe të paktën 4-5 vjet për t’u realizuar.
Ushqimi
Një nga kostot më të mëdha hyrëse për ushqimin, është energjia. Çmimet më të larta të energjisë paracaktojnë çmimet më të larta të ushqimeve. Ka edhe faktorë të tjerë. Për shembull, furnizimi me plehra kimike është ndërprerë në botë:
- Rusia dhe Ukraina, dy nga eksportuesit më të mëdhenj të plehrave kimike, kanë kufizuar eksportet.
- Azoti me bazë amoniumi, i prodhuar me gaz natyror, është kufizuar nga mbylljet, për shkak të paqëndrueshmërisë dhe pasigurisë së furnizimit me gaz.
Ndikimi në inflacion
Në kohën e shkrimit të këtij artikulli, në nëntor 2022, tregjet financiare kanë psherëtirë të lehtësuar, pasi norma e inflacionit doli më e ulët se parashikimi. Kjo prirje mund të jetë e shkurtër. Energjia dhe ushqimi janë dy nga komponentët më të mëdhenj të inflacionit.
Janë edhe efektet e vonesës — sepse as rritjet e çmimeve të energjisë dhe as ato të ushqimeve, nuk janë përcjellë plotësisht te konsumatorët. Disa shembuj:
- Shumë vende europiane vetëm tani po i kalojnë çmimet më të larta të gazit te konsumatorët.
- Fermerët deri tani kanë përdorur stoqet e plehrave kimike. Në pranverën e vitit 2023, ata duhet të vendosin nëse do të paguajnë çmime më të larta për plehrat kimike (të cilat në mënyrë të pashmangshme duhet t’u kalojnë konsumatorëve), apo të reduktojnë përdorimin e tyre, duke rezultuar në rendimente më të dobëta. Të dyja zgjidhjet do të shkaktojnë rritje të inflacionit.
Burime të tjera që vazhdojnë të shkaktojnë inflacion:
- Çmimet në sektorin e shërbimeve dhe në tregjet e punës, mbeten të larta, raporti i vendeve të hapura të punës ndaj njerëzve që kërkojnë punë, mbetet shumë i lartë.
- Qiratë mbeten të larta.
- Globalizimi (deflacionar) po kthehet në de-globalizim (inflacionar).
- Prirjet demografike që çojnë në mungesa të fuqisë punëtore (inflacioniste).
- Pritshmëritë inflacioniste shpesh dalin jashtë kontrollit.
Do të argumentoja se nuk ka mundësi që t’i afrohemi inflacionit prej 2% në vitet e ardhshme, nëse bankat qendrore nuk i rrisin normat e interesit mjaftueshëm sa për të nxitur jo vetëm recesion, por depresion të plotë. Duke hamendësuar se ato nuk do të jenë të gatshme të paguajnë këtë çmim të lartë politik, përgatituni për inflacion të lartë (>5%).