BE përmirëson parashikimin e rritjes ekonomike ndërsa inflacioni do të ulet

Rritja ekonomike e Eurozonës ka të ngjarë të jetë më e lartë se sa pritej, ndërsa inflacioni do të jetë më i ulët se sa parashikimet e vitit 2022.

Rritja ekonomike në 20 vendet që përdorin euron parashikohet të jetë 0.9% këtë vit, në vend të 0.3% të parashikuar nëntorin e kaluar.

Eurozona do të shmangë recesionin teknik që Komisioni priste tre muaj më parë, pasi rritja në tre muajt e fundit të 2022 ishte 0.1% nga një tremujor në tjetrin, ndërkohë që Komisioni Europian parashikon një shifër 0.0% në tre muajt e parë të 2023.

Reklama e sponzorizuar

Komisioni tha se pasiguria rreth parashikimit ishte e lartë, por rreziqet ndaj rritjes ishin gjerësisht të ekuilibruara.

Kërkesa e brendshme mund të jetë më e lartë se parashikimet për shkak të rënies së çmimeve të gazit. Megjithatë, nuk mund të përjashtohet një ndryshim i mundshëm, në kontekstin e tensioneve të vazhdueshme gjeopolitike.

Komisioni tha se kërkesa e jashtme mund të rezultojë gjithashtu më e fuqishme pas rihapjes së Kinës, e cila mund të nxisë inflacionin global, por rreziqet ndaj inflacionit ishin të lidhura kryesisht me zhvillimet në tregjet e energjisë.

Inflacioni i konsumatorit në Eurozonë, i cili arriti nivelet rekord prej 10.6% tetorin e kaluar, si pasojë e rritjes së çmimeve të energjisë dhe ushqimeve të shkaktuar nga pushtimi rus i Ukrainës, do të ngadalësohet në 5.6% këtë vit dhe 2.5% në 2024.

Ky do të ishte një ngadalësim më i madh se 6.1%, shifër e pritur më parë për 2023 dhe 2.6% për 2024.

“Ky parashikim varet kryesisht nga supozimi se agresioni rus ndaj Ukrainës nuk do të përshkallëzohet, por do të vazhdojë gjatë gjithë horizontit të parashikimit,” tha Komisioni./Reuters