Çka është modeli i punës 9-ditore?

Ju mund të keni dëgjuar për javën e punës katërditore, ku punonjësit punojnë vetëm katër, nga pesë ditët e punës tradicionale, por me të njëjtën pagesë dhe me pritshmëri, për të ruajtur nivelet e produktivitetit.

Një provë e suksesshme gjashtëmujore e këtij modeli pune, përfundoi së fundmi në Mbretërinë e Bashkuar. Kompanitë vunë në dukje rritje të produktivitetit dhe më shumë interes nga punonjësit, ndërsa këta të fundit thonë se kjo përmirësoi cilësinë e jetës së tyre.

Por, mbeten gjithsesi shqetësimet rreth faktorëve si fitimi, presioni i shtuar për punonjësit për shkak të një ngarkese më të madhe ditore të punës, si dhe nevoja për të qenë në dispozicion të klientëve gjatë gjithë orarit standard të punës.

Reklama e sponzorizuar

Sam Franklin, CEO i kompanisë teknologjike Otta, shton se shkurtimi i një dite të plotë dukej si një hap i madh, pasi shkurton orët e punës me 20%.

Natyrshëm lind pyetja, a ka një rrugë të mesme? Përgjigjja: 9 ditë punë në dy javë. (the 9-day fortnight)

Modeli i 9 ditë punë për dy javë, do të thotë konkretisht se gjatë 14 ditëve kalendarike, nëntë prej tyre janë ditë pune dhe pesë janë ditë pushimi.

Një herë në dy javë, punonjësit marrin një ditë shtesë pushimi, shpesh të premten.

Disa kompani u kërkojnë punonjësve të punojnë më shumë orë në ditët e punës, për të lejuar një ditë shtesë pushimi, të tjera thonë se kjo nuk është e rëndësishme për ta, për sa kohë që produkti i tyre mbetet i qëndrueshëm.

Otta është një nga kompanitë e shumta, që aktualisht po e provon këtë model pune, me mendimin se nëse shkon mirë, kalimi në javën katërditore mund të jetë përfundimisht një opsion.

Në praktikë

Shumë nga përfitimet janë të ngjashme me ato të javës katërditore, sipas atyre që e kanë testuar atë.

Kjo përfshin produktivitetin, kënaqësinë e punonjësve, një ekuilibër më të mirë punë-jetë dhe mirëqenie të përmirësuar. Franklin gjithashtu ka vënë re se tema u ngrit gjatë procesit të punësimit.

“Është një nga gjërat që të gjithë po e përmendin. Kur ata thonë ‘hej, pse dëshiron të punosh në Otta?’ Është ‘Kam lexuar për këtë model të ri pune, më pëlqen mënyra se si mendon, gjithmonë kam dashur ta provoj këtë’”.

Ben Branson-Gateley, CEO dhe bashkëthemelues i firmës së softuerit të burimeve njerëzore Charlie HR, e cila gjithashtu ndjek modelin e punës 9-ditore në dy javë, thotë se ai ka vërejtur përfitime shtesë në krahasim me javën 4-ditore.

“Arsyeja pse jam vërtet pro nëntë dhe jo katër, është se dita e enjtje, nuk bëhet “e premtja e re”,” thotë ai. Alternimi i javëve katër dhe pesë-ditore, gjithashtu krijon një ekuilibër më të mirë, ka gjetur Branson-Gateley.

“Ato javë katër ditore të punës, mund të jenë mjaft intensive,” thotë ai. “Nuk më pëlqen ideja për ta bërë këtë çdo javë.”

Punonjësit janë në gjendje të zgjedhin midis dy stileve të punës dhe mund të përshtasin mënyrën se si punojnë, bazuar në sa ditë ka java e tyre e punës, si dhe duke shijuar përmirësimet e cilësisë së jetës, shpjegon Branson-Gateley.

Të dy Branson-Gateley dhe Franklin, kanë parë punonjësit e tyre të ndryshojnë mënyrën se si i qasen punës, si pasojë e modelit të ri.

Franklin inkurajoi punonjësit e tij, të pyesin nëse takimet e punës, që nuk kanë të bëjnë me vendimmarrjen ose ndërtimin e marrëdhënieve janë vërtet të nevojshme, ndërsa Charlie HR ka zbatuar një ditë pa takime dhe vetëm punë çdo të mërkurë.

Nuk është për të gjithë

Ashtu si java katërditore, dy javët nëntëditore nuk i përshtaten çdo biznesi dhe çdo punonjësi.

Firma e marrëdhënieve me publikun Stand, me qendër në Londër, është një prej tyre, shpjegon themeluesja Laura Oliphant.

“Përfitimet ishin të dukshme, ndjeva se po mbështesnim më mirë mirëqenien mendore të punonjësve, duke reduktuar stresin dhe burnout, duke u lënë kohë për t’u shkëputur. Dhe ekipi u ndje më produktiv. Por kishte disa të meta,” shpjegon ajo.

Jo të gjithë punëtorët i vunë re përfitimet, thotë Oliphant, dhe për shkak se klientët duhej të ishin në gjendje të mund të kontaktonin me dikë në firmë çdo ditë, Stand duhej të krijonte një rotacion, duke u dhënë punonjësve individualë ditë të ndryshme pushimi.

“Rotacioni kërkonte kohë dhe kompleks për t’u zhvilluar, të gjithë po punonin drejt afateve të ndryshme kohore, dhe ekipet ishin të sforcuara, kur rotacioni përkonte me periudha të ngarkuara pushimesh,” thotë Oliphant.

Stand tani ndjek një model pune prej 4,5 ditësh – të premteve të gjithë firmosin në orën 13:00, por një person për ekip, kontrollon email-in në rast të ndonjë mesazhi të rëndësishëm.

Kjo ka adresuar problemet që firma gjeti me javën nëntëditore, por përfitimet kanë mbetur. Dhe mësimi më i madh i Oliphantit nga kjo përvojë?

“Kryesore për ne është të mos kufizohemi nga një model fleksibël, që funksionon për dikë tjetër. Është e rëndësishme të gjeni atë, që është e duhura për biznesin dhe klientët tuaj”, thotë ajo. / CNBC Make it

monitor.al