ZKA: Ndryshimi i projektit të rrugës Deçan-Mal i Zi shkaktoi dëme 830 mijë euro

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka publikuar të mërkurën rezultatet e tri raporteve të auditimit, atë për prokurimet e negociuara pa publikim të njoftimit për kontratë në Ministrinë e Infrastrukturës për vitin 2021, mbështetja e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme nga MINT dhe sistemet e Informacionit në Kompaninë e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”.

Me rastin e fillimit të publikimit të raporteve të auditimit për sezonin auditues 2022/23, Auditorja e Përgjithshme në ZKA, Vlora Spanca ka folur për projektin e rrugës Deçan-Mal i Zi, e cila tha se ka pësuar ndryshime substanciale, dhe rrjedhimisht ka dëmtuar ekonominë e projektit mbi 830 mijë euro.

Sa i përket Ministrisë së Infrastrukturës, Spanca tha se vetëm në vitin 2021 kjo ministri kishte kontraktuar afër gjashtë milion euro për 26 kontrata aneks, me procedurë të negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë. Prej tyre, ZKA ka audituar 13 kontrata vlera e të cilave është mbi 4 milion euro apo afër 70% e vlerës së kontratave të lidhura gjatë vitit me këtë procedurë.

Reklama e sponzorizuar

Ajo tha se vlera e parashikuar për njërin nga këto projekte (Auto-udha A7.1) është një milion euro, që tanimë është tenderuar, ndërsa për projektin Dollc-Gjakovë vlera e përllogaritur është mbi 640,000 euro dhe për projektin Deçan-Kufiri me Malin e Zi vlera e përllogaritur arrin mbi 2.6 milion euro, bazuar në çmimet e kontratës aktuale.

Spanca në konferencën për media theksoi se prandaj përdorimi i procedurës së negociuar, në rastet e lartcekura nuk ishte i arsyeshëm pasi që Ministria kishte ditur se katër nga 13 kontratat aneks nuk mbulonin plotësisht kostot e projekteve në fjalë. Ministria në këto raste do të duhej që të shmangte përdorimin e procedurës së negociuar, dhe për këto katër projekte do të duhej të zbatonte procedurën e hapur.

“Një projekt i cili kishte pësuar ndryshime substanciale është projekti për rrugën Deçan-Mali i Zi. Kërkesa ishte që gjerësia e rrugës nga 6 metra të bëhet 7, rrjedhimisht ky ndryshim kishte dëmtuar ekonominë e projektit për afër 830 mijë euro. Në dy projekte, atë të autostradës në Gjilan dhe Rrugës “Dragash – Brod”, Ministria, gjegjësisht projektuesi, nuk i kishte identifikuar dhe përfshirë në projekt të gjitha objektet që preken nga projekti rrugor. Mungesa e vizitës në punishte para lidhjes së kontratës, nga ana e Ministrisë, ka ndikuar në mos përfshirjen e të gjitha objekteve në projektin kryesor”, thekson Spanca.

Auditimi tjetër “Mbështetja e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë /KIESA”, tregon se MINT KIESA nuk ka arritur efektet e duhura në përkrahjen dhe ngritjen e kapaciteteve të NMVM-ve dhe Zonave Ekonomike.

Sipas Spancës, Qeveria nuk ka arritur t’i funksionalizojë zonat e lira në Mitrovicë, Gjakovë, Prizren dhe zonën e veçantë Amerikane.

“Rezultatet e auditimit tregojnë se MINT-i/KIESA nuk ka arritur efektet e duhura në përkrahjen dhe ngritjen e kapaciteteve të NMVM-ve dhe Zonave Ekonomike. Zonat Ekonomike të themeluara nuk arrijnë t’i përmbushin nevojat e ndërmarrjeve në vend, duke i lënë investitorët të presin me vite për zgjerimin e hapësirave të biznesit dhe rritje të prodhimit dhe të punësimit. Qeveria nuk ka arritur ti funksionalizojë zonat e lira në Mitrovicë, Gjakovë, Prizren dhe zonën e veçantë Amerikane edhe pse i kishte themeluar me vendime direkte. Mos funksionalizimi i këtyre zonave ka ndodhur si pasojë që Qeveria nuk i ka paraprirë me analizimin e nevojave dhe me hartimin e planit të fizibilitetit për të vlerësuar dhe argumentuar nëse ja vlen të themelohen këto zona”, theksoi ajo.

Po ashtu Spanca ka thënë se MINT-i nuk ka zhvilluar ndonjë strategji të veçantë dhe politika për zhvillimin e NMVM-ve.

“Gjetjet e tjera që ndërlidhen me mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme nga MINT/KIESA” janë: MINT-i nuk ka zhvilluar ndonjë strategji të veçantë dhe politika për zhvillimin e Ndërmarrjve Mikro, të Vogla dhe të Mesme dhe orientimin e tyre drejt transformimit dhe ngritjes së cilësisë dhe eksportit të produkteve të tyre drejt tregjeve të BE-së. Nga viti 2005 deri në kohën kur kemi zhvilluar auditimin (në dhjetor 2022) janë të themeluara dhjetë (10) ZE prej të cilave vetëm katër funksionojnë: Parku i Biznesit Drenas, Parku i Biznesit Mitrovicë, Parku Teknologjik Shtime dhe Parku Industrial Suharekë. Ne kemi vërejtur se në vitin 2021 dhe 2022 ka pasur realizim më të vogël të investimeve në ZE edhe pse nevoja e bizneseve për hapësira në zona ekonomike ishte e lartë. Ne vitin 2022, investimet e bëra janë vetëm 8.3% të buxhetit të planifikuar, përderisa buxheti i shpenzuar për investime për vitin 2021 ka qenë 58%”, theksoi ajo.

Si e gjetur tjetër në Zonën Ekonomike “Parku i Biznesit në Drenas”, auditori ka vërejtur se shumë bizneseve ju mungonin kushtet elementare siç është furnizimi me ujë, ku për pasojë bizneset kishin hapur puse me të cilët zhvilloni aktivitetet e tyre.

Spanca ka thënë se një nga dy përfituesit në kategorinë e ndërmarrjeve të mesme nuk kategorizohet si ndërmarrje e mesme.

“Nga mostrat e testuara kemi vërejtur se një nga dy përfituesit në kategorinë e ndërmarrjeve të mesme nuk kategorizohet si ndërmarrje e mesme sipas numrit të punonjësve. Ndërmarrja në fjalë kishte deklaruar në aplikacion 1,009 punonjës, numër ky që tejkalon limitin prej 249 punonjësve për t’u klasifikuar si ndërmarrje e mesme për mbi 300%. Kjo ndërmarrje ka përfituar 50,000 euro për blerje të makinerisë për një nga njësitë e saj, ndërsa pjesën tjetër prej 100 mijë euro kishte deklaruar që do ta mbulonte nga burimet e veta. Përkundër përfitimeve nga mbështetja e MINT, Kompanitë përfituese nuk kanë pas afarizëm te mirë që tregon se investimet e bëra nuk kanë qenë efektive”, theksoi Spanca.

Deri më 30 qershor ZKA planifikon të publikojë të gjitha raportet e auditimeve financiare. Ndërsa, përgjatë këtij muaji do të publikohen një numër i raporteve të auditimit të Pasqyrave Financiare të Organizatave Buxhetore dhe Ndërmarrjeve Publike, ndër të cilat janë: Ministria e Drejtësisë; Universiteti i Prishtinës; Komuna e Prishtinës; Komuna e Deqanit, Komuna e Vushtrrisë; Komuna e Ferizajit; Ndërmarrja Publike “Trainkos”; NP “Uniteti” – Mitrovicë; dhe Institucione tjera të nivelit qendror, nivelit lokal dhe Institucione të Pavarura.