Dekarbonizimi kusht për anëtarësim në BE – ekspertët kërkojnë që Qeveria të vendosë taksë për emetuesit e karbonit

Instituti Riinvest ka mbajtur debat me temën “Dekarbonizimi dhe taksa e karbonit”, raporton Ekonomia Online. Nga të pranishmit u tha se dekarbonizimi është politikë që Kosova nuk mund ta shmangë nëse synon të jetë anëtare e Bashkimit Evropian.

Aty u kërkua që si në çdo vend të botës edhe në Kosovë të fillojë taksimi i karbonit, në mënyrë të mbrohet mjedisi. Përmes një takse karboni, u kërkua që Qeveria të caktojë një çmim që duhet të paguajnë ndotësit për çdo ton të emetimeve të gazit.

Fjona Bakia, nga Instituti INDEP, tha se çmimi në karbon është një politikë që Kosova nuk mund ta shmang për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.

Reklama e sponzorizuar

“Politikat e taksimit të karbonit është një hulumtim që ka marrë parasysh metodologjitë e ndryshme të hulumtimit, që përveç atyre kualitative ne i kemi përfshirë intervista me kolegë në Ministrinë e Ekonomisë. Çmimi në karbon nuk është një risi, është një realitet shumë i prekshëm në vendet evropiane. Vendet si Finlanda, Suedia e taksojnë karbonit që nga viti 1990. Edhe Kosova duhet me ndjek hapin e këtyre vendeve për shkak të mekanizmave që Evropa që nga viti 2026 do t’i fus në politikat e saj”, tha ajo.

“Taksa e karbonit është e paevitueshme për Kosovën sado që ne nuk jemi pjesë e BE-së e organizatave ndërkombëtare. Gjithsesi ne jemi nënshkrues të Samitit të Sofjes dhe pjesë e komunitetit të energjisë dhe në këto pjesëmarrje ne jemi zotuar për dekarbonizim deri në vitin 2050. E ky zotim nuk duhet me qenë vetëm fjalë por duhet përcjell me veprime”, tha tutje ajo.

Udhëheqësi i Divizionit të Politikave të Energjisë në Ministrinë e Ekonomisë, Adnan Preniqi, tha se synojnë që deri në vitin 2030, konsumi final nga burimet e ripërtritshme të shkojnë deri në 30 për qind.

“Sektori i energjisë po shkon drejt dekarbonizimit dhe jo ndoshta me hapa të shpejtë. Nuk është e lehtë meqenëse ne burimin e energjisë elektrike e bazojmë në thëngjill dhe dihet që thëngjilli është një prej ndotësve dhe emetuesve të karbonit. Ne si vend emitojmë deri në 10 milionë në vit CO2 që është goxha i lartë e ku sektori i energjisë merr pjesë diku me 6.3 milionë emetim të karbonit në vit”.

“Politikat të cikat janë vendosur në strategjinë e energjisë, tregojnë që ne në instalimin e 1300 MGË të burimeve të ripërtritshme, na tregojnë se në vitin 2030, konsumi final i energjisë do të mbërrijë në 30 për qind nga burimet e ripërtritshme. Aktualisht e kemi 10 për qind”, tha ai.

Visar Vokrri nga Instituti Riinvest, tha se dekarbonizimi në vendet skandinave ka filluar qysh në vitet e 90-ta. Sipas tij, aktualisht janë 40 vende në botë që e praktikojnë dekarbonizimin me ç’rast kërkoi që Kosova të bëhet sa më shpejt pjesë e saj.

“Vendet skandinave janë ato që kanë filluar me menduar në këtë drejtim. Në vitet 90-ta ka filluar ta aplikojë një taksë të karbonit. Aktualisht janë 40 vende në krejt botën që aplikojnë një taksë të karbonit, janë vende të industrializuara të vendeve evropiane por edhe një pjesë e vendeve të Amerikës Jugore. Uruguai prin sa i përket taksës në karbon. Taksa nuk mjafton si e vetme duke pasur parasysh caqet ambicioze që vendet e zhvilluara e kanë para vetes. Madje disa vende e kanë luftë por kjo është edhe luftë globale. Taksa si e vetme nuk ka prodhuar efektet e duhura deri më sot, andaj vendet e ndryshme të botës kanë filluar të mendojnë më seriozisht për të adresuar këtë problem”, tha ai.