Të dhëna të diskutueshme dhe të paefektshme të investimeve të jashtme në Kosovë

Mehmet Gjata

Të gjitha llojet e investimeve në Kosovë, pavarësisht defilimit të shifrave që dëshmojnë rritje, janë larg pritshmërive dhe larg mundësive dhe potencialeve që ka Kosova për t’iu ofruar investuesve të mundshëm dhe shumë larg efektshmërisë në zhvillimin real të vendit. Sipas opozitarëve, “përqindja e investimeve kapitale ka rënë nga 23 në 15 % e subvencionet, ndihmat sociale janë rritur në 42%, duke treguar orientimin ekonomik të kësaj qeverie”.

Mehmet GJATA

Të dhënat se investimet e huaja direkte në Kosovë, gjatë vitit 2022, në vlerë 772 milionë euro dhe deklarimet e zyrtarëve aktual se kjo është një rritje e ndjeshme krahasuar me vitin paraprak është thjeshtë më shumë propagandë e përfaqëuesve të këtij pushteti, se sa ndonjë rritje reale për të qenë dhe me ndikim në “ngjalljen” e aktiviteteve ekonomike e zhvillimore në vendin tonë. Po kështu nuk duhet marrë shumë seriozisht as deklarimet e përsëritura të ministrës së Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari, e cila nuk pranë së thëni se kjo Qeveri dhe ministria në krye të të cilës është ajo, po vazhdojnë të ndihmojnë bizneset kosovare sidomos bizneset prodhuese.

Reklama e sponzorizuar

Mund të jetë e saktë shuma e investimeve të huaja që e promovon si sukses ministrja Hajdari, dhe këtë as që na shkon ndër mend ta kontestojmë, por, duhet thënë se investimet, të të gjitha llojet e investimeve në Kosovë, pavarësisht defilimit të shifrave që dëshmojnë rritje, janë larg pritshmërive dhe larg mundësive dhe potencialeve që ka Kosova për t’iu ofruar investuesve të mundshëm.

Larg pritshmërive, në fakt, në këto dy-tre vitet e fundit janë të gjtha zhvillimet ekonomike e sociale në Kosovë. Diku, në këto përpjekjet e autoriteteve për të aktivizuar më shumë potencialin ekonomik e zhvillimor në përgjithësi, sikur po mungon diçka, ose po ndodhë ndonjë pengesë reale.

Këta muaj e fundit, zhvillimet dramatike politike që vazhdojnë të ndodhin përditë, herë më shumë, herë më pak, por gjithnjë të ndjeshme, dhe me pasoja evidente për të funksionuar normalisht shteti i Kosovës, i kanë qitur në plan të dytë dhe të tretë zhvillimet e tjera të domosdoshme për funksionimin e shtetit.

Por, realisht po t’u bëhet një vështrim zhvillimeve ekonomike në vendin tonë edhe në vitin 2022, nuk është vështirë të konstatohet se ekonomia mbarë, zhvillimet ekonomike në të gjithë sektorët: në investime kapitale, në infrastrukturë, në sektorin e minierave, në zhvillimet në bujqësi, në politika sociale, në arsim, shëndetësi etj., ishin thjesht të lëna pasdore nga shteti.

Ndërkohë, që dihen pasojat që pati lënë në ekonominë tonë pandemia COVID 19, gjatë vitit 2020 dhe 2021. Por, rreth lënies pasdore, margjinalizimit evident, por edhe rreth ngecjes së zhvillimeve ekonomike, nuk flitet thuajase fare nga përfaqësuesit institucional. Mungojnë analizat profesioniste dhe të gjithanshme për të trajtuar prapambetjen evidente ekonomike të vendit.

Ndërsa, opozitarët, së paku deri më tash, më shumë merren me përgënjeshtrime të dhënash, me shpërfaqje të ca shifrave që, sipas tyre, dëshmojnë “huqjen” në zhvillimin ekonomik të Kosovës. Kohë pas kohe, shfaqen edhe zëra opozitarë, sish që njohin proceset ekonomike dhe zhvillimore, por që nuk lënë ndonjë shenjë dhe nuk kane ndonjë ndikim të vendimarrësit edhe kur janë serioze.

Avdullah Hoti, ish-kryeminisri, tani deputet, thuajse përditë, përmes statuseve të veta në rrjetet sociale, por edhe përmes debateve të ndryshme në medie, është i zëshëm në paraqitjen e ngecjeve në ekonomi. Edhe këto ditë, në një emision televiziv ai ritheksoi se ka dy vjet që vendi po përballet me krizë ekonomike, edhe si pasojë e ndikimeve nga ekonomia globale, por edhe për shkak të mosveprimit adekuat nga qeveria aktuale për ta amortizuar sadopak krizën.

Sipas tij, roli i politikave fiskale të qeverisë ka qenë pa asnjë efekt. Ndërsa duke iu kundërpërgjigjur në një farë mënyre zërave të pushtetit për rritje të ndjeshme të investimeve të huaja direkte, Hoti ka thënë se “përqindja e investimeve kapitale ka rënë nga 23 në 15 % e subvencionet, ndihmat sociale janë rritur në 42%, duke treguar orientimin ekonomik të kësaj qeverie”.

“Vit pas viti ne i kemi pas investimet publike të larta, ato kanë shkuar deri në 23 % të shpenzimeve totale që i ka pas qeveria, pra nga totali i shpenzimeve që i ka pas qeveria 23% kanë shkuar në investime kapitale, të cilat kanë kriju kapital shoqëror, përfshi infrsatrukturën, rrjetin shkollor, shëndëtësi, investimet e përbashkëta me komuna të cilat kanë ulur koston e të bërit biznes dhe kanë kriju efekte multiplikuese në ekonomi, sepse një ekonomi të vogël siç e ka Kosova, futja 600-700 milion euro ka ndikim të jashtëzakonshëm”, ka thënë mes tjerash ish kryeministri Hoti.

Ish-kryeministri i vendit, tani deputet i LDK-së, ka thënë me këtë rast se “do ta kuptonte kur kjo qeveri do t’i riorientonte investimet kapitale nga infrastruktura në bujqësi, shëndetësi apo energji por as në këto fusha nuk ka investime dhe shumica nga këto dikastere kanë zero investime në tremujorin e parë të këtij viti”.

“Nuk është duke u punu askund, që dy vjet nuk është duke u punu askund, dy vitet e para të kësaj qeverie edhe mund ta mirëkuptojmë për shkak të pandemisë, por disa muaj më pas ekonomia është hap sikur gjitha vendet e tjera, por viti 2023, viti i tretë i qeverisjes nuk ka asnjë investim as në projektet që kanë mbetur në gjysmë atëherë e as në projekte te reja dhe kjo është e pakuptueshme”, ka shtuar deputeti Hoti.

Në anën tjetër, ministrja Rozeta Hajdari, kohë më parë, duke numëruar sukseset e kësaj Qeverie thotë se “për herë të parë në Kosovë tani pas pavarësisë kemi hartuar në bashkëpunim të afërt me bizneset tona politikën industriale deri në vitin 2030, me të cilën politikë synojmë përkrahjen drejtë prodhimit, sepse në të gjitha sektorët që janë analizuar, vlera e shtuar e sektorëve nga perspektiva e vlerës së shtuar është kuptuar se të rinjtë tanë kanë aftësinë e prodhimit për sektorë të ndryshëm të prodhimit dhe përpunimit, dhe nga kjo analizë paraprake për shtatë sektorët kryesor industrial, sjell konkludimin se Kosova ka mundësinë për të prodhuar më shumë, dhe deri më tani prodhimi nuk e ka sjell sa duhet kontributin që ka mundur ta sjellë për ta zbërthyer vendin tonë në një vend më të zhvilluar ekonomikisht, pra jemi vendi i varur nga importi”.

Ajo, investimet e huaja direkte prej 772 milionë euro, të realizuara më 2022, i sheh si tregues se sektori privat po i zgjeron produktet. Mirëpo, pavarësisht prononcimeve ‘rrahagjokse’ të autoriteteve të Kosovës për arritje zhvillimore, por edhe për rritje investimesh, Kosova po ngec ekonomikisht, po stagnon edhe në realizimin e investimeve kapitale, edhe në tërheqjen e parasë nga investitorë të jashtëm.

Në Kosovë edhe në këta muaj të shkuar të 2023-tës ka inflacion, ka ngritje pa kontroll çmimesh të të gjitha produkteve, e sidomos të atyre themelore ushqimore, ka varfëri të madhe, ka papunësi enorme dhe ikje brengosëse të qytetarëve nga vendi i tyre. Në Kosovë, në këta muaj të 2023 – tës, ende nuk ka ndonjë njoftim për ndonjë investim të vlefshëm kapital, për ndërtimin e ndonjë kapaciteti prodhues që do të gjeneronte vende të reja pune, për ndonjë partneritet serioz publiko-privat të rëndësishëm për ekonominë e vendit.

Për të qenë korrekt, këto ditë është bërë publike shpallja e ankandit të parë nga Qeveria e Kosovës për parkun me energji solare me kapacitet prej 100 MW në vlerë 75 milionë euro. Por, sado i rëndësishëm të jetë ky veprim (lansimi i këtij ankandi), deri të realizimi i këtij projekti, domosdo do të duhet të kalojë një kohë e gjatë.

Edhe kryetari i Odës Ekonomike Amerikane të Kosovës, Arian Zeka, për mediat kosovare ka ripërsëritur për të satën herë se “mos investimet në projektet kapitale, pashmangshëm do të ndikojnë në normën e rritjes ekonomike”. “Në raportet e organizatave ndërkombëtare është thënë se rritja ekonomike që e ka karakterizuar Kosovën përgjatë viteve të fundit ka qenë rezultat i konsumit dhe rrjedhimisht ndikimit të remitencave të diasporës, por në të njëjtën kohë edhe si rezultat i investimeve kapitale. Nëse investimet kapitale qenkan njëra prej dy shtyllave më të rëndësishme të vendit, automatikisht konkludojmë se moskryerja e investimeve kapitale ose mos shpenzimi i këtyre mjeteve të cilat janë paraparë për investime kapitale brenda një viti të caktuar buxhetor, pashmangshëm se do të jenë ndikim edhe në normën e rritjes ekonomike”, ka thënë për medien kohë më par Arian Zeka.

Përfaqësuesit opozitarë vazhdojnë të ngulin këmbë se “asnjë investim i jashtëm i rëndësishëm nuk është parë në dy vitet e fundit dhe as nuk duket në perspektivë”. Largimin e investitorëve të huaj dhe atyre vendorë, ata e shohin te “pasiguria politike dhe ekonomike”. Ndërsa, askush në këtë vend nuk e sheh ‘ftohjen”, ose “ikjën fare” të investitorëve të huaj për të investuar paranë e tyre në këtë vend, te legjislacioni për çka më shumë ka fjalë të mira se sa që kritokohet ai, te kushtet e ofruara nga shteti i Kosovës, te potencialet e mundshme për investime të huaja.

Megjithatë nuk ka invetime të huaja as përafërsisht sa në vendet e rajonit, me të cilat duhet të bëjë krahasime Kosova. Investimet e huaja direkte në Shqipëri, bie fjala, shënuan një rekord të ri për tremujorin e parë të vitit. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, vlera e tyre arriti në 308 milionë euro, në rritje me 1.65% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo është vlera më e lartë e investimeve të huaja direkte e regjistruar ndonjëherë në këtë periudhë të vitit në Shqipëri. Pas pandemisë, investimet e huaja direkte në Shqipëri kanë shënuar një ringritje të shpejtë. Vitin e kaluar, ato arritën vlerën e 1.37 miliardë eurove, në rritje me 33% krahasuar me një vit më parë.

Ndërkohë, në Kosovë, rezultatet në investimet e huaja direkte janë në këto periudha fare simbolike. Shkaqet për këtë qëndrojnë doemos diku. Ndoshta edhe te “detajet dhe imtësirat”, të cilat i ka evidencuar sot në këtë mënyrë reporteri i Buletinit Ekonomik: “KIESA – Agjencia për Investime e Kosovës, çdo vit shkon në panaire ndëkombëtare për t’i ftuar investitoret e huaj për të investua në Kosovë. Këto vizita janë goxha të kushtueshme, sigurisht edhe të nevojshme. Por para se të shkohet në këto vizita me shpenzime marramendëse, së pari do të duhej me e fut ujësjellësin nëpër zona ekonomike. Qysh me i ftu investitoret, e zonat ekonomike ende me bunare?”.

Ka shumë mundësi për të realizuar investime të rëndësishme dhe të nevojshme për vendin edhe në Kosovën e brishtë dhe të varfër. Vetëm duhet ditur të bëhen këto investime, duhet të gjenden projekte atraktive dhe të dobishme zhvillimore dhe të ketë vendosmëri dhe konsistencë institucionale për ta bërë këtë. Dhe në rastet kur mungon shkathtësia dhe gatishmëria profesioniste e institucioneve tona kompetente dhe përfaqësuesve të tyre, nuk paraqet asnjë turp më të voglin konsultimi i atyre që dijnë ta bëjnë këtë punë, qofshin kuadro të brendshme, qofshin të jashtme. /Buletini Ekonomik/