Ismajli, në dy vizitat e para si guvernator, u shkon në “konak” ish-punëdhënësve

Me ta marrë mandatin si guvernator i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Ahmet Ismajli, në dy vizitat e para që ka realizuar jashtë zyrës, lidhen me sektorin bankar.

E kaluara e gjatë si bankier dhe lidhjet e kahmotshme me përfaqësues të këtij sektori, duket se e kanë shtyrë Ismajlin të realizojë dy takime të njëpasnjëshme me përfaqësuesit e bankave, qysh në fillim të mandatit.

BQK me ligj, ka mandat mbikëqyrës ndaj sektorëve që mbulon, ku hyn këtu edhe sektori bankar.

Reklama e sponzorizuar

Ndërsa të dy takimet e zhvilluara me përfaqësues të bankave dhe kompanive të sigurimit më shumë duken të karakterit joformal.

Takimi i parë është zhvilluar me datën 4 shtator me ftesë të Këshillit të Investitorëve Evropian, një organizatë joqeveritare e cila është krijuar nga disa banka, kompani të sigurimit dhe kompani tjera të sektorit privat.

Takimi, siç duket edhe nga fotografitë, më shumë është i karakterit joformal, derisa në përshkrim thuhet se “e qerasëm guvernatorin me një mëngjes”.

Në këtë organizatë, anëtarë dhe themelues janë disa nga punëdhënësit e dikurshëm të Ismajlit. Bëhet fjalë për bankën ProCredit, dhe kompaninë e sigurimit Sigal. Ismajli gjatë viteve 2013-2017 ka qenë anëtar bordi në kompaninë Sigal, ndaj së cilës tash si guvernator ka rol mbikëqyrës. Ndërsa në ProCredit ka punuar gjatë viteve 2007-2008, në Departamentin e Riskut.

Takimi i dytë si gurvernator është zhvilluar me datën 6 shtator me ftesë të Shoqatës së Bankave të Kosovës, e cila avokon dhe mbron interesat e bankave në Kosovë. Me këtë shoqatë, Ismajli, nga ajo që ka shkruar në CV-në e tij, del se ka pasur një bashkëpunim të gjatë. Prej vitit 2006 e deri në tetor 2022, ai ka qenë i angazhuar si trajner në kurse të ndryshme të organizuara nga Shoqata e Bankave.

Në ambientet e kësaj shoqate, Ismajli është takuar edhe me përfaqësuesit e Bankës Kombëtare Tregtare (BEK), në të cilën kishte punuar prej vitit 2008 deri më 2013, në pozitën drejtor i degës.

Mbetet të shihet nëse lidhjet e afërta të Ismajlit me sektorët që mbulon do të ndikojnë në punën e BQK-së, si mbikëqyrëse e sektorit financiar. Ardhja e tij në krye të BQK-së ishte bërë në një proces të dyshimtë dhe pas ndërhyrjeve të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje. /Buletini Ekonomik/