Faturimi i rrymës për komunat në veri, Rizvanolli: Elektroseverit i është dërguar kërkesa e fundit për nënshkrim – presim të ndodh brenda ditësh

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka folur për moszbatimin e udhërrëfyesit për energjinë, për të cilin Kosova e Serbia u pajtuan në qershor të vitit të kaluar.

Rizvanolli në një adresim për gazetarët pas mbledhjes së Qeverisë, tha se ka pasur sabotim dhe zvarritje nga ana e Serbisë për zbatimin e këtij udhërrëfyesi.

“Kemi pasur një udhërrëfyes vitin e kaluar me afat 100 ditësh, ne kemi thënë me at rast që pagesat e fundit që do të bëhen nga buxheti i Kosovës do të jenë ato deri në zbatimin e kësaj marrëveshje. Kemi pasur kërkesa të vazhdueshme nga KOSTT-i që nga ajo kohë por nuk kemi ndarë mjete shtesë si qeveri”, tha Rizvanolli.

Reklama e sponzorizuar

Ministrja theksoi se si qeveri e kanë bërë të qartë për të gjitha palët se një mënyrë e tillë e funksionimit nuk mund të vazhdoj.

“Sigurisht që ne si institucione dhe të gjithë operatorët, qoftë operatori i sistemit të transmisionit dhe tregut, KOSTT-i, qoftë KEDS-i operatori i sistemit, qeveria, ZRRE-ja i kemi kryer detyrat tona në afatet e duhura sipas kësaj marrëveshje. Nga pala tjetër kemi pasur sabotim dhe zvarritje, dhe me kërkesën e ndërmjetësuesve ne kemi vazhduar të diskutojmë shqetësimet mirëpo pa bërë kompromise shtesë ose ndryshim të kësaj marrëveshje”, u shpreh Rizvanolli.

Ajo shtoi se e kanë bërë të qartë se versioni i fundit i kontratës i cili i është dërguar Elektrosever disa muaj më parë, është versioni i fundit i marrëveshjes që duhet të nënshkruhet nga ata.

“Dje operatori i distribucionit KEDS i ka dërguar kërkesën e fundit për nënshkrim Elektoseverit, dhe presim që kjo të ndodh brenda ditësh, nëse jo atëherë që sigurisht do t’i shqyrtojmë të gjitha opsionet tjera”, tha ministrja.

Sipas këtij udhërrëfyesi parashihet që të fillojë faturimi i energjisë elektrike në komunat në veri të vendit.

Më 21 qershor, Kosova dhe Serbia nënshkruan Udhërrëfyesin për zbatimin e Marrëveshjes së Energjisë, që ishte arritur më 2013 në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.

Më 24 qershor, kompania serbe Elektrosever, ishte licencuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji e Kosovës (ZRRE), për furnizimin me rrymë të qytetarëve të katër komunave të banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës, si dhe për faturimin e tyre.

Por, pala kosovare kishte thënë se kjo kompani nuk i kishte plotësuar kushtet e dala nga Udhërrëfyesi, që do t’i mundësonin operimin në tregun e Kosovës.

BE-ja kishte shprehur shqetësimin për ritmin e ngadalshëm të zbatimit të Udhërrëfyesit për energji, që kërcënonte edhe të dështonte plotësisht marrëveshjen. /Telegrafi/