Në sipërfaqet dërrmuese të tokave të Kosovës, kudo që ta vësh farën e qepës (qepujkën), ajo do të bëhet, do të rritet dhe me pak përkujdesje do të japë frutat e pritshme. Kosova importoi më 2023 gjithsej 4,8 milionë euro qepë. 4,8 milionëshi i kostos së importit të qepëve flet për huqjen e padiskutueshme të politikëbërësve në sektorin e perimtarisë dhe dështimet evidente të vizioneve të tyre zhvillimore të bujqësisë kosovare, por edhe për paefektshmërinë e masave të shumta të ndërmarra nga dikasteret kompetente, të identifikuara pa rreshtur me miliona subvencione për ta intensifikuar agrarin kosovar.
Mehmet GJATA
Në Kosovë, kudo që ta vësh farën e qepës (qepujkën), ajo do të bëhet, do të rritet dhe me pak përkujdesje do të jep frutat e pritshme. Në pjesën dërrmuese të tokave të Kosovës, qoftë në Rrafshin e Kosovës, qoftë në Anamoravë, dhe në Dukagjin po se po, me fare pak investime mund të kultivohet qepa, dhe të realizohen rendimente mbrësëlënëse të këtij perimi. Dikur, para ca vitesh, në republikën tonë mbillej thuaja në kopshtijet e çdo familjeje kosovare qepa, së paku aq sa për t’i plotësuar nevojat e familjes, ndërsa te kopshtarët e “mëdhenjë”, te ata që me kultivimin e perimeve siguronin mirëqenien familiare, të ardhurat e nevojshme për ta mbajtur familjen dhe për t’i shkolluar fëmijët, kultivimi i qepëve është bërë në sipërfaqe të mëdha dhe në hektarë të tërë.
Janë të njohur kopshtarët e rajonit të Rahovecit, dhe qepët cilësore të tyre, të cilat gjatë shumë viteve gjendeshin në të gjitha tregjet e vendit, ndërsa sasi të konsiderueshme me raste edhe janë eksportuar. Këto ishin vitet kur në Kosovë kultivoheshin në shumë familje thuaja të të gjitha llojet e perimeve dhe kur në tregjet e Kosovës gjatë tërë vitit ka pasur qepë të mjaftueshme dhe me çmime të arsyeshme dhe të pranueshme edhe për shtresat më të varfëra.
Ndërsa, tani gjendja ka ndryshuar radikalisht. Në tregjet tona nuk ka më qepë vendore të mjaftueshme, dhe në mungesë të tyre dominojnë qepët nga importi (kryesisht nga Maqedonia e Veriut, Turqia, Holanda etj) me çmime ndjeshëm të ngritura dhe si të tilla, kushtimisht, janë bërë mall që nuk mund ta blejë secili, pra ta ketë secila familje kosovare, edhe pse dihet varshmëria e përgatitjes së ushqimeve në secilën shtëpi por edhe në kulinarinë kosovare.
Tani, këto ditë, pas një uljeje simbolike të çmimit të tyre gjatë muajve të verës, pas periudhës së vjeljes së tyre, ka nisur ngritja e çmimit të qepëve. Në të gjitha stendat e tregtimit të perimeve në tregjet e gjelbra, por edhe në minimarkete dhe supermarkete, një kilogram i qepëve tregtohet me 1 euro në të shumtën, por edhe përtej një euroje.
Një thes i vogël me qepë të vendit, por edhe me sosh nga importi, që rëndom ka me vite që iu është ofruar konsumatorëve kosovarë nga shitësit e këtij produkti, qoftë në markete, qoftë në tregjet e gjelbra, dhe që peshon pak a shumë 1,5 deri më së shumti 1,8 kilogram, këto ditë tregtohet 2 deri në 2,5 euro mesatarisht, ose nga 1,8 – 2 euro (në tregjet e gjelbra) dhe 2,5 deri në 3 euro nëpër të të gjitha llojet e marketeve dhe të shitoreve që tregtojnë edhe produkte bujqësore.
Më herët, në tregjet e gjelbra, ky thes qepësh është shitur edhe nga 70-80 centë. Tregtarët e vjetër në tregjet e gjelbra të kryeqytetit, por edhe njohësit e ecurive të tregtimit të perimeve te ne, ringritjen e këto-ditëshme të çmimit të këtij produkti e shohin si rrjedhoë të mungesës së qepëve në vend dhe frigohen se do të pasohen çmimet që shpërthyen vitin e kaluar (2023) duke filluar që nga muajt e parë dhe që zgjatën deri diku te qershori-korriku, kur është koha e vjeljes së qepës.
Kush nuk ka harruar, mund të përkujtojë këtë periudhë (gjashtëmujori i parë i 2023-shit), kur një kilogram qepë në tregjet e Prishtinës tregtohej deri në dy euro (nëpër minimarkete, markete të mesme dhe supermarkete) dhe deri në 1,7 euro në tregjet e gjelbra. Ndërsa vetëm 2-3 muaj më herët (i tërë viti 2022), kilogrami i qepës ka pasur thuaja çmimin standard 50 centë në të gjitha tregjet.
Pse kaq çmim i lartë ?
Në këtë pyetje të Buletinit Ekonomik, një shitës te tregu kryesor i gjelbër (te ndërtesa e RTK-së), përgjigjet shkurt: “S’ka qepë në Kosovë”. Sipas tij, “në treg shumica e qepëve janë nga importi, sepse ka kohë që bujqit e Kosovës, me gjasë i kanë zvogëluar stoqet e prodhimit të tyre, ose presin ngritje edhe më të madhe të çmimit, për të fituar më shumë”.
“Nuk do sot kush të punojë. Aq më pak të punojë tokën”, thotë një tjetër shitës në këtë treg, i cili i bashkangjitet bisedës.
“Nuk ka tokë në Kosovë që nuk e bën qepën. Pastaj, qepa nuk do shumë punë, as ujitje, as ndonjë investim të kushtueshëm, por nuk duan njerëzit të punojnë tokën”, vazhdon të flasë tregtari në tregun kryesor të gjelbër të kryqytetit.
Dhe, tani pas braktisjes së madhe të kultivimit të qepëve edhe nga kopshtarët e njohur, ky produkt, ndër të rrallët në Kosovë, që pak a shumë e ka mbajtur me vite të tëra çmimin konstant, thuaja të pandryshuar fare për një kohë të gjatë, është bërë mall i çmueshëm dhe thuaja i pakapshëm për familjet e shumta të varfëra kosovare.
“Këto qepët e rrumbullakta dhe shumë të mëdha janë nga importi, madje kryesisht nga Holanda. Një copë e kësaj qepe ndodhë të peshojë mbi gjysmë kilogrami, e më shumë”, thotë një tregtar i vjetër që me vite të tëra tregton pemë dhe perime në tregun prishtinas. Ai shpjegon se qepët e tjera, po kështu të rrumbullakta, por që janë shumë më të vogla se ato holandezet, janë të importuara nga shtetet e rajonit. Ndërsa, shton se megjithë hijeshinë dhe pamjen impozante të qepëve nga jashtë, ato vendoret janë më të mira dhe më të kërkuara nga blerësit.
“Qepët e Rahovecit nuk kanë konkurrencë, prandaj kërkohen më shumë”, thotë tregtari prishtinas.
Ndërsa, ecuritë e çmimeve të këtij produkti (edhe të shumë produkteve të tjera bujqësore), por edhe lëvizjet e mëdha të importit të qepëve për nevojat e kosovarëve flasin qartë për absurditetin tonë zhvillimor.
Të importojë Kosova për një vit 4,8 milionë euro qepë, siç u tregua këto ditë nga një publikim në medie të një pasqyre të shumave të importeve për disa perime, është skajshmërisht e pakuptueshme dhe e pashpjegueshme. 4,8 milionëshi i kostos së importit të qepëve flet domosdo edhe për huqjen e padiskutueshme të politikëbërësve në sektorin e bujqësisë, në këtë rast, veçmas të perimtarisë dhe dështimet evidente të vizioneve të tyre zhvillimore të bujqëisë kosovare, por edhe për paefektshmërinë e masave të shumta të ndërmarra nga dikasteret kompetente, të identifikuara pa rreshtur me miliona subvencione për ta intensifikuar agrarin kosovar. /Buletini Ekonomik/