Me votat e VV’së, gruaja e Liburn Aliut dhe nipi i Besnik Bislimit emërohen në Bordin e Drejtorëve të KOSTT

Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës ka emëruar Lumnije Zekën, bashkëshorten e Ministrit të Infrastrukturës Liburn Aliu dhe Gëzim Tosunin, nipin e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, si anëtarë të Bordit të Drejtorëve të KOSTT’it. Mandati i tyre është 4-vjeçar, raporton Express.

Si anëtare e Bordit të KOSTT është emëruar edhe Rejhane Zylfiaj, e cila nga Paneli Përzgjedhës kishte qenë më e poentuara.

Tosuni mori 58 vota, e Zeka 55. Meqë Tosuni kishte më së shumti vota, ai u zgjodh edhe Kryesues i Bordit të Drejtorëve.

Reklama e sponzorizuar

“Pra drejtorë të Bordit të KOSTT zgjedhen Rejhane Zylfiaj, Gëzim Tosuni dhe Lumnije Zeka”, tha Kryeparlamentari Glauk Konjufca.

Opozita nuk ishte në sallë kur u votuan propozimet.

Nga Paneli Përzgjedhës, Lumnije Zeka ishte renditur e pesta me 33 poena e Gëzim Tosuni është i dyti në listë me 43 poena.

Deputeti Pal Lekaj e kishte konfirmuar për Gazetën Express se kandidatja Lumnije Zeka, është ish-bashkëshortja e Ministrit Liburn Aliu, dhe se edhe Gëzim Tosuni është familjari i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi.

Se bëhet fjalë për nipin e Bislimit, e ka konfirmuar edhe deputeti Ferat Shala.

Pjesë e Panelit Përzgjedhës kanë qenë Shefja e Grupit Parlamentar të VV’së, Mimoza Kusari-Lila, bashkë me katër deputetë të tjerë të VV’së, Gramos Agusholli, Jeta Statovci, Armend Muja dhe Driton Hyseni, si dhe deputetët Ferat Shala, Pal Lekaj, Valentina Bunjaku-Rexhepi dhe Fidan Jillta.