Pas hulumtimit të “Buletinit Ekonomik”, APK konstaton konfliktin e interesit në rastin e hetimeve ndaj Devolli Corporation dhe Kujtesa

Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK) ka konstatuar gjetjet e hulumtimit të Buletinit Ekonomik lidhur me konfliktin e interesit të nënkryetares së Komisionit të Autoritetit të Konkurrencës (AKRK), Kaltrina Sela, në rastin e hetimeve ndaj Devolli Corporation dhe Kujtesa.

Buletini Ekonomik

Kaltrina Sela, nënkryetare e Komisionit të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës (AKRK), është përfshirë direkt në rastin e hetimeve të nisura nga ky institucion ndaj dy operatorëve, Devolli Corporation dhe Kujtesa, anipse familjarë të saj të ngushtë kanë marrëdhënie biznesi me këto kompani. Për këtë, Agjencia Kundër Korrupsionit kishte nxjerrë një opinion paraprak për konflikt interesi, para se Sela të merrte pjesë në votime të Komisionit ndaj këtyre dy kompanive.

Reklama e sponzorizuar

Autoriteti Kosovar i Konkurrencës (AKRK) në fillim të këtij viti pati njoftuar se ka nisur hetime ndaj dy operatorëve ekonomik në sektorin e kabllorëve në Kosovë, ndaj Devolli Corporation dhe Kujtesës. Kjo procedurë hetimore ishte nisur për mospërmbushjen e detyrimit ligjor për njoftimin e përqendrimit nga dy kompanitë në fjalë dhe marrëveshjeve të fshehta mes tyre, gjë që ndalohet me ligjet e Kosovës.

Sipas Autoritetit të Konkurrencës, këto dy kompani mbi dyshime të bazuara kanë realizuar transaksione të aksioneve në tregun e telekomunikimit dhe kabllorëve në territorin e Kosovës, pa e paraqitur njoftimin e përqendrimit përkatës sipas Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës pranë Autoritetit.

Përveç nisjes së sivjetshme të hetimeve më të thella për këtë procedurë, këto dy kompani kanë qenë nën monitorimin e Autoritetit të Konkurrencës edhe gjatë viteve të kaluara për lëndë të ndryshme, nën mbikëqyrje edhe të Nënkryetares së Komisionit të AKRK-së, Kaltrina Sela, e cila qe një vit e më tepër ka pasur në dorë një opinion nga Agjencia Kundër Korrupsionit se është në konflikt interesi me kompanitë në fjalë.

Me hapjen e rasteve të hetimit për Artmotion dhe Kujtesa Net gjatë vitit të kaluar, Kaltrina Sela, e cila mban këtë pozitë që nga qershori i vitit 2022, në fillim të vitit 2023 – i ishte drejtuar personalisht Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit me një kërkesë për opinion ligjor lidhur me shqyrtimin e gjendjes së mundshme të konfliktit të interesit për përfshirjen e saj në Komisionin ku do të vendosej për lëndën ndaj ArtMotion dhe Kujtesa.

Kjo pasi, siç ka deklaruar ajo, nëna e saj ka pasur dhe ka lidhje biznesore private me këto kompani gjatë viteve të fundit.

Në dokumentet që kishte siguruar Buletini Ekonomik, Sela teksa i drejtohet kësaj agjencie thotë:

“Në AKRK është hapur rast për kompanitë Kujtesa dhe Artmotion, arsyeja pse po ju drejtohem me këtë kërkesë është se familjarët e mi të afërt, prindi (nëna) me këto dy kompani ka zhvilluar aktivitet biznesi, më saktësisht shitje të mallrave, andaj ju lutem të sqarohet rreth ekzistimit ose jo të konfliktit të interesit pjesëmarrja ime në vendimmarrje në Komision të AKRK-së për këtë rast”.

Kësaj shkrese të nënkryetares Sela i ishte përgjigjur Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK) në Kosovë më datë 25 prill të 2023, ku konstaton se pjesëmarrja e znj. Sela në vendimmarrje në rastet e hapura për Kujtesa dhe Artmotion, paraqet konflikt të interesit në ushtrimin e funksionit publik, për shkak se një familjar i afërt i saj (nëna) me këto dy kompani ka zhvilluar aktivitet biznesi.

Gjithashtu, me këtë rast APK-ja kishte kërkuar nga Sela që ajo të bëjë edhe vetë/deklarimin paraprak të ekzistencës së interesit privat dhe të tërhiqet nga vendimmarrja, sipas neneve përkatëse të Ligjit për Parandalimin e Korrupsionit.

Pas opinionit për konflikt të interesit nga APK, Sela vazhdoi me vendime që bien ndesh me vendimet e APK-së 

Përkundër opinionit ligjor të lëshuar nga APK-ja me kërkesë të vet nënkryetares Sela një vit më parë, edhe pse ajo ishte vetëpërjashtuar nga vendimmarrja më datë 20 mars 2024 kur edhe ishte mbajtur një diskutim brenda Autoritetit të Konkurrencës rreth fillimit të hetimeve për rastin e përqendrimit të palejuar/pa notifikuar nga Devolli Corporation dhe Kujtesa, ajo më datë 21.03.2024, pra vetëm një ditë pas vetëpërjashtimit, ka marrë pjesë në votim në rastin e pranimit të kërkesës për dorëzim/përqendrimin nga kompania Devolli Corporation dhe Kujtesa Sh.p.k.

Lidhur me këtë, tashmë Agjencia Kundër Korrupsionit (APK) ka konstatuar edhe njëherë gjetjet e hulumtimit të Buletinit Ekonomik lidhur me konfliktin e interesit të nënkryetares së Komisionit të Autoritetit të Konkurrencës (AKRK), Kaltrina Sela, përmes një opinioni ligjor tjetër që mban datën 28.10.2024.

Sipas këtij opinioni, konstatimi se në një rrethanë me konflikt të interesit të deklaruar paraprakisht, e pastaj pjesëmarrja në votim e Kaltrina Sela-s, Nënkryetare dhe anëtare e Komisionit të Autoritetit të Konkurrencës, për pranimin e kërkesës për përqendrim të ndërmarrjes Devolli Corporation, lidhur me shitblerjen e aksioneve të ndërmarrjes Kujtesa, si dhe për pjesëmarrje në votim për përjashtimin e disa zyrtarëve të AKRK-së nga procedurat në rastet e telekomunikimeve për ArtMotion dhe Kujtesa, Telkos, Devolli Corporation dhe Isp Broadcast, bie ndesh me nenet 17, 19, 6 dhe 3 të Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit.

Neni 17 i Ligjit për Prandalimin e Konfliktit të Interesit përcakton se: “Çdo zyrtar gjatë ushtrimit të funksionit të tij publik, në bazë të njohurive të tij dhe në mirëbesim, detyrohet që të bëjë vetëdeklarimin paraprak, rast për rast, të ekzistencës së interesit të tij privat ose të personave të afërm lidhur me vendimmarrjen në një çështje të caktuar, që mund të bëhet shkak për lindjen e një konflikti të interesit dhe të tërhiqet nga kjo vendimmarrje”.

Kurse, Interesi privat, sipas nenit 3 të Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, nënkupton “çfarëdo përparësie për personin zyrtar, familjen e tij, të afërmit, miqtë dhe personat apo organizata me të cilat ai ka pasur apo ka marrëdhënie afariste”.

Sipas APK-së, konflikti i interesit është i lidhur ngushtë me procesin e vendimmarrjes (përfshirë çastet paraprake të vendimmarrjes), nën kushtet e ekzistencës së interesit privat të zyrtarit ose të personave të afërt të tij në një çështje të caktuar.

Në rastin konkret, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit ka konstatuar konfliktin e interesit, pasi që siç përshkruhet në opinionin e tyre, janë plotësuar kushtet kumulative, si: përfshirja në çaste paraprake të vendimmarrjes dhe ekzistenca e interesit privat të personit të afërm të zyrtarit.

Prandaj, në rastet kur ekzistenca e interesit privat të personave të afërm me zyrtarin cënon paanshmërinë dhe objektivitetin e një vendimmarrjeje të caktuar, dhe si rezultat, kredibiliteti i asaj vendimmarrjeje vihet në mëdyshje për sa i përket paanshmërisë dhe objektivitetit, atëherë zyrtari duhet që fillimisht të bëjë vetëdeklarimin paraprak, në secilin rast të ekzistencës së interesit të personave të afërm me të, lidhur me vendimmarrjen dhe të tërhiqet nga ajo vendimmarrje konform Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit.

Me këtë vendim, Agjencia për Prandalimin e Korrupsionit vë në pah se pjesëmarrja e Kaltrina Sela në votim më datë 21.03.2024, nuk përbën çast të fundit të procesit vendimmmarrës ku është vendosur përmbajtja përfundimtare e aktit apo çështjes kryesore (hetimit në procedurë e sipër), por se votimi në fjalë gjithsesi paraqet çaste paraprake të vendimmarrjes në kuptim të dispozitës përkatëse të Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, pasi që sipas tyre, ato janë thelbësore dhe ndikojnë në epilogun e çështjes kryesore.

Buletini Ekonomik kishte siguruar më parë edhe opinionin ligjor fillestar të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit pas kërkesës së nënkryetares Sela, ku thuhet qartë edhe atëherë se “APK-ja vlerëson se përfshirja juaj në vendimmarrje si pjesë e Komisionit të AKRK-së, me rastin e trajtimit të rastit të hapur (në AKRK) për kompanitë e sipërpërmendura, me të cilat kompani, personi i afërt i juaji (nëna), ka zhvilluar aktivitet biznesi, bie ndesh me dispozitat e sipërcituara të Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, prandaj me këtë rast ju duhet të bëni (vetë)deklarimin paraprak të ekzistencës së interesit privat dhe të tërhiqeni nga kjo vendimmarrje konform nenit 17 dhe nenit 19, paragrafi 1, nënparagrafi 1.2 të Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit.”

Megjithatë, nënkryetarja Sela përkundër këtij vendimi dhe përkundër Ligjit prapë kishte votuar për rastin e kompanive në fjalë.

Ligji në Kosovë përkufizon konfliktin e interesit si një “situatë kur një zyrtar publik ka një interes personal që mund të ndikojë ose duket se mund të ndikojë në ushtrimin e paanshëm dhe objektiv të detyrave të tij publike”.

Buletini Ekonomik në hulumtimin e parë për këtë çështje, kishte siguruar edhe një opinion të brendshëm të Autoritetit të Konkurrencës, i cili konstatonte njësoj për zyrtaren në fjalë që është në konflikt interesi direkt me kompanitë Devolli Corporation dhe Kujtesa dhe në detaje përshkruante pjesëmarrjen e saj në vendimmarrje.

Sipas këtij opinioni të brendshëm, Ligji për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik parasheh se në rast se një anëtar i familjes është pjesë e një ndërmarrjeje ose biznesi, mund të paraqesë një konflikt të interesit kur një anëtar tjetër i asaj familjeje duhet të marrë vendime si pjesë e një institucioni në Republikën e Kosovës.

Brenda këtij opinioni sqarohej se si në kundërshtim më shkresën e APK-së të datës 25.04.2023, Sela kishte marrë pjesë në votim më datë 21.03.2024 në rastin e pranimit të kërkesës për dorëzim/përqendrimin nga kompania Devolli Corporation dhe Kujtesa, për të cilat Autoriteti i Konkurrencës kishte filluar hetime në lidhje me lejimin e përqendrimit, edhe pse e njëjta në takimin e mbajtur më datë 20.03.2024 ishte vetëpërjashtuar nga vendimmarrja në rastin e diskutimit të Draft Raportit dhe propozim konkluzionit për rastin e përqendrimit të palejuar/pa notifikuar nga Devolli Corporation dhe Kujtesa Net, duke deklaruar se konsideron që është në konflikt të interesit me këto dy kompani sipas shkresës së APK-së të vitit të kaluar.

Buletini Ekonomik ka provuar që nga fillimi të marrë përgjigje zyrtare nga nënkryetarja Sela rreth kësaj çështjeje, në të gjitha format e komunikimit, mirëpo e njëjta pasi thotë se do t’ju lajmërohem më vonë, më nuk ka hapur as telefonin dhe nuk është përgjigjur as me shkrim, përkundër adresimeve të shumta nga redaksia. /Buletini Ekonomik/