Drejt krijimit Dhoma Ekonomike Bilaterale Shqipëri-Kosovë

Për herë të parë, Shqipëria dhe Kosova së shpejti do të kenë një institucion të përbashkët që do të përfaqësojë interesat e biznesit në të dy kahet.

Më datë 12 Dhjetor në Prishtinë, Kryetarja e Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë znj. Ines Muçostepa u prit nga Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës z. Lulzim Rafuna dhe Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë z. Petrit Malaj në takim zyrtar me qëllim përmbushjen e deklaratës së objektivave të përbashkëta për themelimin e “Dhomës Ekonomike Bilaterale Shqipëri-Kosovë”, me vullnetin për rritje të bashkëpunimit ekonomik dhe strategjik ndërmjet dy vendeve.

Palët ranë dakord për të gjithë hapat e mëtejshëm për funksionalizimin e “Dhomës Ekonomike Bilaterale Shqipëri–Kosovë”.

Reklama e sponzorizuar

“Dhoma Ekonomike Bilaterale Shqipëri–Kosovë” do t’i shërbejë interesave të biznesit Shqipëri-Kosovë dhe do t’i propozoj qeverive të vendeve tona shqetësimet e komunitetit të biznesit nga të dyja vendet, në përputhje me objektivat e deklaratës së përbashkët për themelimin e “Dhomës Ekonomike Bilaterale Shqipëri–Kosovë”, e nënshkruar në mbledhjen e dy qeverive, më 26.11.2018 në Pejë.

Ky është një hap i madh drejt thellimit të bashkëpunimit ekonomik Shqipëri-Kosovë dhe zbatimit të deklaratës së objektivave të përbashkëta për themelimin e “Dhomës Ekonomike Bilaterale Shqipëri–Kosovë”, raporton Monitor. /Telegrafi/