Zëdhënësja e KESCO-së, Margarita Rashiti, ka thënë të hënën për Buletinin Ekonomik se gjatë muajit nëntor, përkatësisht në periudhën 1-30 nëntor, konsumi mesatar ditor në Kosovë ka arritur në 200 – 300 megavatë-orë, kurse shpenzimi më i lartë i rrymës në orët e pikut, në këtë periudhë ka shkuar në 1,171 megavatë-orë.
Buletini Ekonomik
Situata elektroenergjetike vazhdon të jetë e brishtë dhe e luhatshme gjatë këtyre ditëve të para të dhjetorit 2024. Në gjendjen aktuale energjetike të vendit, domosdo ka ndikim jo të vogël dëmtimi i kanalit Ibër-Lepenc në afërsi të Zubin-Potokut nga sulmi terrorist dhe tërheqja e planifikuar, siç është thënë nga zyrtarë të KEK-ut, e njësisë B2 të termocentraleve Kosova B për një remont dy ditë me radhë.
Në këto ditë me temperatura ndjeshëm të ulura dhe me konsum jashtzakonisht të shtuar, sidomos në orët e pikut, domosdo është bërë më komplekse gjendja energjetike, me ç’rast ndihen edhe mungesa evidente të rrymës të prodhuar nga termocentralet e vendit.
Zëdhënësja e KESCO-së, Margarita Rashiti, ka thënë të hënën për Buletinin Ekonomik se gjatë muajit nëntor, përkatësisht në periudhën 1-30 nëntor, konsumi mesatar ditor në Kosovë ka arritur në 20, 300 megavatë-orë, kurse shpenzimi më i lartë i rrymës në orët e pikut, në këtë periudhë ka shkuar në 1,171 megavatë-orë. Duhet thënë se derisa ishin në prodhim të gjitha kapacitetet ekzistuese të gatshme të prodhimit të rrymës në vend (dy blloqe të Kosovës B me 520 megavatë – orë dhe 2 të Kosovës A me 230 megavatë) dhe dhjetëra megavatë të tjerë, të prodhuara nga kapacitetet ekzistuese të pakta të energjisë së rinovueshme (nga disa minihidrocentrale aktive dhe nga parqet e energjisë në bazë të erës në Shalë të Bajgorës dhe në Kitkë të Kamenicës), gjendja elektroenergjetike ishte më stabile dhe shumë pranë stabilitetit.
Ndërsa, pas ndaljes së prodhimit në njësinë B1 të termocentraleve Kosova B, në natën ndërmjet të dielës dhe të hënës, në vend gjendja energjetike është bërë më komplekse dhe me mungesa të theksueshme të energjisë karrshi nevojave në rritje të konsumit, përkundër huazimit të një sasie të konsiderueshme të energjisë elektrike dhe importit, që për rrethanat financiare të Kosovës del të jetë enorm i lartë.
Zëdhënësja e KESCO-s i ka thënë Buletinit Ekonomik se vetëm gjatë 1 dhe 2 dhjetorit, pra gjatë të dielës dhe të hënës së këtij muaj janë importuar mbi 3 milionë e 870 mijë euro energji elektrike për nevojat e kosovarëve. Kjo shumë parash, është barrë e rëndë për Kosovën e vogël e të varfër edhe financiarisht. Prandaj, pritet me padurim rikthimi i B2 – shit në punë sipas parashikimeve të KEK-ut.
Siç dihet, KEK-u nëpërmjet një komunikate kishte thënë se brenda dy ditëve të ardhshme, sa do të zgjatë një kontroll teknik i pajisjeve dhe eliminimi i defekteve në bllokun B2, do të rikthehet në prodhim kjo njësi e Kosovës B, që është saktësisht gjysma e prodhimit të termocentraleve Kosova B. Zyrtarët e KESCO-s, dhe as ata nga KEK-u nuk kanë njoftuar për restriksione të mundshme në konsumin e vendit, përkundër gjendjes ekzistuese elektroenergjetike. /Buletini Ekonomik/