Në prag të dimrit të acartë, Kosova ende pa alternativa të stabilitetit energjetik

Mehmet Gjata

Nëse realizohen parashikimet e meteorologëve, se dimri i sivjetshëm do të jetë më i ashpër, me më shumë ditë të acarta dhe me më shumë të reshura të borës se sa disa dimra paraprak, atëherë duket e logjikshme të parashikohet një dimër i vështirë energjetik në vend, një dimër me konsum të shtuar të rrymës dhe me mungesë evidente të prodhimit në termocentralet tona, edhe nëse ato funksionojnë në mënyrën më ideale të mundshme.

Mehmet GJATA

Dy ndërprerje brenda një jave të dy njësive prodhuese të termocentralit Kosova B (B1 dhe B2), prodhuesit më të madh të energjisë elektrike në Kosovë, ku mbështeten ende shpresat për të pasur rrymë vendi edhe në ditë të mira edhe në ditë të këqija, nuk janë sinjale edhe aq shpresëdhënëse, para dimrit të pritshëm dhe të parashikuar nga sinoptikët se do të jetë i acartë dhe me të reshura të shumta të borës.

Reklama e sponzorizuar

Ndërprerjet në B1 dhe në B2 brenda 6- 7 ditësh, qofshin ato të planifikuara, siç thanë zyrtarët e KEK-ut me rastin e ndërprerjes së prodhimit te B1 për dy-tre ditë fare në fillim të këtij muaji, qofshin të paplanifikuara, siç është rasti me B2-shin, që të enjtën (me 5 dhjetor 2024), u tërhoq nga prodhimi për shkak të rrjedhjeve në kazan, flasin goxha shumë se mbështetja e furnizimit të konsumit të Kosovës te termocentralet e stërvjetruara (Kosova B ka nis punën që në fillim të viteve të 80-ta të shekullit të kaluar) nuk është edhe aq i sigurtë.

“Mosha” e termocentraleve tona (Kosova A është akoma më e vjetër se Kosova B), përkundër përpjekjeve të padiskutueshme të KEK-ut, që nëpërmjet riparimeve të shpeshta dhe të shumta t’ua kthejnë freskinë e tyre dhe t’ua zgjasin vitet e prodhimit, ka ndikimin e drejtpërdrejt në funksionimin e tyre, në ndërprerjet e paparshikuara për shkak të ndonjë defekti teknik në stabilimente e kështu me radhë. Defektet teknike në termocentralet e stërvjetruara, thjesht, asnjë herë nuk mund të parashikohen. Ato (defektet, pra) mund të ndodhin edhe në dimrin, në prag të të cilit tashmë kemi shkelur. Dhe, nëse realizohen parashikimet e meteorologëve, se dimri i sivjetshëm do të jetë më i ashpër, me më shumë ditë të acarta dhe me më shumë të reshura të borës se sa disa dimra paraprak, atëherë duket e logjikshme të parashikohet një dimër i vështirë energjetik në vend, një dimër me konsum të shtuar të rrymës dhe me mungesë evidente të prodhimit në termocentralet tona, edhe nëse ato funksionojnë në mënyrën më ideale të mundshme. Sepse, edhe po të punonin me kapacitet të plotë të gjitha kapacitetet tona aktive të prodhimit të rrymës, dy blloqet e termocentraleve Kosova B (B1 dhe B2-shi) me kapacitet dy herë 260 megavatë-orë si dhe 2 blloqe të Kosovës A (A3 dhe A5), me gjithsej 260 megavatë, ose secili bllok me kapacitet 130 megavat, dhe dhjetëra megavatë të tjerë, si rëndom, të sigurohen nga kapacitetet ekzistuese të pakta të energjisë së rinovueshme, nga disa minihidrocentrale aktive dhe nga parqet e energjisë në bazë të erës në Shalë të Bajgorës dhe në Kitkë të Kamenicës, (me gjithsej bashkarisht, 780-800 megavatë-orë energji elektrike ), prap se prap në rrethanat e rritjes së konsumit mbi 1.100 megavatë-orë e përtej nuk do të ishte energji e bollshme.

Nuk është shumë premtuese as këmbimi i energjisë elektrike me Shqipërinë, për shkak se akoma në liqenet akumuluese të hidrocentraleve shqiptare, nuk është gjendja e volitshme me rezerva të ujit. Nuk janë vetëm sugjerime ekspertësh se sivjet nuk duhet pritur shumë as nga këmbimi i energjisë elektrike me Shqipërinë, për shkak të mungesës për muaj të tërë gjatë verës së të reshurave të shiut dhe rënies së rezervave ujore në liqenet akumuluese të Kaskadës së Drinit.

Një shkak tjetër evident në këmbimin e rrymës me KESH-in shqiptar është edhe fakti se sivjet deri në këtë kohë Kosova nuk ka arritur të deponojë në KESH ndonjë sasi të rrymës, siç kishte ndodhur viteve të kaluara, kur KEK-u arrinte të krijojë rezerva të deponuara të rrymës përtej 160 mijë megavatë-orësh.

KEK-u pra, sivjet për shkak të renovimeve të detajuara dhe të stërzgjatura në blloqet e Kosovës B (të dy blloqet ishin në riparim në kohëzgjatje rreth 3 muajsh gjatë verës, njësia B1 e pasoi riparimin e B2-shit që zgjati njësoj) dhe të ruajtjes së freskisë së njësive të termocentraleve të stërvjetruara Kosova A për sezonin dimëror, praktikisht gjatë gjithë verës së sivjetshme ka prodhuar vetëm rreth 500-520 megavat-orë rrymë, plus dhjetëra megavatë nga kapacitetet e rinovueshme. Kjo sasi e rrymës mezi ka përmbushur nevojat e konsumit të Kosovës edhe gjatë muajve të verës, kur ky konsum është ndjeshëm më i vogël se sa dimrit. Prandaj, gjatë kësaj vere, Kosova nuk pati shumë energji elektrike, pos në raste dhe në orët e natës, për të deponuar atë në Shqipëri. Dhe, këto janë arsyet pse nuk duhet të llogaritet shumë në energjinë nga KESH-i gjatë sezonit të dimrit, edhe nëse përmirësohet situata e rezervave të ujit në liqenet akumuluese të hidrocentraleve shqiptare.

Ndërkohë, që dihet se në vitin e kaluar, krahas dimrit të butë fare, energjia në sasi të madhe nga Shqipëria, që vinte si kthim borxhi, por edhe si huazim në muajt e fundit të dimrit të kaluar, ishte stabilizatori dhe shpëtimi për sistemin elektroenergjetik të Kosovës. Prandaj, ekspertët nuk fshehin pesimizmin e tyre sa i përket furnizimit të konsumit të vendit në periudhën e acartë me energji elektrike. Sipas tyre, edhe po qe se kapacitetet potencialisht të mundshme për të prodhuar në KEK, dy njësitë e Kosovës B dhe dy blloqet e Kosovës A, gjatë dimrit do të operonin thuaja në mënyrën ideale, pa ndonjë prishje të madhe teknike dhe pa ndonjë ndërprerje të gjatë, prapë se prapë do të ndihet mungesa e rrymës për shkak të rritjes enorme të shpenzimit dimëror.

Prandaj, parashikimet e njohësve të mirë të zhvillimeve energjetike, edhe të inxhinierëve me përvojë në KEK, të mbështetura, gjithsesi, në kapacitetet ekzistuese të prodhimit të rrymës, por edhe të gjendjes së rezervave të ujit në Shqipëri, tani për tani janë pesimiste sa i përket furnizimit me rrymë të konsumit të Kosovës gjatë ditëve dhe javëve të ftohta të dimrit të pritshëm. Shumica e zërave që janë të preokupuar me situatën elektroenergjetike në vend, në muajt në vijim parashohin se do të ketë mungesë evidente të energjisë dhe sipas tyre, do të ishte fat i mirë të ketë sa më pak mungesë dhe sa më pak restriksione të rrymës në këta muaj.

Në anën tjetër, dihet se konsumi i energjisë elektrike, për shkak të temperaturave të acarta të pritshme të paralajmëruara nga meteorologët, që në Kosovën kontinentale tipike dijnë të mbajnë me javë të tëra, në dimrat e fundit ka shkuar në mbi 1.100 dhe 1.200 megavatë, dhe në raste ka tejkaluar edhe 1.300 megavatëshin. Pak a shumë, i bie që gjatë dimrit, në rrethanat më të mira Kosovës përditë do t’i mungojnë nga 150-200 megavatë, ndërsa në rrethanat e këqija, kur kaplojnë ngricat dhe të ftohtit e madh, edhe 300 megavatë. Është çështje se a do të ketë Kosova para të mjaftueshme për të importuar këtë sasi të rrymës, kur përvojat nga vitet e fundit, sidomos pas shpërfaqjes së krizës globale energjetike, na kanë bërë me kohë me dije, se çmimi i rrymës në tregjet ndërkombëtare në ditët e ftohta di të jetë “i kripur” dhe në stratosferë. Sido që të jetë, importi i energjisë elektrike gjatë shumë ditëve të dimrit që po vjen do të jetë i kushtëzuar, doemos.

Alternativë tjetër për ta zbutur mungesën e rrymës dhe importin e papërballueshëm gjatë dimrit mbetet, gjithsesi, kursimi dhe përkushtimi i konsumatorëve për të racionalizuar shpenzimin e rrymës gjithkund ku është e mundshme. Shpenzimi racional i rrymës, ose kursimi i këtij produkti të shtrenjtë gjithnjë ku ka mundësi të bëhet, mbetet alternativa më e pranueshme, më e zbatueshme lehtësisht dhe me shumë efekte në zbutjen e mungesës së energjisë elektrike dhe në kursimin e parave të shtetit, të cilat do të shkonin në importimin e rrymës. Prandaj, kosovarët (sipas statistikave, më së shumti energji elektrike në Kosovë shpenzon sektori i amvisërisë, me rreth 40 për qind të konsumit të përgjithshëm) duhet të jenë koshientë, të përgjegjshëm dhe të “dëgjueshëm” ndaj thirrjeve të zyrtarëve të shtetit dhe nëpunësve të kompanive prodhuese, shpërndarëse dhe të furnizimit për të kursyer energjinë elektrike.

Fundja, bota shumicë, edhe shtetet e fuqishme ekonomikisht dhe financiarisht, në njëfarë mënyre, më shpejtë se sa është parashikuar nga njohësit e rrethanave dhe më lehtësisht se sa është pritur, kanë pranuar “regjimin” e kursimeve, të restriksioneve të energjisë elektrike, duke sakrifikuar dhe hequr dorë nga jeta me energji të bollshme dhe nga maniret për të shpenzuar pafundësisht edhe rrymën. Duhet ta pranojmë edhe ne tashmë këtë mënyrë të re jetese, sidomos në muajt e dimrit, kur siç po paralajmërohet nga ekspertët, por edhe nga prodhuesit dhe shpërndarësit e rrymës në vend, se do të jetë “një dimër me goxha të panjohura”, por, gjithsesi, me mungesë të energjisë së bollshme elektrike. Dhe, nuk kemi alternativë tjetër. /Buletini Ekonomik/